Ryshfet për raporte mjekësore – mjeku nga Vushtrria akuzohet edhe për ngacmim seksual - NACIONALE

Ryshfet për raporte mjekësore – mjeku nga Vushtrria akuzohet edhe për ngacmim seksual

9 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Kush është mjeku që u arrestua për ryshfet, e ndaj të cilit në gusht ishte ngritur aktakuzë edhe për sulm seksual?

Emri i tij është Abdullah Vojvoda. Vjen nga Vushtrria. Ai është mjek i cili dje u arrestua nga Policia e Kosovës nën dyshimet për ryshfet.

Mjeku dyshohet se për muaj me radhë ka pranuar para nga pacientët për shërbime dhe raporte mjekësore.

I dyshuari është mjek në ordinancën nr. 21 të QKMF-së, i cili gjatë muajve gusht – tetor 2025 ka pranuar shuma të ndryshme parash, nga 10 deri në 50 euro, në këmbim të lëshimit të raporteve për pushime mjekësore apo trajtime të tjera.

Ndër vite ka qenë herë spekulim e herë e vërtetë që pushimet mjekësore ose merren me të njofshëm ose nëpërmjet përfitimeve të ndryshme. E po del se në këtë rast, raportet për pushime mjekësore janë marrë me ryshfet. Kjo duke synuar përfitimin e një benefiti që e lejon Ligji i Punës, por kur punëtorë kanë njëmend telashe shëndetësore, e jo për qejf.

Detaje për këtë rast. kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, ku është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Por Vojvoda po del se nuk e ka sefte përballjen me ligjin.

Më 6 gusht të vitit 2024, Vojvoda ishte arrestuar edhe nën dyshimin për sulm seksual, rast që kishte përfunduar me ndalim policor.

Për këtë rast, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë bërë të ditur se ndaj mjekut Vojvoda tashmë është ngritur aktakuzë.

Në një përgjigje të shkurtër për Gazetën Nacionale, Prokuroria njoftoi se ndaj Avdullah Vojvodës është ngritur aktakuzë më 11 gusht 2025 për veprën penale “Ngacmim seksual”.

Lajme të ngjashme