S’ka arratisje: Zv.ministri e drejtori i ShKK-së i shmangen termit ‘’arratisje’’
Sipas Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk ka pasur arratisje nga burgjet e Kosovës, por vetëm largime. Këtë, ata e arsyetuan me faktin se të dënuarit, janë mbajtur në qendra korrektuese të tipit të hapur.
Në një konferencë për media, zëvendësministri Blerim Sallahu foli për “tipet” e institucioneve korrektuese.
“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta.
Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.” – tha ai, transmeton Nacionale.