Serbët shpalosin flamurin gjigant në veri — Djali i Pantiq: Babai u arrestua dhe u shpall fajtor vetëm sepse është serb - NACIONALE

Serbët shpalosin flamurin gjigant në veri — Djali i Pantiq: Babai u arrestua dhe u shpall fajtor vetëm sepse është serb

3 vjet më parë

nga Festim Gërguri

Të mbledhur afër barrikadës në Rudarë, qindra serbë shpalosën një flamur gjigant serb, për të përforcuar edhe më shumë kundërshtinë e tyre ndaj shtetit të Kosovës.

Duke ngritur tre gishta dhe duke mbajtur në duar simbole dhe thënie kundër Kosovës, ata protestuan për rreth një orë në rrugë.

“Nuk po du me heshtë për terrorin e Kurtit!”, “Kurt, Kosova dhe Metohija nuk janë pronë e jotja, por e gjyshërve tanë,”thuhej në disa prej pankartave që serbët mbanin në duar.

Shumë prej protestuesve ishin sjellë në veri të Kosovës nga shumë qytete serbe.

Para tyre fjalim mbajti Predrag Pantiq, i biri i Dejan Pantiq, i arrestuar nga Policia e Kosovës për prishje të rendit publik.

“Babai im është arrestuar dhe tashmë është shpallur fajtor... Babai im është fajtor sepse është serb, dhe sepse ka jetuar gjithë jetën këtu. Njerëzit po e shohin veten tek babai im... Pse po hesht Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare?” – tha Predrag Pantiq

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, foli për kushtet të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që të largohen barrikadat.

“Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës janë kushte për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zone. Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim vetëm pse jemi serbë” – theksoi Goran Rakiq.

Përfundimit të protestës, qytetarët serbë u detyruan të kalonin nëpër barrikadën e vendosur në rrugë.

Në mes të ushtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të EULEX-it, ata u kthyen prej nga kishin ardhur.

Në rrugë u panë edhe patrulla të Policisë së Kosovës.

Ka disa ditë që serbët kanë vendosur barrikada në disa rrugë, duke bërë që të pamundësohet qarkullimi për në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajme të ngjashme