Kulla gjysmëshekullore “pa leje”: Baba ia la amanet dhe djali e renovoi, shteti mendohet t’ia rrëzojë - NACIONALE

Kulla gjysmëshekullore “pa leje”: Baba ia la amanet dhe djali e renovoi, shteti mendohet t’ia rrëzojë

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Muret e kësaj kulle, e cila ishte djegur në luftën e fundit, janë më të vjetër se vetë Veton Mujaj.

Kullën e ndërtuar pesë dekada më parë nga babai dhe gjyshi i tij, në fshatin Dukaivë të Pejës, Mujaj e ka meremetuar pas luftës.

Gjyshi bashkë me babën kanë punuar shumë dhe e kanë pasur jetësore me ndërtu një kullë të tillë e cila nuk është e njëjtë me kullat e rrafshit” – thotë Veton Mujaj.

Punët që ka kryer në këtë kullë - e që Mujaj thotë se është në pronën e tij - i kanë hapur telashe me shtetin. Hetuesia dyshon se kulla është ndërtuar pa leje.

“Ju kam shpjeguar se kjo kullë është ndërtuar në vitin 1969 dhe është shkatërruar më 1999, e prej 2007-tës unë kam filluar ta rindërtoj kullën, e ligji futet në fuqi në vitin 2015, edhe pse në fakt është rindërtim i kullës së vjetër e as s’ka të bëjë me prekjen e ligjit në atë kohë, pra kjo ka qenë e rindërtuar kur ligji veçse ka hyrë në fuqi”.

Por, sipas tij, ky problem nuk mund të rregullohet edhe po të donte vetë, e fajin ua hedh autoriteteve.

“Veprimet e Prokurorisë janë më shumë se absurditet. Me futjen në proces të ligjit për park nacional më 2015, kompetencat e marrjes së lejes së ndërtimit ju kanë hequr komunës, Ministria e Mjedisit nuk lëshon leje, çdo qytetar do me plot dëshirë me marr lejen e ndërtimit por nuk ka asnjë institucion në Kosovë që mundet me ia dhanë këtë leje”.

Në odën e kullës, Mujaj na tregoi për sfidat e babës dhe gjyshit të tij nëpër të cilat kaluan për ta ndërtuar kullën në fshatin Dukaivë të Rugovës, 24 kilometra larg Pejës.

Vetoni ndihet me fat që arriti ta gëzojë babën e tij me përmbushjen e amanetit.

Pas këtyre veprimeve të Prokurorisë, banorët e Rugovës kanë premtuar se do të organizojnë protestë, pasi që edhe banorë të tjerë të kësaj ane përballen me akuza të njëjta.

Lajme të ngjashme