I fundit Armend Mehaj: Kush janë të gjithë zyrtarët e pushtetit që vizituan krerët e UÇK-së në Hagë? - NACIONALE

I fundit Armend Mehaj: Kush janë të gjithë zyrtarët e pushtetit që vizituan krerët e UÇK-së në Hagë?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Qendra e Paraburgimit në Shceveningen të Hagës është kthyer në destinacion për vizita nga politikanë, analistë e familjarë të krerëve të UÇK-së që po akuzohen nga Gjykata Speciale. Atje kanë qëndruar edhe zyrtarë të lartë të pushtetit. Megjithatë, jo të gjithë të akuzuarit kanë pranuar t’i takojnë. Gazeta Nacionale sjell të përmbledhur të gjitha vizitat e pushtetit në Hagë, dhe detajet nga takimet atje.

Kur shkoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë, jo të gjithë pranuan ta takojnë. Ishin Hashim Thaçi e Kadri Veseli që refuzuan takimin me ministren Haxhiu. Megjithatë ndryshe ishte me kryeparlamentarin Glauk Konjufca e së fundmi edhe me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj. Këta dy të fundit, i takuan të gjithë të akuzuarit që po mbahen në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj e Salih Mustafa, kanë qenë të ndarë kur kanë pasur vizita nga zyrtarët e pushtetit. Disa prej tyre nuk kanë pranuar ta takojnë Albulena Haxhiun e kabinetin e saj, kurse unik kanë qenë kur atje ka shkuar Glauk Konjufca.

Megjithatë ai që nuk ka pasur ende vizitë në Hagë është kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se për të, më të rëndësishme janë takimet me avokatë dhe përkrahja financiare. Kurti ka theksuar se qëndrimi i tij për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar i vitit 2015.

Cilat kanë qenë vizitat e pushtetit në Hagë, dhe cilat ishin mesazhet? Gazeta Nacionale sjell detaje.

Vizita e parë – Kabineti i Haxhiut

Vizita e parë nga një zyrtar i lartë i pushtetit te ish-krerët e UÇK-së u realizua në muajin shtator të vitit 2021. Atje qëndruan zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu bashkë me shefin e kabinetit, Genc Nimoni. Qëndruan disa ditë dhe zhvilluan disa takime përfshirë me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova.

Sallahun e Nimonin nuk pranuan t’i takojnë Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ata u takuan me ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së që po mbahen të arrestuar në Hagë. Pas takimeve, Ministria e Drejtësisë me një komunikatë të gjatë për media, kishte pasur shumë vërejtje për trajtimin që po iu bëhet të paraburgosurve.

“Në takim është diskutuar për funksionimin e gjithmbarshëm të rendit shtëpiak, kushtet e trajtimit të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe Ndihmën Juridike Falas ndaj tyre.Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Të gjitha këto shqetësime, Ministria e Drejtësisë i kishte trajtuar edhe te Avokati i Popullit i Gjykatës Speciale, por që deri më tash nuk është raportuar të ketë pasur ndonjë zgjidhje.

Vizita e dytë – Haxhiu vetë në Hagë

Pas kabinetit të saj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori vetë rrugën drejt Hagës. Sërish personat që nuk pranuan ta takojnë ishin të njëjtit: Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Vizita ishte realizuar në muajin mars të këtij viti.

Haxhiu në vizitën e saj në Qendrën e Paraburgimit kishte bërë të ditur se i ka takuar të gjithë të tjerët që po mbahen të arrestuar atje. Ministrja e Drejtësisë, kishte komentuar edhe faktin që dy nga udhëheqësit e UÇK-së nuk pranuan ta takojnë.

“Arsyet nuk mund t’i dijë as nuk mund t’i paragjykoj, me thënë të drejtën as s’po mendoj se pse nuk kanë pranuar institucionet, është në vullnetin e tyre dhe le ta bëjnë publik ata qëndrimin kurdo ata që e bëjnë”, tha Haxhiu.

“Nuk kemi ndonjë shpjegim. Ne kemi bërë kërkesë sepse konsideroj që si ministre e Drejtësisë kam për obligim që të bëjë kërkesa që t’i vizitojë të gjithë. Mendoj që një mosvullnet në anën tjetër është i paarsyeshëm edhe konsideroj që në rrethana të tilla nuk e kuptoj si të tillë”, kishte deklaruar ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu në këtë vizitë kishte qenë e shoqëruar edhe nga deputetët Saranda Bogujevci, Erxhan Galushi e Adnan Rrustemi.

Vizita e Glauk Konjufcës në Hagë

Për dallim nga refuzimi që ia bën ministres së Drejtësisë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli pranuan ta takojnë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Ky i fundit bëri një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në muajin qershor. Nga atje erdhi me një propozim për krijimin e një mekanizmi të pavarur mbikëqyrës për punën e Gjykatës Speciale.

"Të gjithë i pashë janë mirë me shëndet, të fortë, me vullnet dhe shumë të qëndrueshëm. Shqetësimi i tyre është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura për të cilat absolutisht nuk ka kurrfarë mekanizmi të ankesës dhe i cili i shqyrton. Kjo gjykatë nuk është nën kontrollin e askujt," kishte deklaruar Konjufca pasi ishte kthyer nga Haga.

“Po bëhen gati dy vite prej kur ata janë marrë, faktikisht janë bërë dy vite prej kur ka dalë aktakuza sepse në qershor të vitit 2020 e pamë aktakuzën për herë të parë, e deri tash ende nuk ka filluar procesi gjyqësor. Në terma të gjykatave dhe proceseve ku kemi të bëjmë me të pandehurit, kjo mund të quhet lirisht njëfarë tendence e izolimit të personave, pra izolim që ata të mos mund të jenë me familjet e tyre, që të mos mund të jenë në vendin e tyre dhe të jenë të shkëputur prej aktivitetit të tyre publik që e kanë pasur faktikisht. Kjo është për mendimin tim shumë shqetësuese, edhe institucionet tona për këtë arsye janë të brengosura me çka po ndodh atje”, kishte deklaruar Konjufca.

Vizita nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut

Vizitë në Qendrën e Paraburgimit kishin bërë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Në mesin e deputetëve të VV-së ishin Alban Bajrami e Tinka Kurti.

Atje ishin njoftuar nga afër me gjendjen e të akuzuarve dhe detajet e tjera me ankesa që morën nga ish-udhëheqësit e UÇK-së.

“Anëtarët e komisionit panë për së afërmi gjendjen e të paraburgosurve, çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut dhe ecurinë në vazhdim lidhur me këtë proces. Ajo që bie në sy, ishte gjendja e mirë shëndetësore, fuqia morale dhe vendosmëria që karakterizon ata, për t'ia dalë mbanë në mbrojtje të kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së dhe të themeleve të shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

I fundit në Hagë – Armend Mehaj

E i fundit zyrtar i lartë i pushtetit që ka realizuar vizitë në Qendrën e Paraburgimit të Hagës, është ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ai për këtë njoftoi në rrjete sociale.

Mehaj njoftoi se ish-krerët e UÇK-së janë në gjendje të mirë, dhe me moral të lartë.

“Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë. Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

“Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë”, theksoi Mehaj.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së për më shumë se dy vite po mbahen të arrestuar nga Gjykata Speciale, si të akuzuar për krime lufte.

Lajme të ngjashme