Sa është buxheti i shtetit këtë vit për ndihmën ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë?
Kosova vazhdon të ndajë mjete financiare për ndihmën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale në Hagë. Sipas ligjeve në fuqi, përveç ndihmës juridike, Kosova ofron buxhet edhe për vizitat e familjarëve në Qendrën e Paraburgimit.
Për këto çështje, në vitin 2023 janë të ndara 7 milionë euro. Kështu ka konfirmuar Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për gazetën Nacionale.
“Me Ligjin e buxhetit NR.08/L-066 për vitin 2023, MJMFPAP ka ndarje buxhetore në vlerë prej 7,000,000.00€”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, nëse këto nuk mjaftojnë, Ministria synon të kërkojë edhe mbi 3 milionë e gjysmë shtesë.
“Ky buxhet ende nuk është i shpenzuar ndërsa sa i përket mjeteve shtesë të nevojshme deri ne fund të vitit janë 3,931,200.00€ të cilat do të kërkohen me kërkesat buxhetore sipas afateve të percaktuara nga MFPT”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Nacionalen.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditë më parë ka bërë të ditur se në periudhën tetor 2020 – dhjetor 2022, janë shpenzuar 16 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Me qëllim të ofrimit të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me shpenzimin e parasë publike, deri tani për periudhën tetor 2020 – dhjetor 2022 nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar rreth 16 milionë euro për mbrojtjen dhe shpenzimet e vizitave të familjarëve të ish-ushtarëve të UÇK-së”, thuhej në postimin e Haxhiut.
Haxhiu ka thënë se si Ministri e Drejtësisë mbeten të përkushtuar në zbatimin e përgjegjësive ligjore.
Cilat shpenzime?
Krerët e UÇK-së në Hagë tash e më shumë se 2 vjet po përballen me drejtësinë e Gjykatës Speciale. Kosova në anën tjetër, në bazë të ligjit, ofron ndihmën për të gjithë personat e akuzuar.
Pjesa më e madhe e fondeve të Ministrisë së Drejtësisë janë të shpenzuara për avokatët mbrojtës, të cilët paguhen me një pjesë të parave nga buxheti i Kosovës. Kjo vlen për seanca, parashtrime, hartim të strategjisë mbrojtëse dhe detaje të tjera juridike.
Megjithatë, përveç mbrojtjes, Kosova ofron ndihmë edhe për familjarët të cilët udhëtojnë drejt Hagës për vizita, duke kompensuar udhëtimin, fjetjen e detaje të tjera.
Këto shpenzime janë të rregulluara me Udhëzimin Administrativ për Përkrahjen e të Akuzuarve në Hagë. Nga Ministria e Drejtësisë, kanë bërë të ditur se ata e zbatojnë me përpikëri këtë udhëzim.
Sipas këtij udhëzimi, familjarëve të të akuzuarve u kompensohen shpenzime për tri ditë, ku përfshihet edhe dita e udhëtimit dhe ajo e kthimit. Këtu paguhen biletat e udhëtimit, ushqimi dhe fjetja.
“Biletën e aeroplanit, në lartësi të biletës së udhëtimit të klasit ekonomik, kur realizohet udhëtimi me aeroplan; 1.2. biletën e autobusit në lartësi të biletës së udhëtimit të klasit ekonomik, kur realizohet udhëtimi me autobus; 1.3. biletën e trenit në lartësi të biletës së udhëtimit të klasit ekonomik, kur realizohet udhëtimi me tren; 1.4. shpenzimet e taksive për relacionin nga aeroporti deri në hotel dhe anasjelltas si dhe nga hoteli deri në vendin ku mbahet personi i akuzuar potencial apo ku zhvillohet gjykimi dhe anasjelltas”, thuhet në udhëzim.
“Shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit përfshijnë: Shpenzimet për fjetje në hotel në shumën prej tetëdhjetë (80) Euro për një natë. Shpenzimet për ushqim, në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro për një ditë”, thuhet tutje.
“Shpenzimet administrative të ndërlidhura me udhëtimin përfshijnë: 1.1. Pagesën për vizë që ndërlidhet me udhëtimin; 1.2. Pagesën për sigurim shëndetësor që ndërlidhet me udhëtimin”, theksohet në udhëzim administrativ.


