Pas diskriminimit, Ministria e Drejtësisë e çon në Komision vëllain e tre dëshmorëve për një postim në Facebook - NACIONALE

Pas diskriminimit, Ministria e Drejtësisë e çon në Komision vëllain e tre dëshmorëve për një postim në Facebook

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Elbasan Dervishaj, Udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë, do ta vazhdojë betejën e brendshme me udhëheqësit e Ministrisë. Pasi Këshilli Shtetëror Civil gjeti se ai është diskriminuar nga zv/ministri Blerim Sallahu, ai tash është dërguar në Komision Disiplinor për shkak të një postimi në Facebook. Nacionale sjell detaje.

Pasi e fitoi një betejë ligjore me udhëheqësit e Ministrisë së Drejtësisë, Elbasan Dervishaj do ta ketë një tjetër. Udhëheqësi i Departamentit për Profesione të Lira në kuadër të MD-së, është dërguar në Komision Disiplinor. Kjo për shkak të një postimi në Facebook, ku ai kishte njoftuar se e ka fituar betejën me Ministrinë për shkak të një auditimi që ishte bërë vetëm ndaj tij. Aty ai kishte kritikuar paksa pushtetin e Vetëvendosjes, për veprimet ndaj tij.

Për këtë, kishte raportuar ekskluzivisht gazeta Nacionale gjatë javës së kaluar, duke ofruar edhe vendimin e Këshillit të Pavarur Civil. Pasi Këshilli vlerësoi se auditimi veç ndaj Dervishajt është diskriminues, ai tash do të ketë punë me Komisionin Disiplinor. Kjo pasi në rrjetet sociale, kishte thënë se pushteti i Vetëvendosjes ka tentuar ta diskreditojë.

“Pushteti i VV-së provoi të më diskreditojë, diskriminojë, provoi ta ndyjë figurën time, ndërsa mori atë që e meritonte, mori përgjigjen nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, po ashtu ka marrë përgjigje edhe nga organet tjera të drejtësisë. Ju mund të vazhdoni të më luftoni, por nuk jeni luftëtarë të denjë, sepse keni një histori familjare të PËRLYER”, thuhej në postimin e Dervishajt, teksa njoftonte se Këshilli Civil e kishte rrëzuar vërejtjen që ia shqiptoi Ministria e Drejtësisë.

E për këtë status në Facebook, Elbasan Dervishaj do të përballet me Komisionin Disiplinor. Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet brenda Ministrisë së Drejtësisë që Dervishaj është njoftuar se do të ballafaqohet me Komisionin.

Nacionale ka mësuar se sekretari i Ministrisë, Lulzim Beqiri, e ka iniciuar këtë procedurë, pas një kërkese të pranuar nga zyrtarë të lartë të kabinetit të ministres Albulena Haxhiu.

“Për shkak të një postimi në Facebook kanë vendosur me e dërgu në Komision Disiplinor. Seretari Lulzim Beqiri e ka iniciuar proceduën pas emailit të pranuar nga shefi i kabinetit të ministres”, ka thënë ky burim për Nacionalen.

Në Komision Disiplinor do të dalë edhe një zyrtar tjetër i Departamentit që e udhëheq Elbasan Dervishaj. Në mesin e arsyeve që Labinot Gashin e kanë çuar para Komisionit Ministria e Drejtësisë, është një postim përkrahës ndaj Dervishajt pas raportimit të Nacionales.

Për të gjitha këto, Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se procedura është hapur për shkak të shkeljeve profesionale dhe etike.

“Legjislacioni në fuqi për shërbyesit civilë, rregullon sjelljet dhe veprimet profesionale dhe etike të zyrtarëve, brenda dhe jashtë orarit të punës. Lidhur me rastin në fjalë, është hapur procedurë pikërisht për shkak të shkeljeve të pretenduara profesionale dhe etike, dhe Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë, është kompetent për ta trajtuar rastin e tillë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Nacionalen.

Si u diskriminua Elbasan Dervishaj?

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil ka gjetur se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tejkaluar kompetencat e veta. Kjo, pasi Sallahu ka kërkuar nga Auditimi i Brendshëm ta auditojë vetëm një Udhëheqës të një Divizioni. Fjala është për Elbasan Dervishajn, udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira. Gazeta Nacionale ka mësuar detaje ekskluzive.

