Jashari apo Rugova: LDK-ja në Prizren kërkon ndërtimin e shtatores së ish-presidentit në vendin që iu nda komandatit legjendar - NACIONALE

Jashari apo Rugova: LDK-ja në Prizren kërkon ndërtimin e shtatores së ish-presidentit në vendin që iu nda komandatit legjendar

1 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

Vite më parë, gjatë kohës sa Mytaher Haskuka ishte kryetar i Komunës së Prizrenit, ishte projektuar ndërtimi i një shtatoreje të Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, në sheshin e Lidhjes së Prizrenit. Përkundër që kanë kaluar vite, shtatorja e komandatit Jashari nuk është ndërtuar, ndonëse ishte zgjedhur edhe modeli artistik i shtatores.

Tash ka dalë një ide tjetër. Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren ka propozuar që në të njëjtin vend të ndërtohet shtatorja e Ibrahim Rugovës, ish-presidentit të ndjerë të Kosovës. Hazir Hodaj, shef i asamblistëve të LDK-së, ka treguar se si lindi kjo ide.

“Fillimisht ne kemi vendosur në strukturën e partisë që ta plasojmë këtë kërkesë në Kuvendin e Komunës dhe unë natyrisht e kam bërë një arsyetim për vendosjen e shtatores së presidentit Rugova, duke konsideruar që është një dëshirë pothuajse e shumicës së qytetarëve të Prizrenit dhe jo vetëm të Prizrenit.” – tha ai.

Hodaj ka treguar që LDK-ja ka kërkuar që shtatorja e Rugovës të vendoset te sheshi i Lidhjes së Prizrenit.

“Kërkesa ka qenë që të vendoset në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pikërisht para zyrave të LDK-së, aty ku ka një hapësirë të mjaftueshme dhe konsiderojmë që aty do të jetë një vend i merituar për vendosjen e shtatores” – vazhdoi ai.

Hodaj është pyetur se pse është propozuar shtatorja e Rugovës në të njëjtin vend ku planifikohej të ndërtohej shtatorja e komandantit Jashari.

“Unë nuk jam në dijeni që është një kërkesë e tillë (për ndërtimin e shtatores së Jasharit v.j.), por hapësira ka të mjaftueshme në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, kështu që mund të vendoset edhe shtatorja e tij. Mirëpo unë nuk jam në dijeni që pikërisht është mendu në atë vend…Kjo nuk do të thotë që ne do të jemi kundër vendosjes së shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në të njëjtin kompleks, sepse ka hapësira të mjaftueshme” – deklaroi Hodaj, duke theksuar se nuk ka rivalizim në mes të dy figurave.

Ndërsa asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Gashi, ka një mendim interesant për krejt këtë punë.

“Këtu duan të vendosin shtatorën e Ibrahim Rugovës, tash me iniciativë të LDK-së, ndërsa Mytaher Haskuka, kryetari i kaluar, ka marrë vendim që ta vendos shtatoren e Adem Jasharit. Pra e shihni sa është pak punë e perzier, duke filluar nga vetë emertimi i lokalitetit e deri te çështja e vendosjes së shtatoreve” – tha ai.

“Permendoret, shtatoret e figurave kombëtare, të nivelit nacional, duhet të vendosen në kryeqendër, në Prishtinë, ndërsa komunat, përfshirë Prizrenin, duhet të jenë vende ku vendosen permendoret e aktivistëve, humanistëve, heronjve, intelektual lokalë që kanë dhënë kontributë në nivel lokal” – tha ai.

Komuna e Prizrenit, përkundër insistimit të Nacionales, nuk ka kthyer përgjigje për këtë temë.

Lajme të ngjashme