Edhe dy ish-anëtarët e Ekipit Përgatitor i kërkojnë Osmanit ta çojë deri në fund iniciativën për Komisionin e së Vërtetës - NACIONALE

Edhe dy ish-anëtarët e Ekipit Përgatitor i kërkojnë Osmanit ta çojë deri në fund iniciativën për Komisionin e së Vërtetës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Iniciativa e mbështetur nga ShBA-të për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin po pluhuroset në sirtarin e Vjosa Osmanit, presidentes së vendit. Por, çka mendojnë anëtarët e Ekipit Përgatitor të këtij komisioni se duhet bërë me të?

Në një artikull të publikuar nga gazeta Nacionale të dielen e kaluar (18 korrik), tematizohej çështja e Iniciativës për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (më tej, edhe KVP), për fatin e të cilës populli i Kosovës nuk ka marrë asnjë njoftim nga Presidenca Osmani.

Në atë artikull, rrëfehej mbi punën e bërë prej anëtarëve dhe kontribuesve të gjithë procesit, si Marek Antoni Nowicki, Joanna Hanson dhe Ardian Arifaj.

Presidenca përsëri dështoi të ofronte informacione mbi rrugën e zgjedhur nga presidentja Vjosa Osmani në lidhje me çështjen.

Kësaj here, kontaktuam dy prej ish anëtarëve të Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit. Bëhet fjalë për Rron Gjinovcin dhe Jovana Radosavljeviqin.

Nacionale ka provuar të kontaktojë të gjithë ish anëtarët e Ekipit Përgatitor, por shumica prej tyre ishin të paqasshëm ose në pushime verore. Me z. Gjinovci kontaktoi gazetarja Arta Avdiu ndërsa me znj. Radosavljeviq kontaktoi gazetari Halim Kafexholli.

Gjinovci

Rron Gjinovci është një analist dhe aktivist i mirënjohur politik në Prishtinë. Prania e tij në një iniciativë që ndërmerrej nga Hashim Thaçi, nëse marrim për bazë fjalët dhe veprimtarinë e tij opozitare, ishte më se e çuditshme.

Gjinovci kishte komente pozitive për punën e bërë nga Ekipi Përgatitor për themelimin e KVP-së, në të cilin bënte pjesë.

“Ajo çka mund të them është se Ekipi ku kam bërë pjesë ka pasur qasje shumë profesionale. 9 anëtarët, 5 nga radhët e shoqërisë civile dhe 5 nga institucionet publike janë angazhuar bashkë, pa dallime, për të sjellë një draft të dokumentit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën në Kosovë, i cili është konsultuar pothuajse në tërë Kosovën. Për shkak të rrethanave politike të atëhershme nuk ka qenë e mundshme që të maksimizohet efekti i konsultave publike, sepse, siç mund të jeni në dijeni, emri i Presidentit të atëhershëm nën patronazhin e të cilit bëheshin konsultimet, ishte shumë kontravers për publikun e gjerë. Megjithatë, drafti që ka dalë nga puna e ekipit është i një kualiteti të lartë meqë është shoshitur nga ekspertët më eminentë ndërkombëtarë të fushës.” – na tha z. Gjinovci.

Më tej, analisti që merret edhe me çështje të arsimit të lartë, ka dhënë opinionin e tij në lidhje me veprimet që duhet t’i ndërmarr presidentja Vjosa Osmani për KVP-në.

“Mendoj se tash është koha perfekte që Presidentja e Republikës ta çojë deri në fund këtë nismë duke përsëritur konsultat publike e duke e bërë draftin aktual, dokument të popullit të Kosovës. Nisma në fjalë ka pasur për kumbarë partnerët më të fuqishëm ndërkombëtarë që ka Kosova, theksoj angazhimin e Ambasadës amerikane dhe asaj zvicerane.

Komisioni është i domosdoshëm, jo veç i nevojshëm, prandaj mendoj se duhet të themelohet, sidomos në rrethanat në të cilat jemi, sepse qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dijnë të vërtetën për luftën në Kosovë.” – ka komentuar Gjinovci.

Për më tepër, edhe z. Gjinovci e ka pranuar se iniciativa ka pasur mbështetje të madhe nga faktorët ndërkombëtarë.

“Nisma në fjalë ka pasur për kumbarë partnerët më të fuqishëm ndërkombëtarë që ka Kosova, theksoj angazhimin e Ambasadës amerikane dhe asaj zvicerane.” – tha ai.

Radosavljeviq

Se Komisioni është i domosdoshëm tha për Nacionalen edhe ish anëtarja e Ekipit Përgatitor, znj. Jovana Radosavljeviq.

“Unë besoj se formimi i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit është i domosdoshëm, por vetëm në kushte të caktuara, d.m.th., vetëm nëse në mandatin e tij reflekton nevojat dhe interesat e viktimave dhe familjeve të viktimave. Prandaj është e nevojshme që mandati i Komisionit të mbulojë periudhën para dhe pas konfliktit (dhjetor 2000) dhe Komisioni të formohet me ligj që e përcakton atë, e jo me dekret të Presidentit të Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të merren parasysh nevojat e viktimave dhe familjeve të viktimave, por edhe të sigurohet puna e pavarur e Komisionit pa ndërhyrjen e aktorëve politikë, veçanërisht të atyre në poste drejtuese.” - u shpreh ajo.

As znj. Radosavjljeviq por as z. Gjinovci nuk janë kontaktuar nga Presidenca për punën që kanë bërë në këtë proces, dhe asnjëri nuk e di se çka e ka ndërmend të bëjë presidentja Osmani me këtë çështje.

Në artikullin e 18 korrikut, z. Marek Antoni Nowicki shprehej se Ekipi Përgatitor duhej vlerësuar për punën e bërë dhe se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin duhej të themelohej.

“Iniciativa është tepër e rëndësishme që thjesht të vendoset në ndonjë sirtar, pa asnjë fjalë,” – kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme