Si e futi Big Brother nën të njëjtin kulm dhu;nuesin dhe viktimën? Anita thotë se po tenton t’i heshtë viktimat e dhu;nës në familje
Mbrëmë, në televizionin Klan Kosova, në orën 8 të mbrëmjes në emisionin Big Brother VIP Kosova, u dërgua një mesazh i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm: dhuna ndaj grave u legjitimua. Në vend që të dënohej dhe të adresohej në mënyrë të drejtë, dhuna u trajtua si spektakël, një mjet për të rritur audiencën dhe për të përfituar nga një tragjedi e thellë për kënaqësinë e publikut. Burrave dhunues u dha një platformë ku ata jo vetëm që mund të ndajnë “historitë” e dhunës që kanë ushtruar ndaj grave, por edhe të përballen publikisht me viktimat e tyre duke thelluar traumën e tyre për përfitim mediatik.
Një vit më parë, ish-missi Drenusha Latifi kishte zgjedhur të tregonte për dhunën që kishte përjetuar nga ish-bashkëshorti i saj në emisionin Kosovo Today, duke publikuar fotografi të lëndimeve të saj fizike. Drenusha e kishte bërë këtë sepse, si shumë gra të tjera, e kishte humbur besimin te institucionet e Kosovës, që shpesh nuk mbrojnë viktimat e dhunës fizike dhe seksuale, duke i lënë në mëshirë të fatit.e dhunuesve te tyre. Ajo besoi qe kjo media do ta ndihmonte në këtë luftë për drejtësi.
Ky program, që supozohet të jetë një format argëtues, në fakt e trajtoi dhunën që ajo kishte përjetuar si një burim "drame" dhe spektakli. Titulli shokues i Klanit “Ish-bashkëshorti i Drenushës, Atilla, banori më i ri i Big Brother VIP Kosova” nuk ishte thjesht provokues, por një mesazh që normalizon dhunën ndaj grave dhe përforcon narrativën se përvojat traumatike të grave janë të vlefshme vetëm si burim argëtimi për masat.
Çfarë vlere ka për këto gra, për viktimat dhe për të mbijetuarat e dhunës, të ndajnë historitë e tyre, kur ato më pas trajtohen si materiale për telenovela? Ato nuk kanë nevojë për spektakle që banalizojnë përvojat e tyre; ato kanë nevojë për drejtësi dhe mbështetje.
Kujt i shërben kjo “drame”. Sigurisht jo viktimave, për të cilat kthimi në një hapësirë me abuzuesit e tyre është një përjetim i rëndë dhe traumatizues. Për to, vendosja në të njëjtën hapësirë me abuzuesit nuk është një mënyrë për t’u "pajtuar" është një mënyrë për t’u nënshtruar për së dyti. Ideja që një grua mund të detyrohet të përballet me abuzuesin e saj publikisht dhe se, siç shprehu drejtuesi i emisionit, “ndoshta pajtohen,” është absurde dhe e papranueshme. Alaudin Hamiti, drejtuesi i emisionit, duke e shprehur këtë dëshirë të papërgjegjshme, vuri në pah sa i shkëputur është ky format nga ndjeshmëria dhe respekti për viktimat.
Ky është një tjetër shembull se si mediat shpesh minimizojnë përvojat e viktimave të dhunës, duke krijuar një atmosferë që i bën viktimat të ndihen të izoluara dhe të injoruara. Kur një emision legjitimon një abuzues, ai dërgon mesazhin se gratë nuk janë të mbrojtura dhe se dhuna ndaj tyre është diçka që mund të diskutohet, spektakularizohet, dhe madje falet.
Një platformë që i jep hapësirë një abuzuesi të justifikojë dhunën e tij nuk është thjesht e papërgjegjshme, është edhe e rrezikshme. Për gratë që janë në situata të ngjashme dhe kërkojnë ndihmë, kz legjitimim i dhunës u dërgon një mesazh të qartë: sistemi do të mbajë anën e abuzuesve. Mediat, sidomos ato me ndikim të madh në Kosovë, kanë përgjegjësinë të përfaqësojnë me ndjeshmëri dhe të mos i përdorin përvojat e dhimbshme të grave për përfitime.
Mbrëmë, mijëra shikues u përballën me një mesazh që i dha dritën e gjelbert abuzuesve. Mesazhi ishte i qartë: dhuna mund të amnistohet dhe mund të përdoret për të tërhequr audiencë. Kjo është e papranueshme, dhe si shoqëri, duhet të ndalojmë së trajtuari përvojat e grave si mjete për spektakël.