Më 14 shtator, protestë në Hagë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi sot se më 14 shtator 2025, në orën 14:00, do të organizohet një protestë paqësore para Gjykatës Speciale në Hagë, me iniciativë të bashkëluftëtarëve nga mërgata.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në konferencë për media, tha se protesta ka për qëllim të kundërshtojë padrejtësitë që, sipas tij, po ndodhin ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
“Me iniciativën e bashkëluftëtarëve tanë që jetojnë në mërgatë, njërin nga ta e kemi këtu, Fatmir Koci, Ukë Lushi që jeton në Amerikë dhe disa të tjerë. Më 14 shtator 2025 do të mbahet një protestë në qytetin Hagë në Holandë, para Gjykatës Speciale, në orën 14:00. Ne, si organizata të dala nga lufta e UÇK-së, i kemi dhënë mbështetjen tonë të plotë me të gjitha kapacitetet dhe do të jemi bashkë në organizim. Kërkesën për protestë e kemi bërë te autoritetet holandeze dhe jemi në pritje të konfirmimit për lokacionin. Ju bëjmë thirrje të gjithë mërgimtarëve tanë që të marrin pjesë në këtë protestë paqësore kundër padrejtësive që po ndodhin në Gjykatën Speciale”, tha Gucati.
Njëri nga organizatorët nga diaspora, Fatmir Koci, u bëri thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të bashkohen për të mbrojtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së. Organizatorët janë në pritje të konfirmimit të lokacionit nga autoritetet holandeze.