Vërejtjen si masë disiplinore që ia kishin shqiptuar Elbasan Dervishajt në Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Civil e ka rrëzuar si vendim. Kjo pasi ka gjetur shkelje në dispozita të ndryshme ligjore, duke atakuar direkt zv/ministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Elbasan Dervishaj për vite të tëra është punonjës në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2014 ai udhëheq me Divizionin për Funksione të Lira. Dervishaj ka tre vëllezër dëshmorë të cilët ranë në luftën e fundit: Mentor, Menderes e Menhend Dervishaj, nga fshati Zabllaq i komunës së Istogut.

Nacionale ka mësuar se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte urdhëruar Drejtorin e Auditimit të Brendshëm, që ta monitorojë vijueshmërinë e Elbasan Dervishajt në punë. Krejt kjo, sipas burimeve të Nacionales, ka ndodhur për shkak të bindjeve politike që ka Derivshaj, i cili nga Sallahu vlerësohet si përkrahës i pushteteve të kaluara.

Sallahu më 31 maj 2022 kishte kërkuar nga Drejtori i Njësisë së Brendshme të Auditimit që t’ia verifikojë vijueshmërinë në punë udhëheqësit Elbasan Dervishaj.

Drejtori i Auditimit, një ditë pas kishte dorëzuar një raport. Por, që nuk mjaftoi. Çuditërisht, pak orë pasi e dorëzoi raportin e parë, drejtori i Auditimit e bëri edhe një raport shtesë.

Raporti i parë ishte dorëzuar rreth orës 11:00 të datës 1 qershor, ku ishte evidentuar se Elbasan Dervishaj nuk ishte evidentuar vetëm dy herë gjatë 3 muajve. Megjithatë, raporti shtesë i Auditorit arriti pas orës 15:00 të po së njëjtës ditë. Aty u tha se Derivshaj kishte munguar edhe shumë herë të tjera. Pra, duke dalë në pah dallime të mëdha ndërmjet dy raporteve.

Të gjitha këto pretendime, konstatohen edhe në vendimin e Këshillit Civil.

“Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm më datë 01.06.2022 ka dorëzuar raportin me shkrim te zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, duke njoftuar të njëjtin se ankuesi gjatë periudhës tremujore të auditimit e ka përdorë sistemin e vijueshmërisë në punë dhe se gjatë kësaj periudhe i njëjti ka qenë dy herë në pushim vjetor, dhe me rastet e mungesës në dy raste ka informuar zyrtaren e personelit dhe udhëheqësin e tij. Ndërsa në dy raste të tjera, nuk është evidentuar gjatë hyrjes në punë. Në të njëjtën ditë ka përcjellë edhe një shkresë tjetër ku thuhet: ‘në plotësim të shkresës ju informoj se tek raporti i prezencës në punë për muajt mars, prill dhe maj, zyrtari në fjalë ka edhe 9 hyrje, por për të cilat data nuk figuron edhe dalja, si dhe për dy raste të tjera figuron dalja, por jo klikimi në hyrje’”, thuhej në dy raportet që i kishte dorëzuar brenda ditës Auditori i Brendshëm tek zv/ministri i Drejtësisë.

Por, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil, ka evidentuar se zv/ministri i Drejtësisë nuk ka kompetencë të autorizojë auditim të tillë.

“Në kuptim të këtyre dispozitave ligjore konstatoi se udhëheqës i subjektit të sektorit publik në sistemin ministror është Ministri, kështu që bazuar në këtë konstatim si dhe duke iu referuar nenit 21 paragrafi 1 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Kolegji për shqyrtimin e ankesave vlerëson se kërkesa për auditim të veçantë nuk është në autoritetin e zv/ministrit. Këshilli konstaton se kërkesa e datës 31 maj 2022 për auditim të veçantë është bërë përmes tejkalimit të autorizimeve të përcaktuara nën nenin 11 të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive”, thuhet në vendimin e KPMSCK-së që e ka parë gazeta Nacionale.

Këshilli Civil ka evidentuar se kërkesa për auditim ndaj një udhëheqësi specifik, përmban elemente të diskriminimit.

Lajme të ngjashme