A ka verifikim nga AKI-ja gruaja e frizerit të Haxhiut, që u emërua në divizionin e rëndësishëm të Ministrisë? - NACIONALE

A ka verifikim nga AKI-ja gruaja e frizerit të Haxhiut, që u emërua në divizionin e rëndësishëm të Ministrisë?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Brikena Kelmendi-Gashi është zyrtarja më e re në Divizionin për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Kelmendi-Gashi në këtë pozitë u emërua me vendim nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo është bashkëshortja e frizerit të Haxhiut e Kurtit, Armend Gashi.

Megjithatë, për të punuar në Divizionin që merret me të akuzuarit potencial nga Gjykata Speciale zyrtarët duhet të kenë verifikim nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Kjo pasi ata merren edhe me dokumente konfidenciale.

Bashkëshortja e frizerit të Albulena Haxhiut duket se deri më tani nuk është pajisur me këtë verifikim nga AKI-ja. Këtë e ka lënë të nënkuptohet Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për gazetën Nacionale. Megjithatë, MD-ja është zotuar se zyrtarët që ende nuk kanë verifikim nga Inteligjenca, nuk do të lejohen të punojnë me dokumenta konfidenciale.

“Jemi në proces të verifikimit për dy zyrtarë të Divizionit. Deri në paisjen me certifikatë të sigurisë, zyrtarët nuk mund të kenë qasje në të dhëna konfidenciale”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Nacionalen.

Kjo nuk është hera e parë që në Divizionin për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, punojnë zyrtarë pa verifikim nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Nacionale muaj më parë kishte raportuar për dy zyrtarë që punonin në këtë divizion pa verifikim nga AKI-ja për muaj me radhë.

Vendimi për emërimin e Brikena Kelmendi-Gashit në këtë divizion ishte marrë më 16 janar të këtij viti. Ajo do të punojë në këtë funksion deri më datë 10 janar 2024.

Brikena Kelmendi-Gashi është bashkëshortja e Armend Gashit. Ky i fundit është frizer i njohur dhe pronar i sallonit “Vogue Hair”. Gashi kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje vite më parë, përderisa vazhdimisht janë publikuar fotografi teksa ai ua rregullon flokët kryeministrit Kurti, ministres Haxhiu e zyrtarëve të tjerë të lartë të Vetëvendosjes.

Dokumentet konfidenciale dhe verifikimi

Ministrija e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me të ardhur në krye të këtij dikasteri i kishte kthyer dokumentet e këtij divizioni nga sekrete në konfidenciale. Megjithatë, sipas ligjeve në fuqi edhe puna me dokumente konfidenciale kërkon verifikim nga institucionet e sigurisë.

Qasja në informacione të tilla sikur puna e këtij divizioni të Ministrisë së Drejtësisë, është e rregulluar specifikisht me Ligjin për Klasifikimin e Informaiconeve dhe Verifikimin e Sigurisë. Ky ligj e parasheh qartë se një zyrtar për të pasur punë me dokumente konfidenciale, sekrete, ose top-sekrete, duhet t’i plotësojë disa kritere: të ketë leje të vlefshme për sigurinë, të ketë nevojë për të qenë në dijeni të këtyre informacioneve dhe ta ketë nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit.

Ligji e specifikon se autoriteti që verifikon zyrtarët që ballafaqohen me dokumente të tilla të klasifikuara, është Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Sipas ligjit, AKI-ja e themelon një departament të veçantë i cili merret ekskluzivisht për të verifikuar këta zytarë. Në ligj, tregohen procedurat për pajisjen me leje të verifikimit.

“Autoriteti Verifikues ia lëshon lejen mbi sigurinë vetëm atij personi, i cili pas kryerjes të një procedure të verifikimit të sigurisë në pajtim me këtë ligj është përcaktuar si rrezik i pranueshëm për sigurinë. Leja e sigurisë tregon qartë nivelin e informacionit të klasifikuar, në të cilën personi që e ka kaluar procedurën e verifikimit të sigurisë mund të ketë qasje. Leje e sigurisë për një nivel të caktuar të klasifikimit i jep bartësit qasje edhe në informacionet me nivel më të ulët të klasifikimit. Çdo institucion publik i bindet vendimit të Autoritetit Verifikues dhe nuk i jep qasje në informacione të klasifikuara një personi të cilit i është refuzuar leja e sigurisë”, thuhet qartazi në Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

Ata që merren me dokumente të klasifikuara duhet të mbushin një pyetësor ku parashihen: të dhënat personale, arsimimi, çrregullimet mendore apo emocionale, përdorimi i drogës ose alkoolit, të dhënat për veprat penale, masat disiplinore, etj.

Edhe nëse dokumentet janë kthyer nga sekrete në konfidenciale, siç mëton Ministria e Drejtësisë, ky ligj e thotë se sërish zyrtarët duhet t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit. Madje, procedurat në këtë rast mbyllen për tre muaj.

“Procedura e thjeshtë e verifikimit të sigurisë zbatohet ndaj personave të cilët duhet të kenë qasje në informacionet e klasifikuara si “KONFIDENCIALE”. Autoriteti verifikues verifikon nëse informacionet e dhëna në pyetësorin e sigurisë janë të plota dhe të sakta. Për këtë qëllim, autoriteti verifikues inspekton regjistrat e statusit civil, dosjet mbi veprat penale dhe çfarëdo regjistri apo bazë të të dhënave tjera zyrtare kombëtare apo ndërkombëtare. Procedura e thjeshtë e verifikimit të sigurisë përfundon brenda tre (3) muajve nga dita e fillimit të kësaj procedure”, thuhet në nenin 30 të këtij ligji.

Një verifikim tejet më i detajizuar, parashihet në dokumentet që janë të klasifikuara si sekrete, që në ligj quhet si procedura e zgjatur e verifikimit të sigurisë.

Divizioni për Gjykatën Speciale

Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është formuar në vitin 2018.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të cilat rrjedhin nga Rregullore QRK 12/2018) janë:

1.1. koordinon dhe përkujdeset për realizimin e udhëtimeve për vizitë të anëtarëve të ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara (në tekstin e mëtejmë: anëtarëve të ngushtë të familjes);

1.2. vendos për kërkesën e palës për kompensimin e udhëtimit për vizitë të anëtarëve të ngushtë të familjes;

1.3. përkujdeset për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe rezervimin e hotelit sipas kërkesës së anëtarëve të ngushtë të familjes;

1.4. proceson lëndët për pagesë sipas kërkesave të parashtruara;

1.5. menaxhon kontratën për ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara;

1.6. mban regjistrin e personave të akuzuar dhe listën e anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre si dhe ruan dhe trajton këto të dhëna sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;

1.7. menaxhon procesin e kompensimit të personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Lajme të ngjashme