6 përvjetore të pavarësisë në Qendrën e Paraburgimit, a mund ta festojnë ish-krerët e UÇK-së? Nacionale raporton nga Haga
Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, gjashtë përvjetorët e fundit të pavarësisë së Kosovës, kanë qenë më të vështirë nga të tjerët.
Ish-krerët e UÇK-së, festën më të rëndësishme për shtetin e Kosovës, e kanë kaluar në qendrën e Paraburgimit në Scheveningen të Hagës, pak metra larg objektit të Gjykatës Speciale.
Në fakt, duke u përballur me akuza për krime të luftës e krime kundër njerëzimit, ish-krerët e UÇK-së, nuk kanë pasur asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi.
Si rezultat, që prej përvjetorit të 17 shkurtit në 2021, e deri më tash, ata këtë festë e kanë kaluar në këtë qendër të paraburgimit, raporton nga Haga Besian Beha, gazetar i Nacionales.
Atmosfera jashtë qendrës së paraburgimit duket e qetë. Pak lëvizje të disa shqiptarëve kishte në afërsi të kësaj zone.
Të ngjashme, kanë qenë edhe përvjetorët në të kaluarën.
Megjithatë, në raste si këto ku ka festa, Gjykata Speciale ua lejon ish-krerëve të UÇK-së të kalojnë më shumë kohë së bashku, e të festojnë bashkë.
Kështu kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Por, në vitet e fundit, qëndrimi në këtë qendër ka qenë edhe më i vështirë.
Kjo pasi u janë kufizuar deri në maksimum vizitat dhe komunikimet me familjarë e shoqëri jashtë. Kjo pas përgjimeve që u bënë nga Prokuroria e Specializuar.
Ish-krerët e UÇK-së kanë deri në pesë vizita brenda muajit, dhe 5 video-lidhje brenda muajit. Gjithashtu, vizitori i një të akuzuari, nuk mund të takohet me të akuzuarit e tjerë, siç bëhej në fillim.
Kurse, bisedat telefonike janë në ditët e gjykimit vetëm një e tillë deri në 15 minuta, kurse kur nuk ka seanca, një bisedë deri 20 minuta.
Ndiqeni videon: