Figurat kyçe të politikës, artit e gazetarisë te Intervista e Buzhalës në dokumentarin mbi 15 vjetorin e Pavarësisë
Tre ditë më parë, Republika e Kosovës shënoi 15 vjetorin e Pavarësisë. Në nderim të kësaj dite, ekipi i Intervistës së Buzhalës përgatiti një dokumentar voluminoz me plot njerëz të kohës respektive, e që në një mënyrë apo tjetrën kishin qenë të lidhur me datën e shënuar.
Figurat kyçe të politikës, gazetarisë e artit diskutuan për shumëçka rreth 17 shkurtit 2008, duke filluar nga përjetimet e asaj të diele të tashmë një dekade e gjysmë më parë, e deri te tejkalimi i kësaj periudhe, e apostrofuar si e tillë e tranzicionit.
Nuk do mend se kishte edhe të ftuar interesantë, si gazetari Blendi Fevziu, që ishte marrë vazhdimisht me këtë çështje, ku edhe vet ai, në secilin përvjetor publikon edhe dokumentarin prodhim i tij, e që i kushtohet tërësisht atmosferës që kishte mbretëruar në Prishtinë, me datat 16 e 17 shkurt.
Fevziu te Buzhala tregoi edhe detaje të padëgjuara më parë, siç është rasti me gjyshin e tij, që në vitet e para të shekullit të kaluar, ishte deputet shqiptar, ndërsa përfaqësonte edhe interesat e Kosovës në legjislacionet gjegjëse politike të asaj kohe.
“Shumë herët kam dëgjuar për herë të parë për Kosovën. S’di ta them, por gjyshi ka qenë deputet i Kosovës në parlamentin e parë shqiptar, 1921-1924, u bënë zgjedhjet e 21-shit dhe 23-shit, një grup deputetësh zgjidheshin dhe Kosova konsiderohej territor i okupuar, kishte përfaqësues të saj në parlament. Ai njëherë, pra ishte me rotacion, përfaqësonte interesat e Kosovës.
Blendi Fevziu komentoi edhe Lidhjen e Prizrenit, të cilën e ka etiketuar si ngjarjen më impresionuese, pasi siç thotë ai, përfaqësuesit shqiptarë të të gjitha trojeve, e filluan diskutimin në gjuhën shqipe, por më pas kaluan në atë osmane, shkaku i dallimit të madh në dialekt.
Që nga fëmijëria pa diskutim, sepse që nga momentet e para, ishte temë shumë e rëndësishme. Shiko, unë mbaj mend një moment që duhet të ketë qenë herët, nuk e di kur mund të jetë, diku mesi i viteve 70, që jam me tim atë dhe Xhevahir Spahiu, një poet i njohur. Jemi në makinë, ishim në një rrugë nga Berati për Tiranë dhe mbaj mend se ata flisnin për demonstratat".
"Ndërkaq, meqë më pyete, një nga ngjarjet që më ka intriguar në fëmijëri, ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga gjërat më impresionuese. Imagjinojeni, në vitin 1878, në trojet shqiptare, përfaqësues të Prevezës, që sot është në territor grek, përfaqësues të Manastirit, të Argës, përfaqësues të Ulqinit e të zonës tej, pa u njoftuar, nisen me mandat përfaqësimi, mblidhen në Medresenë e Prizrenit, e nisin shqip bisedimin dhe e kthejnë në osmanisht sepse kishin kuptuar që dallimet dialektore ishin aq të mëdha sa nuk i lejonin të hynin në thelbin e diskutimit".
Një tjetër i ftuar ishte edhe djali i ish-presidentit Thaçi. Endriti. Ky i fundit kreatorit dhe ideatorit të Intervistës i shpalosi detaje të shumta, duke filluar nga fakti se ka lindur në Zvicër, për shkak se nëna e tij ishte refugjate.
“Po atëherë ka qenë lufta duke u zhvilluar në Kosovë, unë kam lind në Zvicër, nëna ka shku në Zvicër si refugjate, si mijëra shqiptarë. Ka qenë e vetmuar atje, babi ka qenë në Kosovë në fushëbetejë, duke luftuar për Kosovën me shokët e tij.” – ka thënë ai.
Tutje, Endrit Thaçi në këtë intervistë ekskluzive, ka thënë se gjatë luftës ka pasur momente të vështira, derisa ka folur edhe për familjarët që kanë vdekur gjatë asaj periudhe.
“Kanë qenë disa momente të vështira për familjen tonë, sidomos për nënën, sepse ditën kur kam lindur unë, nënës i ka vdekur nëna. Pas disa javësh, në masakrën e Studimes, atëherë i ka vdekur edhe vëllai edhe djali i vëllait.” – ka thënë ai.
Një detaj shumë interesant i zbuluar nga Endrit Thaçi, është ai se ish-presidenti e kishte takuar kur ky ishte foshnje gjashtëmuajshe, kur edhe ishin kthyer në Kosovë.
“Jam kthyer kur i kam pasur gjashtë muaj. Ka qenë takimi i parë me babain. Në masakër nënës ia kanë vra vëllain dhe djalin e vëllait.” – ka thënë ai.
Më pas, ai ka treguar se u kthyen në Kosovë, derisa tha: “Prindërit kanë dashtë të jetojnë në Kosovë dhe ta vazhdojnë aktivitetin në Kosovë”.
Pyetur nga gazetari Buzhala se a do ta bënte të njëjtën gjë si babai i tij, Endrit Thaçi pa hezitim u përgjigj duke thënë se “natyrisht që po”.
“Natyrisht po. Është privilegj. Kushdo që merr hapin për të bërë diçka për atdheun, duhet të ndihet krenar.” – tha ai.

