Fotografitë që tregojnë se si vëzhgohesh me dylbi nga serbët në veri, derisa ndërtimi i “kalave” midis rrugës vazhdon - NACIONALE

Fotografitë që tregojnë se si vëzhgohesh me dylbi nga serbët në veri, derisa ndërtimi i “kalave” midis rrugës vazhdon

3 vjet më parë

nga Festim Gërguri

fotografitë: Visar Kadrolli

Gumëzhima e veturave në rrugën kryesore të Lagjes së Boshnjakëve është kthyer në tik-takun e hapave njerëzor, që shndërrojnë këtë hapësirë vend të përshtatshëm fjetjeje për qentë endacakë.

Sikur që kalasë i vihet flamuri lart pasi të pushtohet, serbët me kapela në kokë e cigare në gojë, të nervozuar nga prania e gazetarëve aty, bëhen një mbi një për ta ngritur flamurin serb – që e identifikon barrikadën dhe njëkohësisht i jep ngjyrë nacionaliste.

Bash përballë ‘kalasë’ qëndronte flamuri rus që dukej sikur u jepte siguri të gjithë flamujve serbë, një lloj relacioni i kumbarit sicilian me kapon e tij.

Kjo ‘fortesë’ e re e mbushur me dhe nga dje, ua ka zënë pritën veturave të kalojnë nga jugu në veri, por jo edhe këmbësorëve e biçikletave.

Përtej në veri, rruga është shndërruar në parking veturash sikur të kishin siguri nga zoti vetë se këta kamionë nuk do të hiqen as nga KFOR-i e as nga policia.

Këtej në jug, pesha e ‘kalasë’ ka larguar policët e Kosovës qindra metra larg, ani pse ajo s’mund të lëvizë, meqë rrotat i janë shfryer dhe nuk ka shoferë brenda.

Përmes kamionëve penetrojnë qytetarë dhe gazetarë, e afër me vetura i vijnë vetëm KFOR-i dhe EUELX-i për ta inspektuar.

Ndërsa barrikadën tjetër dhe kushdo që i afrohet asaj, e inspektojnë me dylbi miqtë e saj nga kodra disa kilometra larg, që duket sikur serbët e kanë pushtuar si pikë strategjike në kohë lufte.

Një rrugë më poshtë se barrikada, shqiptarët janë kundërpërgjigjur me afishe të vogla të vendosura në shtylla që po të mos koncentrohesh mirë, as nuk do t’i vësh re.

Lajme të ngjashme