Rrëqethëse: Të sëmurët me kancer presin korridoreve të ulur në infuzion, pacientët e Onkologjisë te mjekësia sportive - NACIONALE

Rrëqethëse: Të sëmurët me kancer presin korridoreve të ulur në infuzion, pacientët e Onkologjisë te mjekësia sportive

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Korridori tepër i vogël për numrin e pacientëve që po prisnin sot në radhë për të marrë trajtimin që u nevojitet të sëmurëve me kancer, ishte i mbushur plot të mërkurën.

Lodhje fizike në secilën fytyrë që shikoje, por gjendja tyre ishte edhe më e rënduar për faktin se për të marrë shërbimin që u duhej, prisnin deri me nga 3 orë në atë korridor, që në total kishte vetëm dhjetë ulëse, ndërkaq pjesa tjetër detyroheshin të uleshin mbi infuzione që në fund të pritjes do t'i merrnin.

Përveç dhimbjeve e lodhjes që këta pacientë kishin, tashmë iu kishte shtuar edhe një gajle tjetër.

Pacientët e Klinikës së Onkologjisë janë të obliguar që trajtimet e tyre ti kryejnë në Qendrën Sportive meqë objekti i klinikës është në renovim që më shumë se dy muaj.

Vendi ku po trajtohen personat me kancer ishte mos vet i mjerueshëm. Ndërkohë, për të marrë infuzione s’kishte as vend. Të sëmurët me kancer ishin renditur në karrige duke marrë shërbimet.

Ende nuk dihet se kur do të kryhet renovimi i objektit të Klinikës.

Një qytetar i ka thënë Nacionales se ka pritur atje prej orës 08:00 të mëngjesit për të marrë ilaçet.

“Një vërejtje shumë të madhe, mjekët punojnë qysh më mirë, për qito (barna), 4 orë duhet me pritë. Për veti, jam me tumor. Prej 08:00 jam t’u pritë. Një ditë e takova ministrin por s’pata kohë, por pata me bë një ankesë, është problem, për barna po na bjen me pritë, sa i përket mjekëve, është shkëlqyeshëm. Është pak vështirë, unë vij prej Lipjanit, po duhet me u zgju herët.” – ka thënë ai.

Një tjetër, u shpreh si vijon:

“Jam t’u prit për hapa për shoqen, ka kancer. Çdo dy muaj ia ndërron hapat. Që dy vjet është bërë gruaja operacion, këtu hera e parë që erdha. Qe dy orë jam t’u pritë”.

“30 minuta te mjeku, terapi 1 orë, 1 orë e gjysmë. Po më ndihmojnë me disa barna se vështirë. Këtu u bo pak pshtjellim, atje ka qenë më mirë. Që dy herë jemi tu ardhë këtu.” – deklaroi ndërkaq një qytetar tjetër.

Lajme të ngjashme