Afera ‘kokaina’ në Leposaviq: Hetimet vazhdojnë! - NACIONALE

Afera ‘kokaina’ në Leposaviq: Hetimet vazhdojnë!

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Kur janë bërë saktësisht tre muaj që nga raportimi i Nacionales për konsumimin e kokainës në hapësirat e komunës së Leposaviqit, rasti është ende nën hetime.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Mitrovicë në një përgjigje për Nacionalen.

“Ju njoftoj se rasti është në hetime”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Nacionalen.

Pavarësisht interesimit të Nacionales, nuk është bërë e ditur në cilën fazë janë hetimet apo nëse janë intervistuar personat e përfshirë në këtë aferë.

Në fundin e muajit janar të këtij viti, Nacionale kishte publikuar disa video me radhë për drogën e cila konsumohej brenda komunës së Leposaviqit.

Aty ishte e përfshirë edhe nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, disa punëtorë të tjerë të komunës së Leposaviqit dhe një polic.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e kishte shkarkuar nga pozita nënkryetaren e komunës pas raportimit të Nacionales.

“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhej në vendim e nënshkruar nga kryetari Hetemi.

Ishin larguar nga puna edhe zyrtarët e tjerë administrativë dhe ata të sigurimit që ishin të përfshirë në këtë aferë.

Kurse, Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e policit që shihej teksa konsumonte drogë.

“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge'”, thuhej në komunikatën për shtyp të lëshuar nga IPK-ja të mërkurën në mbrëmje mbi rastin në fjalë.

Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, ky institucion kishte rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.

Kurse, bëhej e ditur se IPK-ja do të vazhdojë të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave mbi konsumimin e drogës brenda komunës.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës në atë kohë kishte dalur me reagim, duke treguar për nisjen e hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti”, thuhej në njoftim.

Këto pamje kishin shkaktuar reagime të shumta në Kosovë.

Lajme të ngjashme