Dita e të zhdukurve me dhunë: “Pak e hiç po bëhet”
Bekim Gashi nga fshati Tërnje i Suharekës është vetëm njëri nga familjarët e shumtë, të cilët presin që dy dekada një lajm për 1617 personat e zhdukur nga forcat ushtarake e paramilitare serbe. Gashi i cili në masakrën e këtij fshati humbi nënën dhe katër motrat, që nga paslufta po kërkon drejtësi për t’i gjetur trupat e më të dashurve të tij, madje midis Beogradit.
Ai në një rrëfim për Nacionalen tregoi për tmerrin që e pa me sytë e tij në momentet e fundit të jetës së nënës dhe motrave.
“Më 25 mars, ka qenë ora 06:00 e mëngjesit. Kam qenë në shtëpi bashkë me nënën dhe katër motrat. U rrethuam nga forcat serbe, e me insistimin e nënës jemi ndarë nëpër shtëpi të familjarëve pasi nuk kemi mujtë me u largu. Në shtëpinë ku kam qenë unë, të axha Bajram e kanë gjuajtë serbët një bombë. E në shtëpinë ku ishte nëna me katër motrat, i kanë nxjerrë në mes të oborrit edhe i kanë ekzekutu”, thotë Gashi.
Por ai sot, dhimbjen e ka edhe më të madhe se sa të momenteve kur i pa familjarët gjatë këtij tmerri, kjo pasi që trupat e tyre sot e asaj dite nuk janë gjetur.
“Në përvjetor si ky, të gjithë kanë vende me vendosë lule, unë që 23 vjet nuk kam asnjë informatë nga askush. E vështirë është”, tha Gashi.
“Pak po bëhet për t’i gjetur mbi 1600 personat e zhdukur”
Bajram Qerkini, i cili është përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve, deklaron se pak po bëhet për t’u zbardhur fati i personave të zhdukur.
Ai thotë se kjo temë nuk po lëviz aspak për të sjellë ndonjë lajm të ri.
“Që sa e sa kohë familjarët janë me vaj për personat e tyre ma të dashur, që me vite nuk dihet për fatin e tyne. Pak e hiç po bëhet që të zbardhet e vërteta rreth tyre”, ka thënë Qerkini.

Pas përfundimit të luftës në Kosovës, ku ishin rreth 7000 mijë persona të zhdukur me dhunë, ishin kryer disa gërmime në varrezat masive në Kosovë e Serbi, dhe një pjesë e tyre janë gjetur. Tashmë nga ky numër i pasluftës, janë mbi 1600 persona të pagjetur.
Por, shteti i Serbisë i ka ndërprerë gërmimet për mbetjet mortore të personave të zhdukur, në lokacionin e Shtavalit, afër Sijenicës.
Kjo kishte bërë që të reagojë edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës.
(Mos) Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për të pagjeturit
Pak para se të afrohej data e takimit në Bruksel më 18 gusht mes Kurti e Vuqiçit, mediat serbe raportonin se do të duhej të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
E për këtë ditë më parë në një konferencë për media kishte deklaruar kryeministri Kurti.
Kurti u deklarua se për temën e personave të zhdukur me dhunë, nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti dakordues.
“Te tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti i dakorduar. Pra për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajte por nuk ekziston nënshkrimi. Pa fajin tonë, është pala tjetër ajo e cila nuk ka pranuar. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkojë, sa për neve të enjten ishte nënshkruar kjo marrëveshje,”- ka thënë Kurti.
Gjatë kësaj dite ndërkombëtare të të pagjeturve, në vend do të mbahen homazhe nëpër vende të ndryshme.
Presidentja Osmani bashkë me kryeministrin Kurtin dhe ambasadorin amerikan, Jefrey Hovenier, kanë bërë homazhe tek përmendorja e të zhdukurve.
Nga ky vend i homazheve u kërkua që t’i bëhet presion Serbisë për marrëveshjen për të pagjeturit.


