Qytetarët auditojnë punën e komunës në Kodrën e Sherretëve, këto ishin gjetjet e tyre - NACIONALE

Qytetarët auditojnë punën e komunës në Kodrën e Sherretëve, këto ishin gjetjet e tyre

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Organizata AvoNet, së bashku me një grup qytetarësh dhe një agronom, realizuan një auditim social për të vlerësuar përputhshmërinë e punimeve me kontratën e projektit “Pyllëzimi dhe rregullimi i parkut në Kodrën e Sherretëve”, me një vlerë mbi 917,000 euro.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe një vizite në terren, grupi auditoi komponentët kyç të projektit dhe identifikoi disa çështje që kërkojnë vëmendje nga Komuna e Ferizajt.

Gjetjet kryesore:
Dendësia e lartë e mbjelljeve të planifikuara
Sipas kontratës, është planifikuar mbjellja e rreth 5,000 drunjve, një numër i konsideruar i tepërt për sipërfaqen e parkut, duke marrë parasysh ndërtimet e tjera të planifikuara si amfiteatri, këndi i lojërave dhe pikat e informacionit.

Mungesa e një plani të detajuar
Qytetarët konstatuan se nuk ka një plan detal për integrimin e elementeve të ndryshme të parkut duke krijuar paqartësi të mëtutjeshme.

Zgjedhja e papërshtatshme e drunjve
Në planin e mbjelljes përfshihet plepi i bardhë, një specie e njohur për shkaktimin e alergjive, e cila nuk është e përshtatshme për hapësira publike. Prania e tij mund të ndikojë negativisht në shëndetin e vizitorëve, veçanërisht fëmijëve dhe personave me ndjeshmëri ndaj alergjive.

Cilësia e dheut dhe mungesa e një plani për fertilizim
Gjatë inspektimit në terren, u konstatua se dheu ekzistues nuk është i përshtatshëm për mbijetesën e bimëve, gjë që mund të ndikojë në zhvillimin e drunjve. Po ashtu, kontrata nuk përmban një plan të qartë për fertilizimin e bimëve, një faktor kyç për rritjen dhe mbijetesën e gjelbërimit në park.

Rreziku nga cilësia e dobët e punimeve në shëtitoren metalike
Një tjetër çështje e rëndësishme e evidentuar ishte saldimi i dobët i shëtitores metalike, e cila ndodhet në një lartësi të konsiderueshme. Qytetarët vlerësuan se këto punime mund të përbëjnë një rrezik serioz sigurie për qytetarët dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Lajme të ngjashme