“Drejtësi, jo politikë”: Në mbështetje të krerëve të UÇK-së, më 17 shkurt protestohet në Prishtinë
Më 17 shkurt, përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë do të ketë protestë.
Kjo në mbështetje të krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.
Në kohën kur në Hagë pritet të jepen fjalët përfundimtare, protesta do të mbahet në kryeqytet nga platforma “Liria ka emër”.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se protesta do të jetë paqësore.
“Në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt nën udhëheqjen e shpallësit të saj Hashim Thaçi e paralajmëroj një protestë paqësore për drejtësi në Prishtinë sepse pikërisht tani ku pas më shumë e pesë vitesh procesi në Hagë ka hy në fazën përmbyllëse është momenti të ngritet zëri qytetarë në mbrojtje të çlirimtarëve dhe vetë parimit të drejtësisë. Prandaj këtu jemi për të njoftuar për këtë protestë dhe për të shpjeguar pse është bërë e domosdoshme”, tha Tasholli.
Tasholli ka nënvizuar faktet që një procesi të zvarritur dhe rrjedhjen ndër vitesh të dokumenteve nga Serbia.
“Procesi në Hagë është kriju për të sjellë drejtësi, por me kalimin e viteve në opinionin publik është krijuar perceptim i mjegull, proces i zvarritur, procedura të ndërlikuara, informacione kontradiktore, ndikim i diskursit politike dhe një ndjenjë se drejtësia po humb fokusin e saj juridik. Gjykata u krijua në rrethana të jashtëzakonshëm politike, vet origjina e saj ka prodhuar debat publik. Është kjo drejtësi e pastër, apo e ndikuar nga rrethanat politike? Kjo pyetje nuk është propagandë e as retorikë por është shqetësim real qytetarë. Qytetarët kanë pa ndër vitet rrjedhje dokumentesh që vijnë nga Serbia, ankesa për të drejtat e mbrojtjes, zvarritje të proceseve, mungesë komunikimit të qartë me opinionin publik dhe një diskurs ku politika shpesh fletë më shumë se ligji”, theksoi ai.
Ndërsa Eliza Hoxha ka qartësuar mesazhin e këtij marshi e proteste paqësore, e që është një gjykim i drejtë, e drejtësi pa preson e pa ndikim në prova.
“Është e rëndësishme me theksu që e as nuk marshojmë as nuk protestojmë kundër drejtësisë, thjesht ne protestojmë dhe kërkojmë drejtësi reale. Protestojmë sepse nuk duam standarde të dyfishta. Nuk duam procese të pafundme, nuk duam gjykime që duken të porositura, nuk duam drejtësi selektive. Ne kërkojmë verdikt juridik dhe jo politik. Kërkojmë vendime të bazuara në prova dhe jo në agjenda. Mesazhi ynë është i qartë sepse kërkojmë drejtësi pa presion, pa ndikim, pa skenar. Drejtësi për të gjithë. Kërkojmë që procesi në fund të mbyllet me vendim ligjor të respektojë parimin e gjykimit të drejtë dhe mos mbetet peng i politikës. Prandaj me 17 shkurt, ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni me marshim e protestë paqësore dhe dinjitoze me mesazhin tonë të qartë”, tha Hoxha.