Bien në pranga dy mjekë të Spitalit të Vushtrrisë për ryshfet, njëri i dënuar e tjetri i akuzuar edhe më herët për të njëjtën vepër penale - NACIONALE

Bien në pranga dy mjekë të Spitalit të Vushtrrisë për ryshfet, njëri i dënuar e tjetri i akuzuar edhe më herët për të njëjtën vepër penale

1 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Dy mjekë të Spitalit të Vushtrrisë, Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, kanë përfunduar në prangat e Policisë të mërkurën, nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Arrestimi i tyre u konfirmua nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e cila njoftoi se dy të arrestuarit dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët në këmbim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, raporton Gazeta Nacionale.

Sipas Prokurorisë, hetimet fillestare tregojnë se Ekrem Sefiu dyshohet të jetë i përfshirë në tri raste të marrjes së ryshfetit, ndërsa Valdet Rexhepi në pesë raste të tilla. Me urdhër të prokurorit, të dyve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të kërkohet caktimi i masës së sigurisë.

Megjithatë, përfshirja e dy mjekëve në hetime për korrupsion nuk është e re.

Gazeta Nacionale mëson se kirurgu Valdet Rexhepi ishte dënuar edhe më parë për marrje ryshfeti. Në vitin 2017, Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor për dy raste të ndara të marrjes së parave nga pacientë dhe familjarë të tyre, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.

Sipas aktakuzës së asaj kohe, Rexhepi, në cilësinë e kirurgut në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, kishte kërkuar dhe pranuar përfitime materiale për të kryer shërbime që hynin në kuadër të detyrës së tij zyrtare.

Në njërin rast, ai akuzohej se kishte marrë 150 euro për operimin e një pacienteje, ndërsa në rastin tjetër 100 euro për kryerjen e një shërbimi mjekësor ndaj një pacienteje tjetër.

I pandehuri V.R. është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, të datës 13.03.2017, atij i është shqiptuar dënim unik me gjobë në shumën prej 400 euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh. Dënimi me burgim i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 2,000 euro.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Edhe emri i Ekrem Sefiut ishte përmendur më herët në një rast të ngjashëm.

Sipas aktakuzës së ngritur në vitin 2022, ai dyshohej se kishte marrë 140 euro nga familjarët e një pacienteje, me arsyetimin se paratë do të shërbenin për blerjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme për operim.

Prokuroria kishte deklaruar se pretendimet mbështeteshin edhe nga video-incizime të siguruara gjatë hetimeve.

Lënda ndaj të pandehurit E.S. aktualisht vazhdon të jetë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda. Pas kthimit të saj në rivendosje nga Gjykata e Apelit e Kosovës, çështja ndodhet në fazën e kundërshtimit të provave.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për Gazetën Nacionale.

Tash, të dy mjekët janë sërish nën hetim për dyshime të reja për marrje ryshfeti, duke rikthyer në vëmendje akuzat e vazhdueshme për korrupsion në sistemin shëndetësor.

Lajme të ngjashme