Bamieh tregoi për rastet e korrupsionit në EULEX, prokuroria e fton në intervistim - NACIONALE

Bamieh tregoi për rastet e korrupsionit në EULEX, prokuroria e fton në intervistim

4 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ka treguar për rastet e dyshimta të korrupsionit që kishte sinjalizuar në misionin më të madh të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Në një konferencë për medie në Prishtinë, ajo ka treguar se si gjyqtari i këtij misioni Gjyqtari Francesco Florit takohej me ndërmjetësuesit e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt, i cili ishte në burg si i dyshuar për korrupsion.

Gjithashtu Bamieh aty tregoi se si kishte sinjalizuar korrupsionin në Eulex, e se si politizoheshin rastet e mëdha që ky mision kishte në mandat për t’i ndjekur e zbuluar.

Pas një përpjekje të gjatë brenda misionit të EULEX, për të zbardhur disa raste kriminale, përfundimisht u përjashtua nga ky mision nën akuzat se kishte shpërndarë informacione sekrete të misionit, duke ia dhënë ato një gazete vendore.

Prokurorja që gjatë betejave me EULEX-in nuk u përkrahë as nga departamentet e qeverisë britanike, i paditi këta të fundit në shtetin e saj, duke e fituar gjyqin.

Bamieh bëri marrëveshje me drejtësinë britanike duke përfituar dëmshpërblim mbi 400 mijë euro.

Ani pse ish prokurorja erdhi sot në Prishtinë për ta treguar storjen e saj të suksesit, ajo menjëherë pas konferencës e pranoi një ftesë nga Policia e Kosovës, ku iu bë e ditur se është e ftuar në prokurori për t’u intervistuar si e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare” shkroi Bamieh menjëherë pas konferencës.

Çka tha Maria Bamieh para gazetarëve?

“Drejtësia gjendet në zemrat e njerëzve” ishin fjalët e para që i tha në Prishtinë, ish prokurorja, duke aluduar në betejën e saj të fituar me EULEX-in e me institucionet britanike.

Tutje, Bamieh shpjegoi rolin e saj në misionin e EULEX-it si dhe dha detaje nga një rast konkret.

“Kam qenë prokurore në këtë mision, kam fituar mbi 90% të rasteve. Detyra ime ka qenë të ndjek profilet e larta”, ka thënë fillimisht Bamieh, duke u lëshuar në rastin konkret të ish sekretarit në ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

“Pata parë në medie se gjyqtari italian Franceso Flori ishte i involvuar në korrupsion, por i injorova fillimisht këto zëra. Meqenëse z.Tolaj gjendej në burg, ishte e habitshme se si kishte arritur të siguronte telefon brenda. Unë me të kuptuar këtë, kërkova nga gjykata të më lejohej përgjimi i telefonit të Ilir Tolajt. E përgjova atë. Në bisedat që Tolaj zhvillonte nga brenda, unë e kuptova se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësuesit e tij.”, tha ajo.

Tutje Bamieh, shpjegon detaje të këtij rasti, ku sipas saj, shfaqej lidhja politike në mes Tolajt e gjyqtarëve të EULEX-it.

“Ata po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast. Unë dëgjova në përgjime se ata ishin takuar në ‘Villa Gërmia’ me gjyqtarin Francesso Flori dhe prokuroren Jaroslava Novotna dhe unë iu shkova këtyre përgjimeve në detaje. Të gjitha ishin të rëndësishme.”, është shprehur ai.

Prokurorja ka hedhur dyshime të forta të përfshirjes së misionit të EULEX-it edhe me figura të rëndësishme politike në vend.

“Kishte një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës, z.Tolajt e njerëzve brenda misionit të EULEX. Ata në përgjime i referoheshin një personi të fuqishëm në politikë me emrin ‘personi nga Kaltrina”, ka shpjeguar Maria Bamieh.

Ajo ka vënë një epitet misionit të EULEX-it, duke e quajtur atë “Mision fasadë”.

Gjithashtu, ajo tregoi se i ka dërguar letër ministrisë së drejtësisë së Kosovës, për të bërë një raportim të detajuar për misionin e EULEX-it, në Kuvendin e Kosovës, por që nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Më shumë për historinë e Maria Bamieh

Maria Bamieh, është ish-prokurore e shkarkuar pasi kishte sinjalizuar për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë, pra EULEX.

Ajo do të paguhet më shumë se 400 mijë funta nga Britania e Madhe si dëmshpërblim, raporton The Guardian.

Maria Bamieh ka pretenduar viteve të fundit se Zyra e Jashtme për Zhvillim (FCDO), një departament i qeverisë britanike dështoi të ofrojë mbështetje për të pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.
Në vend të kësaj, ajo thotë se zyrtarët qeveritarë i thanë asaj që të injoronte provat e dukshme të marrëveshjes së fshehtë në misionin e BE-së për sundimin e ligjit, të quajtur EULEX.

Rasti i saj pritej të shqyrtohej në gjykatë në maj dhe qershor të këtij viti, por palët u dakorduan për dëmshpërblim prej rreth 423,000 funta britanik.

Këtë marrëveshje Bamieh e bëri pak para fillimit të seancës së parë, që pritej të mbahej në maj.

FCDO tha se vazhdon të mohonte me forcë pretendimet e Bamieh.

Maria Bamieh kishte akuzuar misionin e EULEX-it për largim të padrejtë nga puna pasi bëri akuza për korrupsion kundër prokurorëve dhe gjykatëseve ndërkombëtarë që shërbenin në Kosovë.

Bamieh pretendonte se kishte qenë në njohuri se si një gjyqtar i EULEX-it kishte pranuar rreth 300 mijë euro në kompensim për të liruar nga akuzat një ish-zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas largimit nga ky mision, Bamieh ka vazhduar betejën e saj ligjore kundër EULEX-it në Britaninë e Madhe.

Ende nuk dihet nëse ish prokurorja do të arrijë ta fitoj edhe një tjetër betejë ligjore, atë me drejtësinë vendore në Kosovë, nga ku po akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare e shpërndau informacione sekrete, te një medie në vendin tonë.

Lajme të ngjashme