Edhe 106 milionë euro për Specialen nga BE-ja për dy vitet e ardhshme: Gati 400 milionë për nëntë vjet - NACIONALE

Edhe 106 milionë euro për Specialen nga BE-ja për dy vitet e ardhshme: Gati 400 milionë për nëntë vjet

3 javë më parë

nga Besian Beha

106 milionë e 810 mijë euro është granti i radhës që Bashkimi Evropian ia ka ndarë Dhomave të Specializuara për dy vitet e ardhshme. Vendimi është marrë në qershorin e vitit 2023, dhe buxheti do të vlejë deri në qershor 2025. Nacionale sjell detaje.

Dhomat e Specializuara të Hagës kishin buxhet të përcaktuar nga Bashkimi Evropian deri në qershorin e vitit 2023. Kjo bëri që Bashkimi Evropian pak para se të skadonte subvencionimi, të ndante milionat e radhës për Gjykatën e Kosovës, me seli në Hagë.

Në vendimin të cilin Nacionale e ka parë që është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, bëhet e ditur se për dy vitet e ardhshme, BE-ja ia ka ndarë Speciales 106 milionë e 810 mijë euro.

Këto 106 milionë do të vlejnë për periudhën kohore prej qershorit 2023, deri në qershor 2025. Kjo shumë është ndarë vetëm për shpenzimet e Gjykatës Speciale, kurse për shpenzimet e EULEX-it në Kosovë janë ndarë 58 milionë e 500 mijë euro.

“Shuma e referencës financiare e destinuar për të mbuluar shpenzimet e EULEX-it në Kosovë nga 15 qershori 2023 deri më 14 qershor 2025 do të jetë 165 milionë e 310 mijë euro. Nga kjo shumë, shuma e destinuar për mbulimin e shpenzimeve të EULE-it në Kosovë për zbatimin e mandatit të tij në Kosovë do të jetë 58 milionë e 500 mijë euro dhe shuma e destinuar për të mbuluar mbështetjen për procedurat gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar do të jetë 106 milionë e 810 mijë euro. Komisioni do të nënshkruajë një marrëveshje granti me një regjistrues (Regjistruesi i Dhomave të Specializuara) që vepron në emër të një regjistri përgjegjës për administrimi i procedimeve gjyqësore të zhvendosura për shumën 106 milionë e 810 mijë euro”, thuhet në njoftimin që u publikua në gazetën zyrtare të Speciales.

Se subvencionimet realizohen nëpërmjet Komisionit Evropian dhe Administratores, u theksua edhe në raportin e punës të Gjykatës Speciale për vitin 2022. Aty u bë e ditur se fondet e Speciales janë në fuqi deri në qershor 2023. Për periudhën qershor 2021-qershor 2023, BE-ja kishte ndarë mbi 103 milionë euro për Specialen.

“Gjatë vitit 2022, Dhoma e Specializuar administroi fondet e akorduara nga BE-ja në përputhje me Marrëveshjen e Pestë për Subvencionim, që u nënshkrua nga Administratorja në emër të DHSK-së dhe ZPS-së dhe nga Komisioni Evropian (Marrëveshja e Subvencionimit), për periudhën dyvjeçare 15 qershor 2021 - 14 qershor 2023 në shumën prej 103.279.698 euro”, thuhet në raportin e punës së Speciales, raporton Nacionale.

Gati 400 milionë euro për 9 vjet

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vetëm për 9 vjet nga Bashkimi Evropian kanë pasur rreth 400 milionë euro fonde që janë ndarë.

Nacionale kohë më parë kishte publikuar një artikull që tregonte se Specialja për 7 vjet nga BE-ja kishte përfituar 275 milionë euro. Nëse i shtohet edhe granti i fundit mbi 106 milionësh, atëherë shuma totale e kalon 380 milionëshin.

Kjo është vetëm një nga mënyrat e financimit të Speciales, të cilat gjithashtu përfitojnë edhe nga shtetet e treta kontribuese si Norvegjia, Zvicra, Amerika e shtete të tjera.

2016 – 2017: Shtetet anëtare të BE-së e kanë përkrahur Gjykatën Speciale me buxhet prej 29 milionë e 100 mijë euro.

2017 – 2018: Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar buxhet për Specialen në vlerë 41 milionë e 314 mijë euro.

2018 – 2020: Për këto dy vjet, Bashkimi Evropian ka ndarë buxhet për Dhomat e Specializuara në vlerë 86 milionë e 250 mijë euro.

2021 – 2023: Për këto dy vite BE-ja ka ndarë 110 milionë e 279 mijë euro.

2023 – 2025: Nga qershori 2023 deri në qershor 2025 mbi 106 milionë euro.

Pagesat e avokatëve

Kjo sasi fondesh për Specialen, është e ndryshme me mënyrën e financimit të avokatëve për personat e akuzuar në Hagë.

Përveç fondeve vetanake, avokatët kompensohen edhe me një fond nga Ministria e Drejtësisë.

Me ndryshimin e udhëzimit administrativ, për një të akuzuar për krime lufte në fazën e gjykimit, MD-ja mund të kompensojë deri në 110 mijë euro në muaj. Nëse marrim shembull katërshen e krerëve të UÇK-së, Salih Mustafën e Pjetër Shalën, atëherë për të gjashtë brenda vitit Kosova ka ndarë gati 8 milionë euro.

Me nga 1 mijë euro në muaj kompensohen avokatët e të akuzuarve për pengim të drejtësisë. Duke ditur se në Hagë po gjykohen katër persona për pengim të drejtësisë, atëherë shuma brenda vitit shkon në 50 mijë euro. Pra, 10 milionë euro brenda vitit nuk kalohet në asnjë rrethanë, për buxhetin që ndahet nga Ministria e Drejtësisë.

Kurse, fondet për Dhomat e Specializuara viteve të fundit, brenda 365 ditëve, vetëm nga BE-ja, del se kalojnë 50 milionëshin. Kjo pa llogaritur edhe fondet e tjera nga shtetet e treta.

Krahasimi me sistemin e drejtësisë në Kosovë

Një krahasim tjetër është edhe ai me institucionet e drejtësisë në Kosovë, më saktë për Këshillin Gjyqësor e Prokurorial të Kosovës.

Buxheti për vitin 2023 i Këshillit Gjyqësor të Kosovës kishte qenë 35 milionë euro, kurse për Këshillin Prokurorial të Kosovës mbi 15 milionë. Kjo ishte bërë e ditur në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Në total, del se brenda vitit, dy institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë buxhet rreh 50 milionë. Pra, pak më të ulët se Dhomat e Specializuara të Kosovës, nëse i krahasojmë vetëm me buxhetin që ka ndarë Bashkimi Evropian për Specialen.

Lajme të ngjashme