Drejtori i diskriminuar në Ministrinë e Drejtësisë, dorëzon kallëzim penal ndaj gati krejt kabinetit të Albulena Haxhiut
U kërkua auditim i brendshëm vetëm ndaj tij. Këtë e tha edhe Këshilli i Pavarur Mbikqyrës. Madje, u gjet se me këtë veprim, Ministria e Drejtësisë e ka diskriminuar udhëheqësin për Divizione të Lira. E për këtë shkak, Elbasan Dervishaj ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, e madje edhe gati krejt kabinetit të saj.
Nacionale ka mesuar se i apostrofuari tashmë e ka bërë dorëzimin e kallëzimit penal për kabinetin e ministres.
Dervishaj ka kallëzuar penalisht pranë prokurorisë, këta persona: ministren Albulena Haxhiu; Blerim Sallahun, - zv/ministër; Lulzim Beqirin – Sekretar; Genc Nimonin - Shef i kabinetit; Berita Abazi - Asistente e Ministres; Imer Shevelli - Auditor i Brendshëm dhe Gjynejt Bikliqi -Asistent Ekzekutiv.
Derivshaj po i akuzon këta persona për cenim të të drejtave në punë e keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pasi ishte evidentuar diskriminimi nga Këshilli Civil, Dervishaj ishte dërguar në Komision Disiplinor për një postim në Facebook. Nacionale kishte raportuar për rastin ekskluzivisht.

Çka ndodhi me Dervishajn, vëllain e 3 dëshmorëve?
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil kishte gjetur se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tejkaluar kompetencat e veta. Kjo, pasi Sallahu ka kërkuar nga Auditimi i Brendshëm ta auditojë vetëm një Udhëheqës të një Divizioni. Fjala është për Dervishajn, udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira.
Vërejtjen si masë disiplinore që ia kishin shqiptuar Elbasan Dervishajt në Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Civil e ka rrëzuar si vendim. Kjo pasi ka gjetur shkelje në dispozita të ndryshme ligjore, duke atakuar direkt zv/ministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahun.
Elbasan Dervishaj për vite të tëra është punonjës në këtë ministri Që nga viti 2014 ai udhëheq me Divizionin për Funksione të Lira. Dervishaj është bërë e ditur se ka tre vëllezër dëshmorë të cilët ranë në luftën e fundit: Mentor, Menderes e Menhend Dervishaj, nga fshati Zabllaq i komunës së Istogut.
Blerim Sallahu, kishte urdhëruar Drejtorin e Auditimit të Brendshëm, që ta monitorojë vijueshmërinë e Elbasan Dervishajt në punë. Krejt kjo sipas burimeve të Nacionales, ka ndodhur për shkak të bindjeve politike që ka Derivshaj, i cili nga Sallahu vlerësohet si përkrahës i pushteteve të kaluara.
Kërkesa e Sallahut drejtuar Drejtorit të Njësisë së Brendshme të Auditimit kishte ndodhur më 31 maj 2022.
Drejtori i Auditimit, një ditë pas kishte dorëzuar një raport. Por, as kjo nuk mjaftoi. Çuditërisht, pak orë pasi e dorëzoi raportin e parë, drejtori i Auditimit e bëri edhe një raport shtesë.
Raporti i parë ishte dorëzuar rreth orës 11:00 të datës 1 qershor, ku ishte evidentuar se Elbasan Dervishaj nuk ishte evidentuar vetëm dy herë në punë gjatë tre muajve. Megjithatë, raporti shtesë i Auditorit arriti pas orës 15:00 të po së njëjtës ditë. Aty u tha se Derivshaj kishte munguar edhe shumë herë të tjera. Pra, duke dalë në pah dallime të mëdha ndërmjet dy raporteve.
Ministrja Haxhiu e çoi në Komision Disiplinor
Elbasan Dervishaj, Udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë, pati betejë të brendshme me udhëheqësit e Ministrisë. Pasi Këshilli Shtetëror Civil gjeti se ai është diskriminuar nga zv/ministri Blerim Sallahu, ai tash është dërguar në Komision Disiplinor për shkak të një postimi në Facebook.

Pasi e fitoi një betejë ligjore me udhëheqësit e Ministrisë së Drejtësisë, Elbasan Dervishaj do ta ketë një tjetër. Udhëheqësi i Departamentit për Profesione të Lira në kuadër të MD-së, është dërguar në Komision Disiplinor. Kjo për shkak të një postimi në Facebook, ku ai kishte njoftuar se e ka fituar betejën me Ministrinë për shkak të një auditimi që ishte bërë vetëm ndaj tij. Aty ai kishte kritikuar paksa pushtetin e Vetëvendosjes, për veprimet ndaj tij.
Për këtë, kishte raportuar ekskluzivisht gazeta Nacionale gjatë javës së kaluar, duke ofruar edhe vendimin e Këshillit të Pavarur Civil. Pasi Këshilli vlerësoi se auditimi veç ndaj Dervishajt është diskriminues, ai tash do të ketë punë me Komisionin Disiplinor. Kjo pasi në rrjetet sociale, kishte thënë se pushteti i Vetëvendosjes ka tentuar ta diskreditojë.
E për këtë status në Facebook, Elbasan Dervishaj do të përballet me Komisionin Disiplinor. Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet brenda Ministrisë së Drejtësisë që Dervishaj është njoftuar se do të ballafaqohet me Komisionin.
Nacionale ka mësuar se sekretari i Ministrisë, Lulzim Beqiri, e ka iniciuar këtë procedurë, pas një kërkese të pranuar nga zyrtarë të lartë të kabinetit të ministres Albulena Haxhiu.
“Për shkak të një postimi në Facebook kanë vendosur me e dërgu në Komision Disiplinor. Seretari Lulzim Beqiri e ka iniciuar proceduën pas emailit të pranuar nga shefi i kabinetit të ministres”, ka thënë ky burim për Nacionalen.
Në Komision Disiplinor do të dalë edhe një zyrtar tjetër i Departamentit që e udhëheq Elbasan Dervishaj. Në mesin e arsyeve që Labinot Gashin e kanë çuar para Komisionit Ministria e Drejtësisë, është një postim përkrahës ndaj Dervishajt pas raportimit të Nacionales.

