A përbëjnë krime lufte vrasjet e civilëve në Ukrainë? - NACIONALE

A përbëjnë krime lufte vrasjet e civilëve në Ukrainë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Krimet e luftës janë shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare në një konflikt të armatosur. Sipas të gjitha llogarive të bëra, së fundmi në rrugët e Bucha-s, civilët janë vënë në shënjestër. Megjithatë, ka zona ligjore “gri”.

Konventat e Hagës të viteve 1899 dhe 1907, një grup traktatesh shumëpalëshe, vendosën ligje dhe rregulla që palët ndërluftuese duhet t'u përmbahen.

Përkufizimi i krimit të luftës kundër civilëve u përfshi në nenin 8 të Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe bazohet në Konventat e Gjenevës të vitit 1949.

Ndërsa politikanët dhe vëzhguesit po thonë se në Ukrainë po kryhen krime të luftës Maria Varaki një pedagoge në fushën ndërkombëtare si dhe bashkëdrejtoreshë në Grupin e Kërkimit të Krimeve të Luftës, në King’s College në Londër, ka thënë për Deutche Welle se, "përderisa provat të jenë plotësisht të vërtetuara, të kontrolluara dhe të konfirmuara, për momentin mund të flitet vetëm për krime të supozuara lufte."

Avokatët i’u referohen krimeve të luftës si shkelje të rënda të Konventave të Gjenevës. "Po flasim për vrasjen me dashje të civilëve, për torturën, për zhvendosjen e detyruar, për sulmet pa dallim. Sepse një nga parimet themelore të ligjeve të luftës është që civilët të mos jenë në shënjestër," tha Varaki.

Në këtë kuptim, sulmet ndaj shkollave dhe materniteteve në Kiev ose sulmi ndaj një teatri në Mariupol kualifikohen si shkelje të atyre ligjeve.

"Dhe në 48 orët e fundit, ne i kemi parë këta njerëz me rroba civile në rrugë [në Bucha] dhe disa prej tyre ishin ekzekutuar me një plumb në pjesën e pasme të kokës. Pra, këto janë mizori sipas ligjit ndërkombëtar humanitar,” tha ajo.

Zonat ligjore “gri”

Ashtu si me shumicën e aspekteve të luftës, brenda përkufizimit të asaj që përbën një krim lufte ka zona gri. Për këtë qëllim, e drejta ndërkombëtare humanitare udhëhiqet nga tre parime - dallimi, proporcionaliteti dhe masa paraprake - që përcaktojnë se palët në një konflikt nuk mund të synojnë civilët ose objektet civile.

Ndërsa në letër këto parime duken të jenë pa mëdyshje të qarta, ato janë të hapura për interpretim, për shembull, nëse një objekt civil konsiderohet të jetë një objektiv ushtarak bazuar në përdorimin, qëllimin dhe funksionin e tij.

"Mund t'ju jap një shembull të një qendre tregtare që u bombardua. Ukrainasit thanë se kjo ishte qartësisht një infrastrukturë civile. Dhe rusët thanë se kishin informacione që po përdorej si një vend depozitimi për qëllime ushtarake," tha Varaki.

Ndërsa ka rregulla për të kufizuar vuajtjet njerëzore, ato parime shpesh abuzohen dhe manipulohen.

“Gjithçka bazohet në interpretim dhe në gjykimin njerëzor: kur duhet të synoni, çfarë duhet të synoni dhe në çfarë mase”, tha Varaki.

Shkeljet e ligjeve të luftës nga forcat ruse janë dokumentuar në disa zona të Ukrainës.

Përdhunimi dhe sulmi seksual

Përdhunimi dhe sulmet seksuale konsiderohen krime lufte dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo ishte e parashikuar në nenin 27 të Konventës së Gjenevës të vitit 1949. Gjykatat ad hoc dhe Statuti i Romës i GJNP-së, përcaktuan një listë të detajuar të krimeve të lidhura me gjininë.

Një rezolutë e OKB-së e vitit 2008 (1820) ripohoi se përdhunimi mund të jetë një krim lufte dhe një armë lufte.

Si prokurori i përgjithshëm i Ukrainës ashtu edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare kanë thënë se do të hapin hetime për dhunën e raportuar seksuale.

"Çështja është se sa lehtë do të dokumentohej kjo. Ne po flasim për viktima jashtëzakonisht të cenueshme. Kuptimi im është se rusët u përpoqën të mbulonin disa nga ato krime duke djegur viktimat e dhunës seksuale," tha Varaki.

Pavarësisht tentativave për fshehje të krimeve, ajo pret që gjithnjë e më shumë incidente të dalin në dritë dhe të hetohen.

Gjenocidi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e gjenocidit. Ai i referohet përpjekjes së qëllimshme për të shkatërruar një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Megjithatë, përsëri jemi në ujëra të errëta ligjore. Gjenocidi, teknikisht një krim kundër njerëzimit, mund të ndodhë edhe në kohë paqeje, jo vetëm në një situatë lufte ose konflikti.

“Në aspektin ligjor, është shumë e vështirë të provosh krimin e gjenocidit. Duhet vërtetuar se ata duan të shfarosin një grup të caktuar njerëzish sipas krimit të gjenocidit që kemi në Statutin e Romës, por edhe në Konventën e Gjenocidit”, tha Varaki.

Ajo thekson se është e rëndësishme të vlerësohet fjala gjenocid edhe për nga rëndësia e saj semiotike. "Ka vlerë të veçantë emocionale. Kur politikanët e përmendin si fjalë, ata shkaktojnë një reagim të veçantë emocional."

"Pra, politikanët e përdorin fjalën gjenocid për qëllime të tjera. Por duke folur ligjërisht, është shumë, shumë e vështirë të provohet krimi i gjenocidit."

Lajme të ngjashme