Një grua ankohet se u ngacmua nga drejtori i Arsimit në Kamenicë, ai e mohon por bën komente skandaloze
Një grua që kishte aplikuar për punë në Kamenicë ka denoncuar drejtorin e Arsimit, Afrim Dërvishi, për ngacmim. Drejtori i kësaj komune ka mohuar akuzën në një përgjigje për gazetën Nacionale, duke shtuar edhe disa komente skandaloze për veshjen e saj.
Rastin e ngacmimit e ka konfirmuar edhe Policia, e cila ka bërë të ditur se ka nisur hetimi "me dyshimin për veprën penale ‘Ngacmim’".
“Në lidhje me çështjen e potencuar nga ana juaj, njësiti i hetimeve të përgjithshme me urdhër të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar rast me dyshimin për veprën penale ‘Ngacmim’ ku janë intervistuar i dyshuari dhe ankuesja”, thuhet në përgjigjen e policisë për Nacionalen.
Për të marrë më shumë detaje rreth rastit, gazetarja e Nacionales, Leonora Kolukaj, ka shkuar të pyesë drejtorin nëse ka pasur dijeni për një gjë të tillë, por as ai dhe as kryetari i kësaj komune nuk ishin gjëkundi.
Në një bisedë telefonike më vonë, drejtori Dervishi hodhi poshtë akuzat për ngacmim, por shtoi edhe disa komente të papranueshme për veshjen e gruas që e denoncoi.
"Nuk është e vërtetë. Nuk e kam ngacmuar. Mirëpo, në parim të gjithë atyre të cilët nënshkruajnë kontratë me komunën e Kamenicës dhe kanë me punu në drejtori të arsimit, ju tregoj për tri gjëra të rëndësishme të cilat kanë e bëjnë me qenë dinjitoz dhe i suksesshëm – besoj që është ashtu – gjatë punës ose edhe praktikave që i mbajnë në shkollat tona. E para ka të bëjë me veshjen: i rekomandoj që të vishen sipas një standardi pedagogjik i cili thotë se mësimdhënësi duhet të vishet me mesataren e asaj kohe në atë vend, pra edhe ‘gjatë e shkurtë e hollë e këto’ m’i pasë të arsyeshme me idenë që fëmijët të mos fokusohen as si befasi por as s’i dhimbje për shkak të një veshjeje. E kom përshtypjen që e kanë keqkupt këta kur kom thanë se ‘Nuk duhet patjetër fëmija me qitë kimin n’tokë e me këqyrë nër bankë’, me idenë që qëllimi ka qenë që mos m’i dhanë shkas me pasë vëmendjen diku tjetër në raport me edukimin për çka është aty." - tha ai ndër të tjera.
Deklaratat e drejtorin për Nacionalen kanë nxitur reagimin e aktivistes së PSD-së, Teuta Rrusta, e cila ka bërë thirrje që të trajtohet rasti i ngacmimit.
“Urgjent të adresohet ky rast nga organet. Dhe mos ta harrojmë që denoncimi çdo herë është vendim i vështirë. Nëpër ata folderat e lëndëve çdo herë e lodhur del denoncuesja. Kësaj duhet t'i japim mbështetje pa hezitim.“ – tha ajo