FSK rrezikoi të mbetet pa bukë: Si tentoi Shemsi Syla ta bënte pasulin e orizin sekret shtetëror, si dronët Bajraktar
Është njëfarë tipi që e ka emrin Shemsi Syla, e që kur e kanë marrë pushtetin Vetëvendosja, Shemsiun e kane bë me letra zëvendësministër të FSK’së, ama, de facto Shemi është ministër.
Shemi, bashkë me Dejonën e Sali Zybën, janë ata që e kontrollojnë këtë ministri. Janë këta që vendosin për tenderët aty, për gradimet dhe emërimet, e madje edhe kush ka me shërby pasulin në ministri.
Po, po pasulin.
Bile, Shemi, para disa javësh kishte vendosë që tenderin për ushqim të FSK’së me u mundu me e kontrabandu tinëz ministrit, Maqedonci, si sekret shtetëror.
Pritni edhe pak të tregoj kush është Shemi, kurse për pasulin dhe ushqimin e ushtarëve të FSK’së, pak më poshtë.
Shemi, ktyneherë ka qenë zëdhënës i TMK’së, kurse është konsideruar si kuadër i PDK’së. Familjarët e tij punonin në PDK, por qe për arsye banale thuhet qe ai është idhnu e ka dalë kah Vetëvendosja, bashkë me këta ish-të burgosurit politik të Anamoravës.
E tash, cka po ndodhë saktësisht në Ministrinë e Forcës sës Sigurisë, që nuk po bëhen rehat?
E para, ia vlen me u thënë që arsyeja e vërtetë se pse Armend Meha është largu si ministër nuk kanë qenë arsyet personale dhe familjare, por ka qenë Shemsi Syla. Gjatë gjithë kohës sa Armendi ka sherby si ministër, me Shemin e kanë çu si ujku me dhinë.
Gojëkëqinjtë thonë që Armendi e Shemsiu edhe janë kacafytë fizikisht në ministri, por unë për këtë nuk kam fakte. Ajo qe dihet është që Shemsiu ia ka nxi jetën Armendit, deri kur ai është detyruar të largohet prej aty.
Nuk jam naiv me mendu që Shemsiu e ka atë fuqi, sepse është një person karizmatik. Jo, Shemi e ka atë fuqi, sepse është Dejona [Mihali] prapa. Kjo e fundit, përmes një mashe tjetër, që e ka emnin Sali Zyba, i ka tmerru edhe sekretarët permanent që kanë punu aty, e që nuk kanë dashtë me marrë urdhra politik.
Nejse, Armendi ka shku, e në krye të Ministrisë së Mbrojthes ka ardhë Ejup Maqedonci. Ministri i ri, avazi i vjetër. Kurse avazi i vjetër është Shemi.
Shemi, në vazhdën e kontrollimit të tenderëve, thuhet qe kish pas bë be që kompanisë Beni Dona, që e ushqen FSK’ne, ka me ia gjuajtë tenxheret në oborr, e ka me caktu dikë tjetër.
Unë personalisht nuk kisha pasë kurrgjë kundër idesë që Beni Dones me ia gjuajtë tenxheret në sokak, me kusht që Shemi, Dejona e Sali Zyba, nuk kishin këqyrë me bë dallavere të llahtarshme, që në emër të ligjshmërisë me provu me e pjellë njërin prej krimeve të radhës të kësaj qeverie.
Çka kanë bë këta, ose çka kanë dashtë me bë këta?
I kanë thënë Ejup Maqedoncit që me e nënshkru një vendim, që tenderin për ushqim të ushtrisë me e shpallë si sekret shtetëror. Pra, pasuli e orizi me u konsideru si dronët bajraktar.
Jemi duke folë për një tender bukur të madh. Vlera e tij per 3 vite është mbi 10 milionë euro, prandaj pushteti i ka nxjerrë kthetrat.
Maqedonci - më kanë tregu burimet - nuk kishte pranuar nënshkrimin e atij vendini, pra që pasuli e orizi me u konsideru në të njëjtën ligë si dronët Bajraktar. Mirëpa, përpara rezistencës së Maqedoncit, nuk është dorëzuar Shemsi Syla.
Kur kish pas shku Maqedonci në një pushin a në një udhëtim, Shemi e kishte nenshkruar vetë atë vendim.
Pra, në Ministri ekzistojnë letrat, sipas të cilave ushqimi i ushtarëve është vendosë me u konsideru si sekret shtetëror.
Në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes janë edhe do ndërkombëtarë të NATO’së, që ishin tmerru kur e kanë kuptu këtë marifet që po bëhet.
Prandaj, kur është kthyer ministri Maqedonci në punë e kishte anuluar vendimin e Shemit. Kjo ka bë që tensionet në mes të dyve me u rritë, kurse Maqedonci sefte me e kuptu se kush është shefi në Ministri.
Për shkak të këtyne intrigave, tashmë ekziston rreziku real që ushtarët e FSK’së me mbetë pa bukë.
Operatori aktual ka kontratë deri më 30 shtator, kurse në nxitim e sipër, Ministria ka vendosë qe këtë tender ta shpejtojë, duke u thirrë në nenin 35 të prokurimit publik, pra, jo me ofertë të hapur, por me ftesë.
Nëse e mbani mend skandalin për rezervat shteterore? Eh, edhe këta e kane bë nasihatin e njëjtë. Shenj nuk po ua lë prokuroria, këta sikur mos me pa e sikur mos me ni.
Shpejt e shpejt i kanë thirrë nja dy kompani, Bylmetin e Hajdinin, të afërta me partinë në pushtet, edhe krejtësisht pa bazë ligjore ua kanë dhënë këtë tender.
Në vend që me u respektu ligjet, në vend që me pasë tender të hapun, e mandej me ofertën më të lire me ia gjuajtë tenxheret Beni Dones për dritare, Shemi, Dejona e Salihi, këtë operacion kanë vazhdu me e bë, në kundërshtim me ligjin.
Një herë, duke u mundu me e konsideru tenderin për ushqim si sekret shtetëror, herën tjetër për negociimit direkt.
Kosova ka nevojë njëmend për Dubravën 12 kat, kurse duhet me u dyfishu numri i prokurorëve.