Gjykimi ndaj Sami Kurteshit e Enver Sekiraqës: Çka pa kamera e Nacionales në gjykata gjatë javës? - NACIONALE

Gjykimi ndaj Sami Kurteshit e Enver Sekiraqës: Çka pa kamera e Nacionales në gjykata gjatë javës?

1 muaj më parë

nga Arbër Ramadani

Në sekondat e parë të gjykimit ndaj Sami Kurteshit i cili po akuzohet për sulm trupor ndaj ish-punëtorit të KQZ-së, ndodhi një gjë e pazakontë. Dëshmitari tha se u kërcënua, live në seancë nga Kurteshi.

Qysh ndodhi sulmi për një maskë sipas viktimës në këtë rast?

Në aktakuzën e plotë që e kishte siguruar gazeta Nacionale, dëshmitari Shkëmb Krasniqi rrëfen se e gjithë ngjarja kishte ndodhur përderisa Adnon Berisha, punëtor në KQZ, ishte duke i furnizuar me kafë disa nga kolegët.

“Aty ka hyrë Sami Kurteshi i cili ka filluar duke i bërtitur Adnonit për mos mbajtje të maskës duke i thënë: ‘a e din ti kush jam unë, me dashtë unë ti nuk punon këtu. Dil jashtë mos t’i shoh sytë’ dhe pastaj derisa Adnoni ishte me kafe në duar, Samiu fillon ta shtyjë fizikisht duke e larguar nga holli i zyrave të KQZ-së. Më tej shton se Samiu e ka shtyrë me duar dhe bërryla, goditje nuk ka pasur vetëm shtyrje”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Një dëshmitar tjetër ka treguar për ofendime të rënda që ka thënë se Sami Kurteshi ia kishte bërë punëtorit të KQZ-së.

“Derisa ishte në objektin e KQZ-së ka dëgjuar një zhurmë në korridor dhe e ka parë Sami Kurteshin duke bërtitur me tone të larta dhe duke përdorur fjalë fyese si ‘qen, lopë, pis’. Këto ishin fjalët drejtuar njëri punëtor të sigurimit, të cilët kanë qenë te dera dhe pastaj e ka parë Sami Kurteshin duke e goditur me dy duar përnjëherë njërin nga dy djemtë që ishin në sigurim, dhe e ka shtyrë jashtë korridorit. Më tej shton se nuk e di arsyen pse ka ndodhur, por shton që Sami Kurteshi ka pasur tendencë ndaj këtij personi”,thuhet në pjesën tjetër të aktakuzës.

Më këtë rrëfim s’po pajtohej Sami Kurteshi. Kafet s’u derdhen, prandaj s’ja kam mshu, thotë pak a shumë Kurteshi.

Enver Sekiraqa

Në anën tjetër ka vazhduar gjykimi ndaj Enver Sekiraqës për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës. Sekiraqa u përball me dëshminë e Arben Selmanajt, ish-polic e shok i Triumfit, i cili dëshmoi me video-lidhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Triumfi ka pasë presion nga Sekiraqa, sidomos pas lidhjes së tij me këngëtaren Adelina Ismajli, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se ka njohuri të mëdhaja për rastin.

Avokatja e Sekiraqes, Kosovare Kelmendi pati vërejtje për sjelljen e babait të Triumf Rizës siç tha ajo brenda dhe jashtë seancës.

Ndryshe, Sekiraqa në këtë rast akuzohet së shtyu drejt vrasjes së ish-policit Triumf Riza.

Trim Baraku

Me duar e këmbë të lidhura para gjykatës këtë javë ka dalë edhe Trim Baraku i cili dyshohet se u përfshi në grabitjen e argjentarisë në Suharekë.

Meqenëse ishte veç seancë fillestare, aty nuk u lejuan kamerat. Por kamerat e Nacionales do të jenë aty e kudo tjetër, ku do të ketë shyqrtim gjyqësor e shpallje vendimesh,

Lajme të ngjashme