Opozita e paqartë: E përkrahu në Komision, por s’e kuptojnë pse Instituti për Krime Lufte e zgjeroi kohën e hetimit
Zgjerimi i kohës për mbledhjen e fakteve nga Instituti për Krime të Luftës, që pritet të formohet me ligj nga Qeveria Kurti, e ka habitur edhe opozitën. Pavarësisht kësaj, ata i kanë dhënë përkrahje në Komisionin për Legjislacion, edhe pse thonë që ndryshimi në kohë deri në një vit e gjysmë pas përfundimit të luftës, është i paqartë.
Instituti që ekzistoi deri në vitin 2018 e i cili u shua gjatë Qeverisë Haradinaj, u themelua sërish. Sidoqoftë, tash, Qeveria Kurti II, Institutin për Krime të Luftës e bëri për herë të parë me ligj të veçantë. Ai fillimisht u votua në qeveri, e më pas edhe në Komisionin për Legjislacion. Në komision, ky projektligj u përkrah edhe nga partitë opozitare.

Kjo ndodhi pavarësisht nga fakti se vetë partitë në opozitë nuk kanë kuptuar pse, për dallim nga drafti i parë, Instituti për Krime Lufte do të merret me periudhën deri më 31 dhjetor 2000, kohë të cilën e ka në trajtim edhe Gjykata Speciale.
Me draftin e parë, instituti parashihej të merrej deri më 20 qershor 1999, kurse më pas periudha u ndryshua.
Anëtari i Komisionit për Legjislacion, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, i ka thënë Nacionales se ka mbetur e paqartë se pse koha e hetimit është zgjeruar nga qershori i vitit 1999 në dhjetorin e vitit 2000. Megjithatë, ai ka theksuar se ka marrë premtime nga ministrja Haxhiu që kjo temë do të adresohet.
“E kemi parë problemin me nenin 2, sa i përket fushëveprimtarisë së këtij instituti, e kam adresuar unë së bashku me kolegët në komision. Ministrja është munduar të japë disa sqarime, por për mua ka mbetur e paqartë që një Institut për Krime Lufte të dokumentojë krime që kanë ndodhur pas qershorit 1999”, tha ai.
“Ne kemi marrë premtim nga ministrja që do të ketë sqarime shtesë, sa i përket kësaj pike, atëherë kur ligji të jetë në fazën e leximeve. Në mes dy leximeve, ne do ta adresojmë sërish këtë pikë. Tash, ligji është në duar të deputetëve dhe ne do ta japim kontributin tonë aty. Do të kërkojmë sqarime për këtë pike”, ka thënë Beqa.

Deputeti tjetër i opozitës, gjithashtu anëtar i këtij komisioni, Driton Selmanaj nga radhët e LDK-së, gjithashtu thotë se ka marrë përgjigje të paqartë dhe të pamjaftueshme prej ministres Haxhiu në lidhje me këtë pikë.
“E kam vërejtur dhe e kam ngritur në Komision këtë pikë. Ministrja m’u përgjigj që ka pasur krime edhe pas kësaj periudhe. M’u duk sqarim jo i qartë dhe i pamjaftueshëm. Paragrafi e thotë për krimet të cilat lidhen me luftën, por për ne kjo pikë mbetet ende e paqartë”, ka thënë Selmanaj për Nacionalen.

Nuk dihet nëse partitë opozitare do të arrijnë ta shtyjnë këtë pikë deri në ndryshim e të rikthehet si datë 12 qershori, atëherë kur edhe përfundoi lufta në Kosovë.
Kujtojmë se edhe ish-profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, i cili e kishte drejtuar Institutin e themeluar në vitin 2011, ishte mjaft kritik për zgjerimin e kohës së hetimeve të këtyre krimeve.
Profesori Salihu ka thënë se secili krim i kryer pas datës 12 qershor në Kosovë duhet të trajtohet si krim ordiner dhe jo si krim lufte, përndryshe kemi shtrembërim të historisë dhe pasaktësi profesionale.
Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje për Gazetën Nacionale, këtë ndryshim e ka arsyetuar, duke thënë se ka qenë adresim i partnerëve ndërkombëtarë si dhe i shoqërisë civile.
"Zgjatja e fushëveprimit të Institutit deri në fund të vitit 2000 është bërë pas adresimit të komenteve nga organizatat e përfaqësuesve të viktimave të krimeve të luftës, shoqëria civile, institucionet si dhe partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi kryesor është dokumentimi dhe hulumtimi sa më i saktë i humbjeve dhe dëmeve të shkaktuara si pasojë e luftës", thuhet në përgjigje.
Ndryshimi që s’u vërejt
Kur doli për konsultime publike, Ligji për Institutin e Krimeve të Luftës, në nenin 2 të tij, ku fliste për fushëveprimin e ligjit, thoshte: “Ky ligj zbatohet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.” Këtu edhe përfundonte neni 2, pa asnjë paragraf tjetër.
Kurse tash, në uebfaqen e Kuvendit, aty ku mund ta gjeni projektligjin, nëse e hapni, e shihni se neni 2 është plotësuar edhe me dy paragrafë të tjerë: i pari, i cili e zgjeron kohën e hetimit dhe dokumentimit, pra deri në fund të vitit 2000, dhe tjetri, paksa i çuditshëm, i cili “fton” të mos paragjykohet paragrafi paraprak.
“Dispozitat e këtij ligji zbatohen në qëllim hulumtimi dhe dokumentimi nga par.1 i këtij neni, mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, jo më vonë se me datën 31 dhjetor 2000. Pa paragjykuar paragrafin paraprak, Instituti do dokumentojë dhe hulumtojë edhe krimet e veprimet tjera që kanë shpënë te lufta në Kosovë, në qëllim të paraqitjes së plotë të fakteve që ndërlidhen drejtpërdrejt me luftën”, thuhet në projektligjin përfundimtar.
Herë themelohej e herë shuhej
Nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës synon të themelojë një institut që do të merret me dokumentimin e krimeve të luftës së viteve 1998-1999.
Ishte viti 2011, kur ministri i Drejtësisë në qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, me anë të një vendimi qeveritar kishte themeluar një institut për mbledhjen e fakteve mbi krimet e luftës.
Instituti ishte aktiv deri në vitin 2018 duke botuar disa libra, përfshirë kujtimet e rrëfimet e personave të pagjetur e raporte mbi shkatërrimin e pasurisë materiale të shqiptarëve.
Salihu, ish-profesor në Fakultetin Juridik, kujton kohën kur ishte udhëheqës i institutit të themeluar në kohën e Thaçit.
“Vitin e parë nuk kemi pasur fare zyrë. Kemi bërë punë të madhe, por nuk ka pasur mbështetje aq sa duhet. Në vend që të rritet stafit dhe të përmirësohen kushtet, instituti është mbyllur”, kujtoi Salihu.
Instituti u mbyll gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Salihu tash është më optimist për mundësinë e suksesit të institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë.
“Ky institut do të dallojë nga parapraku për shkak se do t’i ketë zyrat, objektin dhe buxhetin, dhe do të ketë dyfish më tepër staf. Do të jenë të paktën 15 veta, prej të cilëve 5-6 doktorë shkence, 5-6 me master dhe pesë që do të punojnë në terren”, sqaroi Salihu.
Pjesë e nismës së Qeverisë Kurti për themelimin e institutit janë edhe institucionet e tjera publike, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqëria civile, njohës të së drejtës penale, KMLDNJ-ja e të tjerë individë që kanë punuar në dokumentimin e krimeve serbe.