Kodimi në shkolla nga viti i ardhshëm: A ka Kosova kapacitete për këtë lëndë? - NACIONALE

Kodimi në shkolla nga viti i ardhshëm: A ka Kosova kapacitete për këtë lëndë?

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Prej shtatorit të ardhshëm, nxënësit nga klasa e parë do të mësojnë lëndën e kodimit. Së paku, kështu beson kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kodimi si shqipja? Nuk është që kosovarët njihen për zotërim të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Më së miri na e tregon testi PISA. As matematika nuk na e do fortë, siç shihet në testin ndërkombëtar TIMMS.

Është koha për një vizitë në një shkollë, vendi ku pritet të mësohet kodimi sikurse shqipja. Liridon Maliqi, drejtor i shkollës së njohur model “Qamil Batalli”, e vlerëson nismën e Qeverisë Kurti si të mirë. Megjithatë, ai tregon një të vërtetë të madhe.

“Pajisje kemi, por ato që i kemi që nga viti 2014, janë të prodhuara nga viti 2012 dhe natyrisht që shumica prej tyre janë jashtë funksionit…Po flasim për kabinet, ndërkaq në klasa të rregullta, nuk kemi pajisje për të gjithë nxënësit. Nëse komplet klasa fokusohet te kjo pjesë apo në të njëjtën kohë të mbajmë lëndën e kodimit, konsideroj se është pak e pamundshme, por nuk do të thotë që s’është e mundur për vitin e ardhshëm” – deklaroi Maliqi, transmeton Nacionale.

Në fakt, sipas Ministrisë së Arsimit, do të ketë trajnime për mësimdhënësit rreth kodimit. Taulant Kelmendi, zëvendësministër i MASHTI-t, tregoi se tashmë ëhtë ndarë buxheti për rekrutimin e 50 trajnerëve.

“Për ta plotësuar këtë do të ketë trajnim të kuadrove ekzistuese dhe rekrutime të reja, aty ku ka deficit. Ne si MAShTI tashmë e kemi bërë një hap në këtë drejtim, duke kërkuar nga Drejtoritë Komunale të punësojnë 50 ekspertë të IT, për çka veçse kemi zotim buxhetor. Këto rekrutime do të ndihmonin për të filluar sa më parë trajnimin dhe aftësimin e mësimdhënësve për ta mbajtur orën e kodimit.” – deklaroi Taulant Kelmendi, zëvendësministër i MASHTI-t.

Njëjtë sikurse shkolla, edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka dilemat e tij për kodimin në shkolla prej klasës së parë, ndonëse e vlerëson si nismë të mirë.

“Nuk kemi informacione saktësisht kur do të fillojë kjo dhe çfarë përgatitje kanë bërë institucionet që të jetë e suksesshme kjo nismë” – deklaroi ai.

Por sa është e zorshme të mësohet kodimi nga fëmijët? Le t’i shkojmë në zyrë Hana Qerimit, drejtores ekzekutive të “Shkollës Digjitale”, kompani e njohur pikërisht në mësimin e kodimit.

“Sektorit publik i mungon ekspertiza në këtë drejtim…Me një koordinim të duhur në mes të sektorit publik dhe privat, mund të arrihen rezultate shumë të mira.” – deklaroi Qerimi, ndër të tjera.

Eksperti i arsimit nga EdGuard, Rinor Qehaja, tregon hapat që duhet t’i ndërmerr MASHTI për të funksionuar krejt kjo nismë për kodimin në shkolla.

“Në mënyrë që kjo iniciativë super e mirë mos me u kthy në improvizim nevojiten super përgatitje nga ana e institucioneve. Në këtë rast, Ministria e Arsimit duhet të na garantojë planprograme të mirëfillta për këtë kurrikulë, infrastrukturë të duhur dhe qasje në internet dhe pajisje teknologjike në çdo shkollë, në çdo klasë për çdo nxënës. Dhe më e rëndësishmja, duhet të na garantojë që mësimdhënësit tanë kanë kapacitetin e duhur profesionalë në mënyrë që me ofru kodimin ashtu siç duhet.” – deklaroi Qehaja.

Lajme të ngjashme