Adriatik Kelmendi te Intervista e Buzhalës: Rrëfimi i tij mbi jetën, politikanët e Kosovës dhe BBVK
Pse vendosi të merrej me gazetari? Si u plaçkit në Tiranë gjatë studimeve? Cila ishte storia e parë në karrierë e kë vlerëson më së shumti në politikë? Këtyre dhe pyetjeve të tjera iu përgjigj me kërshëri, gazetari i njohur kosovar, Adriatik Kelmendi, që sonte është i ftuari i radhës te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Me fillim nga ora 21:30 në RTV 21 dhe platformat tona sociale, Kelmendi do të shpalosë të bëmat e karrierës së tij dhe gjithçka që e veçoi atë në këtë rrugëtim.
Një nga pikat kyçe ishte padyshim edhe pohimi i zërave që qarkullonin deri më tani: kishte qenë emër i përfolur për të kandiduar për Prishtinën nga njëra prej partive më të mëdha në vend. Se cila ishte kjo parti, e zbulon Kelmendi gjatë emisionit.
Gjithashtu, ai përmendi edhe politikanët që i vlerësonte e që sipas tij opionioni publik për shkak të rrethanave, nuk ua kishte dhënë notën e merituar. Bëhet fjalë për Isa Mustafën e Avdullah Hotin.
"Nga intervistat ne nganjëherë edhe mund të themi se cili shpehet më së miri. Po, ka pasë Kosova politikanë të mirë, kur folëm për procesin e Rambujesë, por ka edhe të tjerë që janë nënvlerësuar, ose kanë qenë fatkeq në perceptimin e opionionit publik dhe nuk do të fshehi asgjë nëse them që njëri nga ta është Isa Mustafa".
Kelmendi shtoi se në kohën e Mustafës janë parë ndryshime të shumta në kryeqytet, por edhe sa ka qenë kryeministër, ka qenë i vendosur. Ndërkaq, për dorën e djathtë të Mustafës, Hotin, e etiketoi si politikan pozitiv.
"Pra, në kohën e tij janë bërë ndryshime të mëdha në Prishtinë, të cilat nuk i njihen, po edhe sa ka qenë kryeministër, ka qenë i vendosur, por edhe orientimin politik e ka vendosur, qoftë më mirë se sa pasardhësit apo edhe ata paraprakë. Unë e kam parë si pozitiv edhe Avdullah Hotin. Në shumë çështje që i ka bërë. Tash nuk dua t’i idealizojë asnjërin".
Veç tjerash, ai përmendi edhe një problem shoqëror. Tifozllëkun politik. Pra atë që njerëzit i marrin si ekipe futbolli, ose nganjëherë edhe si "Mesiah" apo i dërguari i Zotit, duke aluduar kështu në kryeministrin aktual, që shihet i tillë prej një numri të madh aktivistësh
"Pse është problemi tifozllëku politik. Pra njerëzit marrin si ekipe futbolli. Ose të shohin edhe si të dërguar të Zotit ose përfaqësues fetar. Pastaj ti aty bëhesh pasues dhe jo votues dhe kjo nganjëherë është problematike sepse nuk i sheh veprimet e tij, që mund të jenë të gabuara".
"Unë i kam kritikuar edhe politikanët tjerë. Edhe z. Mustafa. Edhe z.Thaçi. Unë i kam dy libra, 700 faqe, ku PDK-ja është më e kritikuara në përqindje shumë më të madhe se gjithë të tjerët. Shembull, dhe kjo nganjëherë harrohet. Pse po e kritikoni ju vetëm qeverinë Kurti? Jo. Është mbamendja yte, që s'ke lexuar ose që s'ke përcjellur", vazhdoi Kelmendi.
Në pjesën e fundit, nuk mund të mungonte edhe një mendim i tij për raportet me ShBA-në, marrëveshjen Kosovë - Serbi e mbi shoun Big Brother që po shfaqet në televizionin Klan, që drejtohet pikërisht nga i ftuari ynë i sontëm.
Më poshtë mund të gjeni njërën prej pjesëve të përzgjedhura, kurse më lart gëzoni të dyja pjesët e ndara veç e veç. Shikim të këndshëm.

