Pse kryetarja e Speciales e refuzoi kërkesën e Thaçit për përjashtimin e gjyqtarit Gillou?
Gjykata Speciale me seli në Hagë, ditë më parë refuzoi kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për ta përjashtuar gjyqtarin Nicolas Guillou. Kjo pasi i njëjti ishte përzgjedhur gjyqtar edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Pra, gjyqtari me dy vende të punës, do ta vazhdojë angazhimin edhe në Speciale të paktën deri në muajt e verës.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vendimin e saj ka bërë të ditur se kërkesa e Thaçit është e paqëndrueshme. Sipas saj, angazhimi i përkohshëm i gjyqtarit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, nuk ndikon në paanshmërinë e gjyqtarit.
“Ekziston një prezumim i fortë i paanshmërisë që i bashkëngjitet një gjyqtari, i cili nuk mund të kundërshtohet lehtësisht. Është detyrë që pala që pretendon njëanshmëri për të paraqitur prova të besueshme dhe të mjaftueshme për të hedhur poshtë këtë supozim, sepse asnjë gjyqtar nuk mund të përjashtohet në bazë të pretendimeve të përgjithshme ose abstrakte që nuk janë as të vërtetuara dhe as të detajuara”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.
Njëra prej arsyeve pse nuk u përjashtua ky gjyqtar, është sepse ai nuk do të angazhohet me shërbim të plotë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare deri më 19 gusht 2024.
“Siç u përmend më lart, gjyqtari Guillou është emëruar si gjyqtar i GJNP-së dhe do të thirret në selinë e gjykatës vetëm me shërbim me kohë të plotë që nga data 19 gusht 2024. Me fjalë të tjera, çdo argument i z. Thaçi në lidhje me gjyqtarin Guillou dhe ndikimi i mundshëm që ka emërimi i tij si gjyqtar i GJNP-së në efikasitetin e procedurave përpara KSC-së janë të parakohshme”, thuhet në vendim.
“Kështu, sugjerimet e z. Thaçi në lidhje me aktivitetet profesionale që gjyqtari Guillou mund ose nuk mund t'i duhet të ndërmarrë si gjyqtar i GJNP-së para marrjes së detyrës në gusht 2024 dhe aftësisë së tij për të ushtruar funksionet e tij si gjyqtar i vetëm para KSK-së janë spekulative në natyrës. Z. Thaçi nuk ka paraqitur asnjë argument se puna e gjyqtarit Guillou si gjyqtar i vetëm është ndikuar ose se procedurat në të cilat ai është caktuar në këtë cilësi janë ngadalësuar si rezultat i emërimit të tij si gjyqtar i GJNP-së në mars 2024”, thuhet më tutje.
Sipas kryetares së Speciales, nuk është ofruar asnjë argument i qëndrueshëm që gjyqtari francez të largohet.
Çfarë ndodhi?
Nacionale ka raportuar për punësimin e gjyqtarit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, dhe kërkesën e mbrojtjes së Thaçit.
Gjyqtari i procedurave paraprake në Gjykatën Speciale të Hagës, Nicollas Guillou, më 14 dhjetor të vitit të kaluar u përzgjodh për gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Më 13 mars të këtij viti, gjyqtari francez nisi edhe zyrtarisht punën në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai po e vazhdon angazhimin edhe në Gjykatën Speciale të Hagës. Specialja në një përgjigje për Nacionalen ka deklaruar se ata asnjëherë nuk kanë njoftuar se Guillou do të largohet.
“Ju lutemi vini re se Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë njoftuar largimin e gjyqtarit Guillou. Aktualisht gjyqtari Guillou është ende gjyqtar në Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen.
Por, në ditën kur Specialja njoftoi se ky gjyqtar është përzgjedhur në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kryetarja e Speciales kishte thënë se largimi i tij do të jetë humbje e madhe.
“Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje”, thuhej në komunikatë.
Ajo që Nacionale ka konfirmuar është se Guillou edhe zyrtarisht ka nisur punën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë institucion Guillou do të angazhohet me kohë të plotë nga gushti 2024.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në përgjigjen për Nacionalen ka theksuar se gjyqtarët e kësaj gjykate duhet të shërbejnë me kohë të plotë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
“Është bërë e ditur në njoftimin tonë për shtyp të 13 marsit se gjyqtari Guillou do të fillonte shërbimin me kohë të plotë në ICC në mes të gushtit 2024. Po, gjyqtarët kur thirren për të shërbyer janë me kohë të plotë në GJNP”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.
Tashmë, bazuar në komunikatën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjyqtari francez është caktuar në disa raste në kuadër të këtij institucioni.
Ai do të trajtojë rastin Abd-Al-Rahman për situatën në Darfur, Sudan si gjyqtar alternativ, do të jetë në rastin gjyqësor në çështjet Katanga, Lubanda dhe Ntaganda në Kongo, rastin Al Mahdi në Mali si dhe çështjen Ondwen në Ugandë.
Për gjyqtarin e Speciales që po i mban dy vende të punës, kishte reaguar ekipi mbrojtës i Thaçit.
Ankesa e Thaçit
Në një parashtresë të mbrojtjes së Hashim Thaçit të cilën e ka parë Nacionale, avokatët kërkojnë që gjyqtari të përjashtohet nga rasti i krerëv të UÇK-së, ku e kishte udhëhequr rastin në procedurën paraprake.
“Është e domosdoshme që çdo sistem gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur të jetë i pagabueshëm për çdo çështje të këtij lloji. Pavarësia e gjyqtarëve të KSK-së duhet të jetë përtej qortimit. Rolet e njëkohshme të gjyqtarit Guillou si gjyqtar i GJNP-së dhe gjyqtar i KSC-së, i ka hapur derën këtyre lloj shqetësimeve mbi pavarësinë dhe integritetin e procedurës aktuale. Mbi këtë bazë, Mbrojtja kërkon përjashtimin e gjyqtarit Guillou”, thuhet në këtë parashtresë, raporton Nacionale.
Kërkesa e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq, është dërguar më 14 mars. Aty specifikohet se gjyqtari Gillou pavarësisht betimit si gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, po e vazhdon shërbimin edhe në Dhomat e Specializuara të Hagës. Sipas mbrojtjes, me këtë fakt, cenohet gjyqësori i pavarur.
“Është e qartë se drejtësia dhe shteti i së drejtës fillojnë me një gjyqësor të pavarur. Parimi i pavarësisë së gjyqësorit, i kodifikuar në konventat e të drejtave të njeriut, konsiderohet nga Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut si “një e drejtë absolute që mund të vuajë. Nuk ka përjashtime.”7 Për këtë arsye, në DHK, gjyqtarëve të specializuar kërkohet që, në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore, të jenë të pavarur nga çdo autoritet dhe ndikim”, thuhet në fillim të kërkesës.