Kush e sulmoi KEK-un? Cila mafi energjetike qëndron prapa këtij kolapsi historik?
As Rusia, as Irani, as Izraeli dhe as Serbia nuk na kanë sulmuar. Megjithatë, të gjitha blloqet e termocentraleve tona kanë rënë nga sistemi. Pa asnjë pengesë, mund të hyni brenda atyre tubacioneve që i shihni në Obiliq – sepse Korporata Energjetike e Kosovës ka kolapsuar.
Për nesër është paraparë që të mos prodhohet as edhe një grimcë energjie elektrike. Zero. Që 25 vjet, kjo është hera e parë që ndodh një skandal i tillë. Ka ndodhur më parë që të bie një bllok nga sistemi, ndoshta edhe dy, por që të bie komplet i gjithë sistemi – kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Imagjinoni për një moment nëse një ngjarje e tillë do të kishte ndodhur pas një shpërthimi enigmatik, si ai që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit. Do ta kishit parë kryeministrin Albin Kurti bashkë me ekipin qeveritar në mesnatë duke organizuar një spektakël mediatik, duke akuzuar mediat, opozitën, madje edhe bashkësinë ndërkombëtare, për sulm ndaj infrastrukturës kritike të vendit – për një rast kur realisht kishim të bënim me tri metra beton.
Por tani, kush e sulmoi KEK-un? Cila mafi energjetike? Kujt i konvenoi që të bie gjithë sistemi, që Kosova të detyrohet të blejë energji 24 orë në ditë, 100 për qind të nevojave? Martin Berishës? Besnik Bislimit? Luan Dalipit me vëlla? Dejona Mihailit? Nagipit?
Mos më thoni se blloqet kanë rënë nga sistemi sepse janë lodhur duke punuar. Mos më thoni se e gjitha kjo është rastësi.
Mos më thoni se KEK-u po drejtohet nga njerëz të paaftë, që nuk kanë as njohuritë më elementare për punën për të cilën paguhen – sepse kemi për herë të parë një kryeministër inxhinier, që supozohet se kupton nga telat e bakrit, nga bojlerët dhe nga lopatat!
Si ndodhi pra, që në kohën kur kemi një kryeministër aq të “mençur”, të prodhojmë kaq pak energji, ta blejmë kaq shumë dhe ta paguajmë kaq shtrenjtë? Vetëm në këto katër-pesë vite të qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për të blerë rrymë.
Po, e dëgjuat drejt: rreth 1 miliard euro. T’i kishim investuar këto para në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, do të ishte e kuptueshme dhe e pranueshme. Por jo, ne i kemi harxhuar për të blerë energji – një produkt që konsumohet dhe zhduket.
Dhe jo vetëm kaq. Dy vitet e para të qeverisjes, me urdhër politik, nuk janë riparuar blloqet e Kosovës A dhe Kosovës B, vetëm që të duket se po prodhohet energji dhe po ka fitime. Për këtë arsye Albin Kurti dilte dhe deklaronte se me Nagipin, KEK-u po fitonte. Në të vërtetë, blloqet janë mbajtur në funksion shumë më gjatë se sa lejohet teknikisht, dhe tashmë ato kanë humbur efikasitetin. Shto këtu faktin që Kosova A5 ka dështuar tërësisht për shkak të manipulimeve gjatë remontit.
A ju kujtohen komunikimet në WhatsApp mes Dejona Mihailit, Besnik Bislimit, Albin Kurtit dhe Nagipit? Kur Besniku dhe Dejona i tregonin Nagipit se kujt t’ia jepte tenderin?
Sot po i përjetojmë pasojat. Kosova kurrë më parë në historinë e saj nuk është qeverisur në tërësi nga një mafie energjetike, siç po ndodh tani. Dhe nga të gjitha mafiet, kjo është më e rrezikshmja, më e dëmshmja për vendin – sepse është e bazuar në sabotim të kapaciteteve vendore dhe blerje të energjisë nga jashtë.
Kur këta të largohen nga pushteti, nuk do të kenë lënë asgjë pas. E kuptoj që lufta është e dhimbshme, që është e dhimbshme kur një armik të sulmon infrastrukturën kritike – siç bën Rusia në Ukrainë apo Izraeli me Iranin – por kur sulmohesh nga brenda, kjo është edhe më e dhimbshme dhe plotësisht e pashpresë.
Ky pushtet ka filluar të vjedhë dhe të abuzojë me energjinë që para se të vinte në qeveri. Martin Berishaj ishte i kontraktuar si këshilltar i një prej rrjeteve më të fuqishme dhe mafioze të energjisë, para se Albin Kurti të bëhej për herë të parë kryeministër.
Mafia ballkanike e kishte paraparë se çfarë do të ndodhte në vendin tonë, dhe e kishte paguar Martinin sikur të ishte ndonjë CEO i Google-it apo Apple-it, kurse në realitet ai është thjesht një hajdut rajonal. Gotat e para të shampanjës, Kurti dhe Konjufca pas fitores i përplasën me Don Martinin.
Pjesën tjetër besoj se e dini si ka shkuar: prej katër-pesë vjetësh, nuk keni rrymë, dhe ata që nuk e kanë – paguajnë për të si për ar.
Personalisht, unë ende nuk jam ngopur. Ende dua ta shoh këtë pushtet duke qeverisur.