Mesazhet e deputetëve të VV-së që dëshmojnë kurdisjen e konkurseve: Si u punësua në Ibër-Lepenc asamblisti nga Malisheva
Shpallja e një konkursi për Shef të Shërbimit për Burime Njerëzore në Ibër-Lepenc, kishte mobilizuar figura të larta të Vetëvendosjes për ta rehatuar një militant e asamblist të tyre. Angazhimi kulmoi ditën e sotme kur asamblisti i pushtetit doli më i vlerësuari për t’u punësuar në ndërmarrjen e Faruk Mujkës.
Fjala është për Veton Zogajn, që është asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Malishevës. Për ta siguruar këtë pozitë udhëheqëse në ndërmarrjen ku kryeshef është Faruk Mujka, Zogaj dërgoi intervenimet e para qysh në fillimin e muajit prill.
Kjo dëshmohet në disa biseda të cilat Nacionale i ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës. Gazeta ka siguruar edhe vlerësimet e komisionit për këtë pozitë, pasi ato ende nuk janë bërë publike në faqen zyrtare.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës që u zhvillua më 4 prill, deputeti Gani Krasniqi mori një mesazh në rrjetin social “Whats App” nga kolegu i tij i partisë, Veton Zogaj. Megjithatë, diskutimi nuk ishte rreth partisë, por rreth konkursit të shpallur nga ndërmarrja Ibër-Lepenci.
Veton Zogaj përveç asamblist i VV-së, gjithashtu ka lidhje familjarë edhe me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi. Zogaj e ka për bashkëshorte, motrën e deputetit Rrustemi.
Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.
“Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi, të cilin e ka siguruar Nacionale.
Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.
“Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.
Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.
“Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.
“Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.
Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë.
Automatikisht, ndërmarrja shpalli vendimin se Veton Zogaj është kandidati më i poentuar. Megjithatë, ky vendim ende nuk është bërë publik në faqen zyrtare.
Nacionale këto mesazhe i ka të siguruara që nga 4 prilli, megjithatë për shkak që të pritet deri në vendimin përfundimtar të ndërmarrjes, ato nuk janë bërë publike.
Sipas burimeve të Nacionales, edhe anëtarët e Komisionit kanë qenë të afërt me VV-në, në ndërmarrjen që kryesohet nga Faruk Mujka gjithashtu i VV-së.
U.D drejtoresha e burimeve njerëzore në këtë ndërmarrje është Adelina Rama, e cila në asnjë moment në rrjete sociale nuk e fsheh simpatinë për kryeministrin. Madje, me fjalë të mëdha.
Një tjetër anëtar ka gjithashtu mbiemrin Zogaj sikur kandidati fitues.
Çfarë thanë Zogaj e deputeti Krasniqi?
Nacionale ka kontaktuar me të gjithë personat e përfshirë në këtë hulumtim.
Asamblisti i VV-së, Veton Zogaj, tashmë i përzgjedhur për t’u punësuar në Ibër-Lepenc, ka mohuar t’i ketë shkruar deputetit Krasniqi për këtë punësim. Pavarësisht se atij iu bë me dije se gazeta posedon fotografitë, ai bëri akuza për shpifje.
“Nuk është e vërtetë kjo. Asnjë burim nuk është i vërtetë. Për ato për konkursin në ndërmarrje që po flet mundesh me shku me këqyr krejt procedurat qysh ka shku, me marrë informacione të sakta. Jo, nuk i kam shkruar. Nëse ki foto, publikoj, çfarë komunikimi kam unë me të? Ai është deputet, unë jam prej Malishevës, është koordinator i qendrës, unë jam sekretar. Unë jam asamblist, kam komunikim të rregullt”, tha në fillim Zogaj.
“Nuk është e vërtetë zotëri, janë shpifje të juaja, shko lype konkursin në ndërmarrje publike në fjalë, pyete komisionin. Le të dalin fotografitë, s’ka çka me dalë përveç konkursit në mënyrë të rregullt. Jam në mbledhje edhe a ka mundësi mos mem shqetësu me kësi far temash që i shpikni ju, edhe absolutisht nuk është kurrgjë e vërtetë, është shpifje që bëni ju si medium jo veç këtë rast po edhe 100 raste tjera. Unë kam punuar në media, po nuk bëj qysh bëni ju. Nëse ki foto publiko fakte”, deklaroi më tutje asamblisti i VV-së, Zogaj.
“Për korrektësinë shko në ndërmarrje në fjalë përcilli krejt procedurat merre komisionin vlerësimin, nëse del një shkronjë që ka shkelje unë dha përgjegjësi”, përfundoi përgjigjen e tij Zogaj.
Për këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar me deputetin e Vetëvendosjes, Gani Krasniqi. Ky i fundit ka thënë se i mbështetë personat profesionist. Ai e ka pranuar se nëse dy ekspertë janë të barabartë, atëherë ai i përkrahë njerëzit që iu beson.
“Krejt jetën time në veprimtarinë publike, politike, kombëtare, institucionale, prej kryetarit të komunës edhe përpara. Unë kurrë, edhe iu them kurrë nuk kam shikuar e nuk shikoj as sot, në rend të parë vjen profesionalizmi. Në mesin e profesionalistëve të barabartë, duhet një, dy, natyrisht që me profesionalist dhe me njerëz të besueshëm me projektin tim përpara, projektin qeveritar, projektin tim në çdo agjencion që ka të bëjë me ekspertët. Në mesin e ekspertëve të barabartë, me marrë ekspertin që edhe i besoj”, tha Krasniqi për Nacionalen.
“Çka ka politike aty? Dëgjo, po. Pozicionin e merr si profesionalist, vetëm si profesionalist. Nuk kom fol, dëgjo. I kom thanë ti konkurron se është njeri profesionalist, futu në test, ti kur futesh në test, testohesh, nëse ti ke pikë, ne do të thirremi në të drejtën atëherë interesom, dhe jam për me çu të drejtën përpara. Pahiri nuk është, por është me hiri”, deklaroi deputeti më tutje.
Deputeti e ka mohuar se e ka thirrur Faruk Mujkën që të intervenojë për këtë rast.
“Nuk është e vërtetë që e kam dërguar unë. Ky është spekulim. Unë i kam premtuar: ti konkurro, ti je profesionalist, në mesin e profesionalistëve, unë kam mu angazhu. Nëse dëshmohesh që je profesionalist i barabartë, unë kam me u interesu, këtë nuk e fshehi kurrë”, tha deputeti Krasniqi.
“O ti shoq, dëgjo, unë po them këtë çka po them, e çka unë flas. Unë po ta them me vetëdije se është asamblist, me vetëdije i kam thanë konkurro, hyn provim, hyn teste, ko me u interesu. Kurrë nuk e kam fsheh as nuk e fshehi profesionalizmin në rend të parë. Kur vjen në pyetje profesionalizmi”, përfundoi ai.
Nacionale ka dërguar pyetje dhe ka kontaktuar edhe me kryeshefin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet.
Përgjigje nuk ka kthyer as ndërmarrja Ibër-Lepenci.