Kush është fajtori që Edi Rama i fitoi zgjedhjet për herë të katërt, bindshëm? - NACIONALE

Kush është fajtori që Edi Rama i fitoi zgjedhjet për herë të katërt, bindshëm?

1 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Me shumë figura kyçe të partisë në paraburgim, me një në arrati, me aferën mbi 100 milionëshe që peshon si damkë mbi supet e qeverisë së tij, ajo e Inceneratorëve, Edi Rama fitoi bindshëm zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, pas 12 vitesh qeverisje dhe pas tri mandatesh. Sipas projeksionit të deritashëm të nxjerrun prej rezultateve, Partia Socialiste do t’i ketë ma shumë se 80 deputetë.

Pa ndonjë program specifik, vetëm me premtimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, fitorja e tij është edhe më e madhe se ajo në vitin 2021. E di që nëse Edi Rama e kish ni fjalinë tem: pa ndonjë program, ai kish me shpërthy me krejt arsenalin e vet të ironisë dhe arrogancës për me m’thanë: kjo puna e anëtarësimit në Bashkimin Evropian shumë e vogël po të doket, a po?

Në fakt, s’është punë e vogël dhe rezultati tregon se shqiptarët i besuan Edi Ramës në këtë projekt, meqë ia dhanë këtë fitore bindëse.

Pse Edi Rama e dha premtimin për anëtarësim në BE, deri në vitin 2030 kaq lehtësisht?

Sepse Shqipëria i ka hapur kapitujt për anëtarësim në BE, i ka marrë 250 mijë faqe detyra të shpisë dhe ato ka me i bo njo nga njo. Sipas Edi Ramës, këto detyra kanë me u kry para vitit 2030.

Ndërkohë, me rezultatin e fitores dërrmuese të Ramës, shumëkush ka mbetë gojëhapur sidomos nëse e ke përcjell fushatën zgjedhore në Shqipëri. Fitorja e Ramës, megjithëse parashikohej në krejt sondazhet, ajo pritej të ishte e përmasave pak ma t’vogla.

Opozita në Shqipëri është tejet e fragmentarizume;

Shumëkush mundet me thanë: uau cfarë konstatimi; sepse edhe në Kosovë është boll e fragmentarizume, nja 100 parti politike i kemi, ama në Shqipëri, është e copëzume në kuptimin që prej secilës parti politike, kanë derive nga dy tri lëvizje, a dy tri koalicione për këto zgjedhje.

Si një figurë që secili prej neve e mbajmë mend qysh kur kena lind, Sali Berisha mund të cilësohet si mëktari i gatshëm që po ia pamundëson opozitën në Shqipëri me marrë frymë dhe me kriju frymë kundër Edi Ramës.

Duke qenë që në Partinë e madhe Demkratike, s’ka pasë vend për figura si Lulzim Basha ose Agron Shehaj, këta dy, në këto zgjedhje kanë garu secili me partinë e vetë. Lulzim Basha me një dështim katastrofal kurse Agron Shehaj i partisë Mundësia, megjithëse konsiderohet si një prej figurave ma interesante në skenën politike të Shqipërisë së fundmi - me një sukses minimal.

Çka e ka karakterizu fushatën e opozitës në Shqipëri, që nuk mundi t’ia dalë?

Demokratët para shumë muajsh, kanë bë bujë për angazhimin e Chris LaCivitas – ish shefit të fushatës elektorale të Donald Trump edhe për zgjedhjet në Shqipëri.

Mirë boll. Me kohën, u zbulua edhe kontrata e nënshkrume me LaCivitën, e cila kap vlerën prej hic më pak se 6 milionë dollar.

Humori që ka shpërthy mëngjesin e 12 majit për këtë angazhim, është qesharak deri në dhimbje.

LaCivita në botën e komenteve virale, po vlerësohet si fituesi më i madh i zgjedhjeve në Shqipëri.

6 milionë dollarë në xhep, pa naj sukses domethënës, edhe me ecë në shpi. Rehati, apo jo?

I vetmi lajm që e ka prodhu angazhimi i LaCivitës, është informacioni i mjegullt që Sali Berishës do t’i hiqen nongrata nga Amerika dhe që doktori shpejt do të udhëtonte për në ShBA. Kurgjo tjetër, hic.

Qe edhe do elemente rreth zgjedhjeve në Shqipëri shpejt e shpejt;

Në pikun e fushatës elektorale, Sali Berisha dhe opozita në përgjithësi, është mundu që mos me përdorë gjuhë të ashpër ndaj Edi Ramës, sidomos kur ky i fundit e konsideron Berishën si bufi i kënetës, një lloj bufi ndër më grabitçarët që njeh historia e botës së hutave dhe kënetë, si uji i cili rri dhe prej të cilit s’ka kurrfarë dobie.

Angazhimi i Strukrutës së Posacme Kundër Korrupsionit ose SPAK-ut qysh e njohim shkurt, nëpërmjet një strategjie për mos me leju vjedhjen e votës, edhe nëse hala nuk ia kemi pa frutat e saj ma të mëdhaja, megjithatë, qysh thojmë na, ua ka shti ethet në bark krejt atyne që iu ka shku mendja me vjedhë vota. SPAK-u i ka ndërmarrë disa aksione kundër vjedhjes së votës edhe janë shoqëru njerëz në polici për këtë punë.

Sa i përket fitores së Edi Ramës dhe reflektimit që ka ajo në Kosovë, puna është kështu;

Ka një masë opinioni që thotë se Edi Rama preferohet prej ni pjese të shoqnisë tonë, për inati të Albin Kurtit;

Nëse do të qëndronte ky argument, kjo pjesë e shoqnisë do të mund të përkrahte secilin lider edhe përtej Ballkanit, edhe okolla Brukselit e Uashingtonit – për inati të Albin Kurtit, se nuk o puna që Albin Kurti nuk ka histori të mirë bashkëpunimi veç me Edi Ramën. Këso historie ka me krejt.

Po krejt në fund, pavarësisht nëse do të përmbushet premtimi i Edi Ramës që Shqipërinë ta ulë përgjithmonë në Bruksel – e që gjasat reale janë që po, Sali Berisha duhet ta përmbush një detyrë; të lëshojë udhë për opozitën shqiptare – që ajo ta marrë veten në zgjedhjet e ardhshme.

Lajme të ngjashme