Polemika të zjarrta pas përballjes Real-Bayern: A iu vodh një gol gjermanëve?
Për pak ditë bëhen saktë 49 vjet prej që ndodhi një prej skandaleve më të turpshme në histori të Ligës së Kampionëve! Ekipit të madh anglez Leeds United iu anulua një gol e iu mohua një penallti në finale ndaj Bayern Munich.
Por, ja që një tjetër ndeshje e madhe prodhoi po ashtu plot piskamë për referim. Aq piskamë sa ndoshta s’do të zgjas as 49 ditë – e lëre më 49 vjet – por që megjithatë është piskamë. A ishte apo s’ishte pozitë jashtë loje për Bayernin ajo që ndodhi në minutat e fundit?
Një rikapitulim i shkurtër: Bayerni kishte kaluar në epërsi ndaj Real Madridit goxha vonë në ndeshje. Minuta diku 68. Real Madridi – si zakonisht – e përmbysi ndeshjen për tre minuta. Së pari në minutën e 88 e më pas edhe në minutën e 91.
Dhe, i erdhi radha episodit të shumëkontestuar.
Mbrojtësi Mathijs de Ligt e shënoi një supergol në sekondat e fundit të ndeshjes, por vetëm për të marrë vesh se gjyqtari kishte vërshëllyer për një offside.
Anësori e kishte ngritur flamurin dhe gjyqtari kishte fishkëllyer. Pa pritur për VAR. Pa pritur për sqarim të mëtejmë të situatës. Pa pritur që të përfundonte aksioni. Thjesht dhe vetëm: beeeep.
Tifozët dhe lojtarët e Bayernit – duke qenë nën zullumin e tmerrshëm të Leverkusenit – nisën protesta të gjithandejme.
Mesfushori sulmues Thomas Muller për “RMC Sport” deklaroi se ishte situatë e çuditshme dhe që një gjë e tillë ndodhë shpesh në Madrid, duke rikujtuar atë dygolëshin e Cristiano Ronaldos – gjatë kohës kur s’e ekzistonte VAR-i.
“Gjyqtari? Ai nuk e ka parë VAR-in. Ai nuk i dha vetes mundësinë ta shikonte"
"Është vërtet e çuditshme, në një situatë të tillë, të fishkëllesh kaq shpejt. Kjo ndodh shpesh këtu në Madrid"
"E kam përjetuar këtë disa vite më parë, me dy gola nga Cristiano Ronaldo. Por ishte para VAR-it”.
I ashpër reagimi ishte edhe nga trajneri Thomas Tuchel, i cili në fakt akuzoi gjyqtarin se nuk do të kishte fuqi për të fishkëlluar në atë moment nëse Real Madridi do ta kishte topin.
“Gjyqtari kishte shansin, kur e pa që fituam topin e dytë, pra topin e kthyer, kemi një gjuajte për pesë sekonda, por vendosi të mos fishkëllonte. Ai mori vendimin për të fishkëllyer”.
“Është kundër çdo rregulle. E pranojmë humbjen, është çka është. Por... nuk do të ndodhte po të ishte në anën tjetër”.
Kurse, trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti deklaroi se nëse Bayerni ankohet për këtë, atëherë Madridi ankohet për golin e anuluar të Nachos, ngase sipas tij Kimmich simuloi.
“Bayerni ankohet për golin e anuluar? Në rregull, ne ankohemi për golin e anuluar të Nachos... sepse Kimmich simuloi”.
Pra, a ishte pozitë jashtë loje? A iu mohua një gol që mund ta dërgonte lojën në vazhdime Bayernit?
Si duket, ajo që i ndodhi Leedsit 49 vite më parë ka ardhur për t’iu hakmarrë Bayernit!