Beteja pushtet vs opozitë për Institutin e Krimeve të Luftës, a ndikoi Gjykata Speciale? - NACIONALE

Beteja pushtet vs opozitë për Institutin e Krimeve të Luftës, a ndikoi Gjykata Speciale?

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

U miratua në Kuvend me 58 vota “për”, edhe pse u kundërshtua ashpër nga opozita, sidomos nga Partia Demokratike e Kosovës. Paraprakisht, në Komisionin për Legjislacion, u miratua nga të gjithë anëtarët, përfshirë opozitën.

Gazeta Nacionale kishte raportuar për çështjen e ndërrimit të datës përfundimtare të hetimit të krimeve të luftës edhe para se ky projektligj të ishte në duar të deputetëve. Instituti për Krime Lufte në Kosovë pritet të hetojë e dokumentojë krime të cilat janë kryer gjatë luftës.

Ndonëse lufta, sipas raporteve ndërkombëtare, ka përfunduar në qershor të vitit 1999, ky institut do ta shtrijë hetimin për ngjarjet që kanë ndodhur deri më 31 dhjetor të vitit 2000, pra për më shumë se një vit e gjysmë përtej përfundimit të luftës. Këtë periudhë e heton edhe Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Abelard Tahiri vs Albin Kurti

Në lidhje me ndryshimin e kësaj date, përveç zhurmës që u shkaktua në Kuvend, dolën edhe dy shpjegime të kundërta më njëra-tjetrën.

Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, pretendon se data u zgjerua deri më 31 dhjetor të vitit 2000 për t’ia përshtatur Ligjit për Gjykatën Speciale.

S’e di ku e ki krejt këtë siklet që e ke propozu një ligj të tillë. Luftë në Kosovë pas 20 qershorit 99 nuk ka pasë. Kriminelët që kanë kry krime në cilëndo datë, duhet me dalë para drejtësisë, qofshin që kanë vra shqiptarë, qofshin që kanë vra serbë, por krime lufte pas kësaj date nuk ka, se luftë nuk ka pasë. Me përcaktu si datë 31 dhjetorin e vitit 2000 për hulumtim të krimeve të luftës, është marre e madhe për ty, kryeministër”, tha Tahiri në Kuvend.

A qëndron pretendimi i Tahirit?

Nuk dihen arsyet subjektive që e kanë shtyrë Qeverinë drejt zgjerimi të kohës për hetimin e krimeve të luftës edhe atëherë kur s’kishte luftë në Kosovë, por ajo që dihet është se një datë e tillë hyn në juridiksionin kohor të Dhomave të Specializuara.

Neni 7 i Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili e mban titullin “Juridiksioni Kohor”, thotë:

“Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000”, pra data e njëjtë me atë të Institutit për Krime Lufte.

Arysetimi i Kurtit ishte se Ligji për të zhdukurit e mban po të njëjtën datë.

Bëhet fjalë për një ish-ministër të Drejtësisë, i cili këtu ka qenë në anën e amnestimit të kriminelëve në veri, e para është kjo. E dyta, ne themi që instituti është i obliguar të merret me ato që kanë ndodhur edhe para luftës e që shpien te lufta, e mund të merret me krimet e pasluftës, sepse në Ligjin për të Zhdukurit, e kemi deri më 31 dhjetor të vitit 2000. Prandaj ne nuk dëshirojmë të biem në konflikt me atë ligj."

A qëndron pretendimi i Kurtit?

Formalisht, edhe pretendimi i kryeministrit Kurti qëndron. Pra Ligji për Persona të Zhdukur, i miratuar në Kuvendin e Kosovës vite më parë, si datë të fundit të fushëveprimit të vet e ka 31 dhjetorin e vitit 2000.

“Ky ligj ka për qëllim t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre, në veçanti të drejtën e familjarëve për ta ditur fatin e personave të zhdukur, të cilët u zhdukën gjatë periudhës 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000 si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-1999”, thuhet në ligj.

Cila ishte përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje e çka thotë profesori Ismet Salihu?

Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje për gazetën Nacionale, ndryshimin e datës e ka arsyetuar duke thënë se ka qenë adresim i partnerëve ndërkombëtarë si dhe i shoqërisë civile.

“Zgjatja e fushëveprimit të institutit deri në fund të vitit 2000 është bërë pas adresimit të komenteve nga organizatat e përfaqësuesve të viktimave të krimeve të luftës, shoqëria civile, institucionet si dhe partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi kryesor është dokumentimi dhe hulumtimi sa më i saktë i humbjeve dhe dëmeve të shkaktuara si pasojë e luftës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Profesori i të drejtës penale dhe ish-drejtori i institutit, Ismet Salihu, ka thënë se është gabim zgjerimi i kohës me të cilën do të merret ky institut.

“Është gabim. Unë kam bërë vërejtje në atë drejtim. Ne si njohës të fushës e kemi paraparë se ky institut duhet ta ketë kontencën e hulumtimit të krimeve të luftës deri më 12 qershor 1999. Domethënë, deri në kohën kur ka përfunduar lufta, atëherë kur kanë zbarkuar trupat ndërkombëtare në Kosovë. Nuk e di pse e kanë leju me u shtu këtu kohën”, ka thënë Salihu për gazetën Nacionale.

Rrjedha e cila e pasoi zgjerimin e kohës

Instituti për Krime Lufte, i cili në fakt ishte themeluar kohë më parë, do të shuhej nga Qeveria Haradinaj.

Ndonëse edhe atëbotë u proklamua me pompozitet, ky institut nuk arriti ta përmbushte asnjëherë misionin e tij, për çka edhe u shua.

Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë, kishte shpjeguar kudo që e kishte rastin se kur një ditë të ishte në pushtet, do ta themelonte “për së mbari” këtë institut kaq të rëndësishëm.

Shpjegimet e thirrjet opozitare VV-ja filloi t’i konkretizonte, sa i përket këtij instituti, atëherë kur vendosi të shkruajë një projektligj i cili, veç të tjerash, do t’i përcaktonte qëllimin e fushëveprimtarinë e këtij instituti.

Pikërisht “fushëveprimi”, konkretisht neni 2 i këtij projektligji, po i ndan fort pushtetin e opozitën.

Kur doli për konsultime publike, ky projektligj, në nenin 2 të tij, ku fliste për fushëveprimin e ligjit, thoshte: “Ky ligj zbatohet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.” Këtu edhe përfundonte neni 2, pa asnjë paragraf tjetër.

Kurse tash, në projektligjin e miratuar në lexim të parë, neni 2 është plotësuar edhe me dy paragrafë të tjerë: i pari, i cili e zgjeron kohën e hetimit dhe dokumentimit, pra deri në fund të vitit 2000, dhe tjetri, paksa i çuditshëm, i cili “fton” të mos paragjykohet paragrafi paraprak.

Dispozitat e këtij ligji zbatohen në qëllim hulumtimi dhe dokumentimi nga par.1 i këtij neni, mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, jo më vonë se me datën 31 dhjetor 2000. Pa paragjykuar paragrafin paraprak, Instituti do dokumentojë dhe hulumtojë edhe krimet e veprimet tjera që kanë shpier te lufta në Kosovë, në qëllim të paraqitjes së plotë të fakteve që ndërlidhen drejtpërdrejt me luftën”, thuhet në Projektligj.

Mbetet e paqartë se përse në fillim parashihej 20 qershori si datë e fundit e fushëveprimit të këtij ligji, kurse më vonë u ndryshua për më shumë se 1 vit e gjysmë: 31 dhjetor 2000.

Përderisa Kurti thotë se kjo u bë për shkak të përshtatjes me Ligjin për Persona të Zhdukur, Tahiri i PDK-së e akuzon Qeverinë se një gjë e tillë u bë për t’u përshtatur me Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ministria e Drejtësisë thotë se koha u shtua pas rekomandimeve të shoqërisë civile e partnerëve ndërkombëtarë. Duket se kjo çështje duhet ta ketë vëmendjen e publikut.

Lajme të ngjashme