Hetimet në terren për ndërtimet në Brezovicë drejt fundit – prokurori i rastit jep detaje - NACIONALE

Hetimet në terren për ndërtimet në Brezovicë drejt fundit – prokurori i rastit jep detaje

1 vit më parë

nga Besian Beha

Inspektime në terren për ditë të tëra ka kryer Prokuroria e Ferizajt në zonën e Brezovicës. Kjo për të hetuar ndërtimet në zonën e mbrojtur dhe procedurat e pajisjes me leje për të ndërtuar në atë pjesë. Inspektimet në terren janë drejt përfundimit, dhe aksioni do të vazhdojë për pak kohë posa të ndalen reshjet e shiut.

Prokurori i rastit ‘Brezovica’, Rasim Maloku, ka bërë të ditur për gazetën Nacionale se aksioni në terren për inspektimet e ndërtimeve, do të finalizohet gjatë kësaj jave.

Maloku ka theksuar se kanë pasur pak vështirësi, shkaku i reshjeve të shiut.

“I kemi pasur disa aksione, na kanë mbetur edhe 1 ditë eventualisht 2 por shkaku i motit nuk kemi mujt me dalë, ende nuk ka përfunduar aksioni. Ka pasur dje por shkaku i kohës me shi, e kemi shtyrë edhe sot. Brenda javës besoj finalizohet aksioni, pasi jemi në fund të verifikimit të evidentimit, dhe pastaj dalim me një komunikatë se çka është vërtetuar e çka jo”, ka thënë Maloku për Nacionalen.

Prokurori i njërit prej rasteve më të mëdha për dallaveret me ndërtime, ka theksuar se hetimet janë në disa pista.

Aksioni për verifikim të ndërtimeve në Brezovicë po vazhdon edhe sot

Rasim Maloku ka bërë të ditur se kanë intervistuar disa persona, por që detajet e tjera nuk mund të bëhen publike.

“Jashtë ligjit nuk veprojmë asgjë. Paralelisht ne i kryejmë veprimet, ato i përcaktojmë ne se cilat janë me rend, kemi intervistu edhe persona edhe gjëra të tjera, ato tash nuk mundemi me i dhanë për mediat çka kemi bërë. Tash për tash është ky aktivitet. Nuk është hetimi vetëm njëdrejtimësh, është shumëdimensional i ka 100 aktivitete tjera. Nuk mundemi me i bo publike krejt”, theksoi më tutje prokurori i rastit.

“Ka persona në paraburgim, ka në arrest shtëpiak e ka masa të tjera, nuk janë krejt një status”, deklaroi më tutje ai.

Por, kur mund të ngritet aktakuza për rastin Brezovica?

“Tash për ato, janë afatet e hetimit. Kurdo që i bëjmë provat e ngritim aktakuzën, nuk e dijmë edhe ne me pas datë të caktuara, por sigurisht do të veprojmë brenda afateve ligjore”, përfundoi Rasim Maloku për gazetën Nacionale.

Për disa ditë me radhë, aksioni Brezovica u zhvillua në terren ku Prokuroria pritet të hartojë një raport për ndërtimet në zonën e mbrojtur, dhe procedurat e pajisjes me leje për këto ndërtime.

Brezovica me shumë aksione

Që nga muaji dhjetor 2021, e pastaj edhe në nisjen e vitit 2022, Prokuroria e Ferizajt ka zhvilluar disa aksione për ndërtimet në zonën e Brezovicës. U arrestuan dhjetëra persona, mes të cilëve edhe ish-kryetari i Shtërpcës. U ngrinë nga shteti miliona euro.

Aksioni i parë: Mëngjesi i datës 21 dhjetor 2021 kishte gjetur Njësitet Speciale të Policisë në komunën e Shtërpcës. Atje nisi një aksion, që u vlerësua si një nga më të mëdhenjtë për hetimet e lejeve të ndërtimeve në Brezovicë.

Në fundin e vitit 2021, 10 persona u arrestuan nga Policia e Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Mbi këtë të fundit rënduan dyshimet se kishte përfituar mbi 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë.

"Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve", kishte thënë prokurori Rasim Maloku.

Mbyllet komuna paralele e Shtërpcës | Ekonomia Online

“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura e armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt aso kohe.

Pos Nikolliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, kishte arrestuar edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Aksioni i dytë: Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë aksion ishin arrestuar shtatë persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi.

Prokuroria në aksionin e dytë, kishte sqaruar se në Ministrinë e Mjedisit ishin marrë një numër i madh lejesh, kryesisht leje ujore e mjedisore.

Gjatë aksionit ishin sekuestruar dokumente, vetura, armë, kompjuterë, telefonë dhe një uniformë e policisë së ish-sistemit jugosllav. Ndërkaq, në xhirollogaritë e të pandehurve tha se përveç 5,389,000 eurove janë ngrirë edhe 86,146 dollarë amerikanë.

Aksioni i tretë: Më 3 mars 2022, kishte vazhduar sërish aksioni i njëjtë. Kësaj radhe ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme, që kishte rezultuar me 7 persona të arrestuar. Aksioni ishte realizuar në Prishtinë, Ferizaj, Skënderaj dhe Lipjan.

Tre prej të arrestuarve ishin ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët sipas komunikatës, dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni i katërt: Aksioni kishte vazhduar sërish edhe në gjysmën e muajit mars. Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se gjatë aksionit “Brezovica” janë arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”, S.I. dhe doganieri N.G.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë (7) lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy (2) persona të dyshuar.”, thuhej në komunikatë.

Aksioni i pestë: Ky aksion kishte vazhduar edhe më 26 maj 2022. Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe tre persona të tjerë ishin ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, si të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me rastin “Brezovica”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në Ferizaj, personat e arrestuar janë Xhelil Bekteshi dhe tre personat e tjerë me inicialet I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Në total, në të gjitha aksionet numri i të arrestuarve ka shkuar në gati 30. Një pjesë e tyre ende në paraburgim, disa në arrest shtëpiak, e të tjerët edhe me masa të tjera. Kurse, janë ngrirë mbi 6 milionë euro.

E më 7 korrik, në kuadër të të njëjtit rast Prokuroria kishte nisur aksion në Shtërpcë, ku i kishte larguar të gjitha kamerat ilegale të sigurisë, që monitoroheshin nga strukturat paralele.

Lajme të ngjashme