Iu arrestua vëllai për kontrabandë me emigrantë, drejtori i Inspekcionit në Prizren: Përgjegjësinë secili për vete - NACIONALE

Iu arrestua vëllai për kontrabandë me emigrantë, drejtori i Inspekcionit në Prizren: Përgjegjësinë secili për vete

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Ndërmjet muajve mars e korrik, po dyshohet se më shumë se 500 emigrantë janë kontrabanduar nga Shqipëria në Kosovë. Në gjithë këtë zinxhir, policia ditë më parë ka arrestuar 18 persona si të dyshuar. Një nga të dyshuarit e këtij grupi, është edhe vëllai i drejtorit të Inspekcionit në Prizren.

Dyshimet

Një burim i njohur me ngjarjen nga institucionet e drejtësisë në Prizren, ia kishte konfirmuar gazetës Nacionale ditë më parë, se në gjithë këtë plan janë të përfshira edhe kompani të autobusëve.

Në mesin e këtyre arrestimeve, Nacionale mëson se i arrestuar është Labinot Ukaj, i cili është pronar i kompanisë së autobusëve “Bashkimi Reisen”.

Gazeta ka kontaktuar me kompaninë, por ata janë treguar të ashpër në përgjigjen e tyre.

“A s’keni me çfarë teme tjetër me u marrë a? Unë jam veç punëtor këtu, kështu që për këtë temë mos më thirrni ma”, thanë nga kjo kompani.

Por, Ukaj është edhe vëllai i drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri.

I kontaktuar nga Nacionale, Ukimeri ka thënë se vëllai i ka mbi 18 vjet, andaj secili e ka përgjegjësinë e vet.

Secili e ka përgjegjësinë mbi vete. Ai është mbi 18 vjeç, ne jetojmë të ndarë. Unë s’kam koment tjetër. Nuk ka të bëjë me mu fare, secili e mban përgjegjësinë e vet”, tha Ukimeri për gazetën.

Foto 1: Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj në shoqëri me drejtorin e Inspekcionit të kësaj komune gjatë ditës së djeshme (i dyti nga ana e majtë)

Në kontrabandimin e emigrantëve, gjithashtu ka dyshime se është përdorur vetura private e zyrtares së Gjykatës së Prizrenit, Xhevahire Bislimi-Ukaj, e cila është gruaja e të arrestuarit Labinot Ukaj.

Për këtë arsye, Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi se është pezulluar zyrtarja Xhevahire Bislimi-Ukaj.

Gazeta Nacionale ka mësuar se Policia e Kosovës po dyshon se ky grup i organizuar ka kontrabanduar më shume se 500 emigrantë. Ata kryesisht vinin nga shtete të Lindjes së Mesme, e Kosovën e përdornin vetëm për tranzit.

Sipas informacioneve të Nacionales, emigrantët depërtoheshin ilegalisht nga Shqipëria, për t’i transportuar në pjesën veriore të Kosovës, nga ku ata merrnin rrugë për në vendet perëndimore.

Si u realizua aksioni i Policisë?

Të shtunën në mesditë, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion të rëndësishëm që e titulluan “Shkoza”. Kjo pasi, aksioni u bë në fshatin Shkozë të Prizrenit.

Një ditë pas aksionit, Policia e Kosovës ka sqaruar në detaje se si e goditën grupin që kontrabandonte me qindra emigrantë për në vendet perëndimore.

“Hetuesit policorë nga Departamenti i Kufirit, që nga muaji mars 2022, kanë filluar hetimin rreth dyshimit se disa persona janë përfshirë në ‘kontrabandim me emigrantë’. Numri i personave të dyshuar, të përfshirë në hetim ka qenë i madh. Ata dyshohet se emigrantët (kryesisht aziatikë), i kanë depërtuar ilegalisht nga Shqipëria, duke i kaluar deri në pjesën veriore të Kosovës, e qëllim i mbërritjes së emigrantëve ishin shtetet perëndimore”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Më 14.07.2022 hetuesit nga Sektori i Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin M.A., shtetas sirian, i cili ka qëndruar në Kosovë duke organizuar kontrabandën. Kurse, më 30.07.2022, policia kufitare e ka finalizuar operacionin policor të koduar “Shkoza” “, bëhet e ditur më tutje.

Gjatë aksionit, Policia hasi edhe në rezistencë, për çka arrestoi një person të dyshuar.

“Më 30.07.2022, derisa ishte në zhvillim e sipër kontrabandimi i radhës, pas marrjes së urdhrit nga Gjykata Themelore Prishtinë, fillojnë kontrollimet policore në fshatin Shkozë të Prizrenit në tri lokacione. Në njërin nga lokacionet një i dyshuar tenton t’i godasë me veturë zyrtarët policorë. Ai është arrestuar për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe dërguar në mbajtje. Ndaj tij është veçuar lënda nga të dyshuarit tjerë të përfshirë në ‘kontrabandë me emigrantë’”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Nga 18 të arrestuarit, 17 janë dërguar në mbajtje, e një tjetër person është liruar.

Kosova është vlerësuar se viteve të fundit, është kthyer në qendër të emigrantëve, të cilët jo rrallë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Lajme të ngjashme