Humbja nga Shpendi, takimi me Bidenin e Asociacioni – Isa Mustafa rrëfehet ekskluzivisht te Intervista e Buzhalës
Ish-kryetar i Prishtinës. Ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ish-kryeministër.
Një bagazh mbi supe që vështirë zhbëhet, përkundër tentimeve të frymave të caktuara, që kur nuk kishin interes nga ai, gjuanin mbi molotov mbi shtëpinë e tij, ndërsa kur u duhej e apostrofonin si profesor.
Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive e më ndryshe te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Nga situata momentale, rrugëtimi politik e çastet që i kujton më me endje nga politika, Mustafa shpalos gjithçka nga karriera e tij, megjithatë e bujshme.
Gjithsesi, vëmendja jonë ishte te Asociacioni. Dhe me siguri se jo vetëm e jona.
Mustafa tregoi rrjedhën e takimeve, momentin e nënshkrimit, pikën që parashihte mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe akuzat për tradhti.
Ndërkaq, një nga detajet interesante është biseda me presidentin malazez, Milo Gjukanoviq.
Me këtë të fundit diskutohej për Demarkacionin, ndërsa siç tregon dikur i pari i LDK-së, Gjukanoviq i kishte thënë diçka që me siguri se do ta ngacmojë ndërgjegjien e politikëndjekësve.
“Ka qenë interesant. Gjukanoviq thoshte se bagëtita tona nuk do të kullotin në atë pjesë, sepse s’kemi banorë. Prapë ju do ta shfrytëzoni. E rëndësishme për ne është që ta kemi ta mbyllur këtë çështje, pasi duam të anëtarësohemi në NATO, e një nga kushtet është edhe zgjidhja e çështjeve kufitare”, tha Mustafa duke cituar kreun e Malit të Zi.
Veç kësaj, ai komentoi edhe humbjen nga Shpend Ahmeti më 2013. Sipas tij, ka qenë tejet e befasishme. Në raundin e parë gëzonte afër 10 mijë vota më shumë, por pastaj gjithçka u përmbys. "U bënë bashkë të gjithë për të më poshtur", tha ai.
Këtu numëroi edhe disa nga sukseset e asaj kohe, duke përfshirë këtu edhe projektin për Rrugën B, që sot është njëra nga dy-tri qendrat kryesore të qytetit, nëse jo e para.
“Kanë qenë diku 30 shkolla që janë ndërtuar. Problemin me kolektorë ku shumë lagje nuk kanë mund të jetojnë. Mendoja që do të fitoja bindshëm, diku rreth 60%. Por, ndodhi ajo që ndodhi. U bënë bashkë, kurse siç e ceke ti, shprehja: “me duar n’xhepa” ka qenë politike, jo me synimin për përulje”, shtoi tutje Mustafa.
Më pas, një nga temat që ju intereson shikuesve është edhe ajo e Fondit të 3%, çështje për të cilën shpalosi goxha detaje, madje të padëgjuara më parë.
Një nga politikanët më jetëgjatë në vend theksoi mënyrat se si funksiononte në atë kohë mbledhja e parave, ndërsa tregonte edhe formën e organizimit, për secilin shtet veç e veç, sepse pranoheshin fonde nga Zvicra, Austria, Gjermania e të tjera.
Sa i përket momenteve më të vështira në karrierë, Mustafa shkoqiti periudhën sa ishte jashtë vendit, atë në ekzil, e njohur kjo mjaft për opinionin.
Madje, ai dha edhe një detaj lidhur me kthimin në shtëpi, aty ku mungoi për nëntë vite me radhë, me ç’rast u kthye vetëm pas Marrëveshjes së Kumanovës.
"Periudha më e vështirë ka qenë në ekzil. Ka qenë në gjendje e pafund, sepse nuk e dinim kur do të përfundojë lufta. Unë për nëntë vite kam qëndruar jashtë, derisa kur jam kthyer më pas më 15 qershor 1999 në shtëpi", shtoi tutje.
Siç edhe keni mundur ta shihni, në pjesën e epërme të tekstit gjeni episodi i plotë i kësaj Interviste, që paralelisht po transmetohet edhe në Radio Televizionin 21, si pjesë e bashkëpunimit mediatik mes shtëpisë sonë dhe televizionit respektiv.


