Avokati i i Maria Bamieh: Është shqetësues urdhër-arresti nga Gjykata e Prishtinës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest ndaj ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh. Kjo pasi sipas gjykatës, Bamieh nuk është paraqitur për intervistim dhe po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Megjithatë, të gjitha këto pretendime po i kundërshton ashpër avokati i Maria Bamieh, Toby Cadman.
Cadman në një deklaratë për media të cilën ia ka përcjellur gazetës Nacionale, ka theksuar se deri më tash nuk kanë asnjë konfirmim për urdhër-arrestin. Sipas tij, nuk duhet tentantivë për ta cenuar lirinë e fjalës. Kjo pasi hetimet nisën, pas një konference për media që Bamieh e mbajti në Prishtinë, ku prezantoi pretendimet e saj për korrupsion brenda EULEX-it.
“Duket se në Urdhër thuhet se znj. Bamieh refuzoi të intervistohej nga Prokurori dhe se znj. Bamieh është në arrati. Ky është një keqinterpretim i madh. Gjatë gjithë kohës zonja Bamieh ka treguar se ishte e gatshme të bashkëpunonte me çdo hetim që po vazhdonte. Prokurores iu drejtuan pyetje të arsyeshme duke kërkuar detaje për natyrën dhe shkakun e pretendimeve dhe detaje nëse i ishte hequr imuniteti, pasi nuk ishte hequr. Këto ishin kërkesa të arsyeshme që janë të zakonshme në hetimet penale. Prokurori nuk iu përgjigj asnjërës prej kërkesave të bëra. Prokurori nuk u përfshi në diskutime për përcaktimin e parametrave të ndonjë interviste. Prokurori nuk e informoi znj. Bamieh, ose përfaqësuesin e saj ligjor, se ajo kishte ndërmend të aplikonte për një urdhër. Më tej, prokurori vendosi që të mos bëjë asnjë kërkesë përmes Ndihmës së Ndërsjellë Juridike siç mund të pritej para se të kërkohet lëshimi i urdhrit të arrestit. Këto çështje shkaktojnë shqetësim të vërtetë”, thuhet në reagimin e avokatit të ish-prokurores Maria Bamieh.
Toby Cadman, ka kërkuar nga institucionet gjyqësore në Kosovë që të mos tentojnë cenimin e lirisë së shprehjes.
“Në këtë fazë ende nuk ka pasur një komunikim zyrtar nga autoritetet prokuroriale apo gjyqësore në Kosovë. Ne kemi kërkuar të angazhohemi me organet e prokurorisë për këtë çështje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, por për të qenë shumë i qartë nuk ka pasur asnjë komunikim me Prokurorin që nga korrespondenca jonë e fundit më 1 gusht 2022 dhe për këtë arsye është lëshimi i urdhër-arrestit është joproporcional. Duhet të kihet parasysh se zonja Bamieh ka statusin e sinjalizueses dhe se çdo përpjekje për të ngritur akuza penale për bërjen e informacioneve në interes të publikut është një përpjekje cinike për të cenuar lirinë e fjalës dhe nuk duhet toleruar. Akuzat me të cilat ajo përballet tani do të kundërshtohen rigorozisht me të gjitha mjetet e duhura dhe ligjore”, thuhet në reagimin e avokatit britanik që ia ka përcjellur Nacionales.
Avokati Cadman ka pretenduar se pavarësisht disa kërkesave që i ka përcjellur në adresën e Prokurorisë, ai asnjëherë nuk ka marrë përgjigje që nga data 1 gusht.
“Më 19 korrik 2022, i shkrova sërish Prokurorit duke deklaruar se data e intervistës do të duhej të riplanifikohej dhe do të më duhej të jepja një njoftim paraprak përpara intervistës. Më 20 korrik 2022, prokurorja u përgjigj duke deklaruar se zyra e saj kishte marrë konfirmimin nga Oda e Avokatëve të Kosovës, dhe për këtë arsye unë nuk kam të drejtë të veproj në procedurë penale. Prokurori më tej konfirmoi se znj. Bamieh do të caktohej avokate ex officio nëse nuk zgjidhte një avokat të sajin”, thuhet në komunikatë.
“Më 21 dhe 22 korrik 2022, i shkrova Prokurorit duke iu përgjigjur komunikimit të saj dhe duke kërkuar detaje në lidhje me heqjen e imunitetit të znj. Bamieh, duke kërkuar detaje të avokatit ex officio që do të caktohej dhe paraprakisht zbulimin e pretendimeve. I dhashë detajet e mia të kontaktit dhe ftova prokurorin të më kontaktonte për të diskutuar më tej këtë çështje. Nuk është marrë asnjë përgjigje”
“Më 1 gusht 2022, i shkrova sërish Prokurorit duke e informuar se nuk kisha marrë asnjë përgjigje për kërkesat e mia të mëparshme. Nuk është marrë asnjë përgjigje. Më 13 shtator 2022, përmes raportimeve në media u njoftova se Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar një urdhër arresti për znj. Bamieh. Mund të konfirmoj se as unë dhe as znj. Bamieh nuk kemi marrë ndonjë komunikim zyrtar nga Prokuroria apo Gjykata Themelore përveç asaj që kemi lexuar në mediat e Kosovës”, thuhet më tutje.
Çfarë ndodhi me Maria Bamieh?
Javë më parë Maria Bamieh erdhi në Kosovë. Kjo pas një marrëveshje me institucionet në Britani, ku ajo përfitoi dëmshpërblimin prej gati gjysmë milioni euro. Kjo pasi si sinjalizuese, Bamieh ishte përjashtuar nga EULEX-i. Këta të fundit, Bamieh i kishte vlerësuar si mision ku ka korrupsion e afera të ndryshme.
Në një konferencë për media, Bamieh kishte folur për të gjitha pretendimet e saj.
“Kam qenë prokurore në këtë mision, kam fituar mbi 90% të rasteve. Detyra ime ka qenë të ndjek profilet e larta”, kishte thënë fillimisht Bamieh, duke u lëshuar në rastin konkret të ish sekretarit në ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj.
“Pata parë në medie se gjyqtari italian Franceso Flori ishte i involvuar në korrupsion, por i injorova fillimisht këto zëra. Meqenëse z.Tolaj gjendej në burg, ishte e habitshme se si kishte arritur të siguronte telefon brenda. Unë me të kuptuar këtë, kërkova nga gjykata të më lejohej përgjimi i telefonit të Ilir Tolajt. E përgjova atë. Në bisedat që Tolaj zhvillonte nga brenda, unë e kuptova se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësuesit e tij.”, tha ajo.

Tutje Bamieh, shpjegon detaje të këtij rasti, ku sipas saj, shfaqej lidhja politike në mes Tolajt e gjyqtarëve të EULEX-it.
“Ata po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast. Unë dëgjova në përgjime se ata ishin takuar në ‘Villa Gërmia’ me gjyqtarin Francesso Flori dhe prokuroren Jaroslava Novotna dhe unë iu shkova këtyre përgjimeve në detaje. Të gjitha ishin të rëndësishme.”, është shprehur ai.
Prokurorja ka hedhur dyshime të forta të përfshirjes së misionit të EULEX-it edhe me figura të rëndësishme politike në vend.
“Kishte një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës, z.Tolajt e njerëzve brenda misionit të EULEX. Ata në përgjime i referoheshin një personi të fuqishëm në politikë me emrin ‘personi nga Kaltrina”, ka shpjeguar Maria Bamieh.
Pas kësaj konference, Bamieh ishte ftuar për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku.

