Ndotja e lumit Trepça nga bizneset dhe qytetarët, ja çka planifikon komuna
Në vazhdën e raportimeve rreth degradimeve të natyrës në disa komuna të Kosovës, së fundmi ekipi i Nacionales ka vizituar Komunën e Mitrovicës, më konkretisht lumin Trepça.
Afërdita Tahiri nga organizata “Mundësia”, në bashkëpunim me KDI-në, ka thënë për Nacionale se ndotja e lumit Trepça është një problematikë e vazhdueshmë, pasi që kjo ndotje vjen nga bizneset që veprojnë afër shtratit të lumit, por edhe nga qytetarët në Mitrovicë.
Ndërkaq, nga Komuna e Mitrovicës, Egzon Sadiku, drejtor i Mjedisit në këtë komunë, ka deklaruar se kanë vepruar disa herë duke pastruar shtratin e lumit Trepça, por që qytetarët kanë vazhduar hedhjen e mbeturinave.
Andaj, komuna pritet që në të ardhmen e afërt të krijojë mekanizma në ujë, që shërbejnë për mbledhjen e mbeturinave në vende të caktuara dhe e njëjta formë do të lehtësonte edhe mbledhjen e tyre nga kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e lumit.
Tutje, Sadiku ka deklaruar se do të ndërmarrin masa ndaj qytetarëve që hedhin mbeturina, me gjoba të ndryshme nga inspektorati komunal për mbrojtjen e ambientit.
Se a do të ketë efekt plani i ri i komunës për pastrimin e lumit, kjo mbetet të shihet pas implementimit të këtij projekti komunal.