Aktakuza e re kundër Thaçit, avokati thotë se ka gjetur shumë mangësi - NACIONALE

Aktakuza e re kundër Thaçit, avokati thotë se ka gjetur shumë mangësi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shumë mangësi po pretendon se i ka gjetur në aktakuzën e re të Gjykatës Speciale avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe. Në një parashtrim 12-faqësh të dërguar te gjyqtari i procedurës paraprake, Keohe ka numëruar disa mangësi në aktkauzën e plotësuar të Speciales ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Më 31 maj, një dokument me shumë kundërshtime kishte arritur në adresën e gjyqtarit të procedurës parprake në Gjykatën Speciale, Nicollas Gillou. Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka parashtruar se Prokuroria e Specializuar ka ndërtuar një aktkauzë me shumë mangësi së fundmi, duke i plotësuar akuzat fillestare me lokacione të reja.

Sipas Keohes, një nga mangësitë më të rëndësishme, është fakti që Prokuroria në aktakuzën e re nuk ka arritur të japë fakte të mjaftueshme për lidhjen e Thaçit me kryerjen e krimeve në fshatrat Budakovë e Semetisht, dhe në Gjilan.

“Paragrafët 68, 105, 157, 93 dhe 174, janë të mangët pasi nuk pohojnë fakte të përfshirjes së z. Thaçi në krimet e përmendura. Rrjedhimisht, është e paqartë se cili ka qenë roli i Thaçit në këto krime. Ligji është i qartë kur thotë se i akuzuari “duhet të jetë gjithmonë i informuar në mënyrë adekuate” për rolin e tij në krimin e supozuar”. Për më tepër, kur lidhja e personit të akuzuar me ato ngjarje bëhet më e largët, kërkohet edhe më shumë saktësi në lidhje me detajet, dhe theksi i kushtohet sjelljes së të akuzuarit”, thuhet në parashtrim, të cilin e ka parë gazeta Nacionale.

“Me fjalë të tjera, roli dhe lidhja e Thaçit me krimet që ai pretendohet se kreu nëpërmjet përgjegjësisë, duhet të bëhet e ditur. Këta paragrafë të aktakuzës janë të mangët, pasi nuk e kanë atë nivel të devijimit. Mungesa e specifikës në deklarimin e rolit të tij në lidhje me këto krime, kontributi në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, ose në rolin e nxitësit apo ndihmësit, gjithashtu kanë mangësi”, ka theksuar avokati i Thaçit.

“Nëse faktet janë materiale, varet nga natyra e çështjes së Prokurorisë, nga natyra e akuzave, afërsia e të akuzuarit me ngjarjet për të cilat thuhet se është përgjegjës, dhe shkalla e krimeve. Kur Prokuroria pretendon se i akuzuari ka kryer personalisht vepra penale, duhet të jepen detaje, fakte, si dhe identiteti i vitkimës, koha dhe vendi i ngjarjeve me saktësi”, theksohet më tutje në parashtrim.

Si rezultat, avokati i ish-presidentit Thaçi ka kërkuar që kjo aktakuzë të përmirësohet.

Mangësitë e tjera, sipas avokatit të Thaçit

Në mesin e detajeve të aktakuzës së plotësuar që i përmend mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, janë edhe autorët e krimeve, sipas të cilëve, në aktakuzë, janë të përmendur tepër gjerësisht.

“Ligji është i qartë se kur anëtarët identifikohen, duhet të jepen referenca kohore e gjeografike. Autorët thjesht përkufizohen si pjesëtarë të UÇK-së pa më shumë detaje p.sh. nga cila zonë vijnë, në krahasim me vendndodhjen e krimit, dhe kjo është mangësi. Mbrojtja e pranon se janë dhënë disa detaje në lidhje me disa nga autorët, megjithatë nëse kanë detaje të tjera, Prokuroria duhet t’i japë ato. Kjo mungesë e detajeve, e pengon z. Thaçi që të kryejë hetime dhe ta bëjë mbrojtjen nëse nuk dihet se veprimet e kujt janë”, thuhet më tutje në këtë parashtrim.

Mangësi tjetër, avokati i Thaçit thotë se është edhe identiteti i viktimave.

“Identiteti i viktimave në paragrafët 68, 105 dhe 93 të aktkauzës së re, është i paqartë. Ideniteti i viktimave është fakt material që duhet të deklarohet në aktakuzë nëse është e mundur, pasi identiteti i tyre është i vlefshëm për përgatitjen e mbrojtjes. Nëse identiteti i këtyre viktimave nuk mbrohet me masa mbrojtëse, mosdeklarimi i identitetit të tyre, e bën këtë aktakuzë të dëmtuar”, theksohet më tej.

Keohe ka kritika edhe për lokacionet ku pretendohet se janë kryer krimet.

“Pretendimi i vendndodhjes së kryerjes së krimeve është i paqartë në lidhje me Budakovën e Semetishtin. Një aktkakuzë duhet të paraqesë faktet materiale të çështjes së prokurorisë me detaje të mjaftueshme për të informuar qartë të pandehurin me akuzat kundër tij. Duhet të sigurohet informacion sa më i detajuar në lidhje me vendet, për të dalluar elementet e veprës penale. Për shembull, ndërtesat ku kanë ndodhur krimet, duhet të deklarohen nëse i ka Zyra e Prokurorit të Specializuar”, përfundon parashtrimi.

Prokuroria e Specializuar në Hagë, e kryesuar nga Jack Smith, i ka rënduar akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e dorëzuar 2 vite më parë, është plotësuar me pretendime të reja, të cilat thuhet se janë kryer në disa fshatra të Suharekës dhe në qytetin e Gjilanit.

Edhe dy anekse shtesë të mbushura me akuza pritet të rëndojnë edhe më shumë mbi krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Më shumë se 30 faqe të reja do t’i shtohen aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Fshatrat Budakovë dhe Semetisht gjenden në komunën e Suharekës. Në këto dy zona, Prokuroria e Hagës po pretendon se ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Këto pretendime i kanë shtuar në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e re e plotësuar në rastin e krerëve të UÇK-së është dorëzuar më 28 prill. Përveç fshatrave të Suharekës, krime lufte pretendohet se janë kryer edhe në një konvikt në Gjilan.

Deri te ky plotësim i aktakuzës, kishte ardhur pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të shtuar akuza të reja ndaj krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit u ankuan për këtë synim të Prokurorisë, por Gjykata e Apelit në Speciale i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes.

Këto akuza të reja vijnë në kohën kur avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, kanë pasuar ankesa të shumta për vonesat në proces. Pas këtij plotësimi të aktakuzës, mbrojtjes do t’i duhet kohë për hetime të tjera, shpalosjen e materialeve nga Prokuroria, por edhe punë në terren në lokacionet e reja që janë shtuar në aktakuzë.

Lajme të ngjashme