LGBTI, pedofilia, aborti e shamia: Prifti “Fishta i ri” përball Buzhalës në tema tabu për Kishën - NACIONALE

LGBTI, pedofilia, aborti e shamia: Prifti “Fishta i ri” përball Buzhalës në tema tabu për Kishën

2 muaj më parë

nga NACIONALE

E njohin ndryshe si "Fishta i ri". Gëzon respekt të veçantë në rrethin e gjerë ku jeton, vepron e ushtron detyron prej Ipeshkvi. Dom Gjergj Meta është i ftuari i radhës te Intervista e Buzhalës.

Homoseksualizmi, pedofilia, aborti, shamia e përplasjet brenda kishës ishin temat që u diskutuan me Metën, me këtë të fundit që shpalosi shumëçka.

Fillimisht, ai dha detaje nga shugurimi, duke treguar se për tre vite ka qenë ipeshkvi më i ri në botë.

I shuguruar në moshën 41 vjeçare, Dom Gjergj Meta thotë se në të kaluarën ka pasur edhe Ipeshkv më të rinj, fjala është për mesjetë, por në kohërat e reja, Kisha ka një moshë nën së cilën është vështirë të arrihet ndonjë pozitë e rëndësishme.

“Në kohën që jam shuguru si Ipeshkv, në vitin 2017 kam qenë vetëm 41-vjeçar dhe diku për tre vjet kam qenë ipeshkvi më i ri në botë. Pse nuk e di?, po e dinë ata që më kanë zgjedhur. Sepse në përgjithësi në Kishën Katolike ka njëfarë moshe, në mesjetë ka pasur ipeshkvi edhe më të rinj sesa ne, por edhe në trojet tona, ose Gjon Pali II u bë ipeshkv 38-vjeç. Por, në kohën tonë është pak e vështirë të themi kështu, që bënë këtë zgjedhjen në kohë edhe në moshë të re, kështu që në përgjithësi preferojnë pas moshës 45-vjeçare, por situatat tona në Shqipëri, mungesa e klerikëve, e numrit të klerikëve etj, ka bërë që të bëjnë këtë zgjedhje".

Veç kësaj, Meta foli edhe rreth zhvillimeve në botë, konkretisht në shkencë. Sipas tij, meritë më të madhe për këtë kontinenti i vjetër.

Siç e thotë ai, Europa është baza e shkencave, ani pse e njëjta sot është më e pranishme edhe në vendet aziatike.

"Identiteti i Europës sot lind nga së paku tre faktorë. Është faktori i të drejtës latine. Të drejtës romake. Para të drejtës romake, filozofia greke dhe kultura judeo-kristiane. Këto tre e kanë formësuar. Por këto trija kanë gjetur atë, të themi “humusin” e vet në manastiret benediktine. Sigurisht, revolucioni francez, iluminizmi i japin një hov këtij zhvillime me: Liberté (liri), égalité (barazi) dhe fraternité (vëllazëri). Sigurisht idealizimi gjerman, filozofia klasike i jep një zhvillim tjetër këtij identiteti. Instancat shkencore të shekullit të XIX, pra lulëzimi i shkencave i jep një identitet tjetër. Shkencat lindin në Europë. Pavarësisht se janë të zhvilluara në Japoni, pavarësisht se janë të zhvilluara në Kinë, por baza e shkencave është Europa".

Nuk kishte si të mungonte edhe një mendim i tij rreth situatës në Shqipëri në periudha të ndryshme. Madje, ai ka edhe një konstatim të vetin lidhur me këtë çështje.

“Koha nuk i shëron plagët. Koha i transmeton plagët. Ky është konstatimi im. Sidomos, po të flasësh me një psikoterapeut, me një psikiatër, nga ata të mirët, jo ata që bombardojnë njerëzit me ilaçe, por nga ata që reflektojnë. Një nga problemet e mëdha është trashëgimi i traumës. Trauma thonë që trashëgohet edhe gjenetikisht. Trauma është një thyerje. Pra, shembull është kur një shpullë e fortë e babës kur je fëmijë, të kujtohet edhe kur i bën 50 vjet”.

Në njërën nga pjesët e emisionit, Meta foli edhe për Kishën, duke përmendur edhe Papa Benediktin XVI, pasardhësin e Gjon Palit, duke kujtuar këtu frazën publike të Benediktit, kur në "Udhën e Kryqit" në Koloseumin e Romës kishte thënë se ka shumë mbetje brenda Kishës.

“Papa Benedikti 16 në mënyrë publike, në vitin 2005, kur ishte edhe më tutje Kardinal, kurse Gjon Pali Papë, Benedikti e bëri të famshme Udhën e Kryqit në Koloseun e Romës dhe aty Benedikti tha: Ka shumë baltë, pisllëk, mbetje, brenda Kishës”.

Kujtojmë, përveç në platformat tona sociale, emisioni në të njëjtën kohë po shfaqet edhe në Radio Televizionin 21.

Lajme të ngjashme