“Kreshniku modern” dhe jeta e tij plot sfida e kontribut – Halil Matoshi te Intervista e Buzhalës - NACIONALE

“Kreshniku modern” dhe jeta e tij plot sfida e kontribut – Halil Matoshi te Intervista e Buzhalës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka kontribuar në të gjitha periudhat shtetinicuese e shtetformuese. Pavarësisht barrierave, ai nuk ishte ndalur as në kohërat më të vështira të popullit tonë. Mori pjesë edhe në Pajtimin e Gjaqeve. Ishte edhe në burg. Dha shumë edhe pas luftës. Është pjesë e përditshme e skenës sonë publike, ndërsa gëzon reputacion të veçantë për publicistikën që bën, e vargjet që krijon.

Nuk është Halili, ai kreshniku i gojëdhënave, por Halil Matoshi, ky kreshnik modern, që dhuroi e mbështeti pafundësisht Kosovën shtet, e me plot aspirata.

Ai është i ftuar sonte te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale e që vie çdo të hënë në orën 21:30 si projekt i përbashkët televiziv i dyshes mediatike: "Nacionale - RTV 21".

Padyshim se mysafiri shpalosi shumëçka nga rrugëtimi i tij në politikë, ndërsa nuk mungoi as momenti kur e njohur për herë të parë, kryeministrin aktual, Albin Kurti.

Matoshi tregoi edhe se si njëherë ishte në shënjestër për t'u vrarë, bashkë me shokët e tij të idealit, që pa dëshirën e tyre qëndronin në burgjet famëkeqe serbe.

Gjithsesi, fillimisht Matoshi foli për rëndësinë e shpeshherë edhe bezdinë e rrezikun për të qenë në anën e kundërt të shumicës.

Siç thotë ai, këtë e ka parë jo pak herë, qoftë në televizione, ku paraqitet edhe ai, qoftë në polemikat e përditshme me njerëz, duke mos harruar edhe ato në rrjete sociale.

"Lila" siç e njohin njerëzit e afërt e komuniteti gazetaresk, pati kritikat edhe për një pjesë të diasporës.

“Është e bezdishme, e ndonjëherë edhe e rrezikshme kur je me pakicën. E shoh edhe në debate, edhe në polemikat e përditshme me njerëz, edhe në rrjetet sociale, që njerëzit i japin të drejtë vetes me gjyku tjetrin për çështje politike, për të cilat bash nuk iu përkasin hiç, sidomos një pjesë e njerëzve që jetojnë jashtë Kosovës, në mërgatën e Kosovës, të cilët jetojnë ose qëndrojnë në vende të mirëqena, me siguri të plotë, edhe financiare, sociale, edhe siguri klasike, në vende shumë liberale e kërkojnë për vendin e vet diktatura edhe autoritarizma”.

Me patjetër se nuk kishte si të mungonte edhe komenti i tij mbi zhvillimet aktuale. Rreth kësaj çështjeje, Matoshi tha se nuk është e rëndësishme çka kanë në shpirt policët serbë të veriut që liruan uniformat. Duhet pranuar faktin se ata u treguan të gatshëm që të bartin këtë uniformë, me emblemën e Republikës së Kosovës në krah.

Gazetari kujtoi edhe një pohim të mëparshëm, kur kishte thënë se ai nuk pret nga serbët që t'i këndojnë këngët e Dervish Shaqës.

"600 serbë të veriut janë qytetarë të Kosovës. Duhet shikuar nga një kënd tjetër. Shkaku i një marrëveshje në Bruksel, ata pranuan ta veshnin uniformën, emblemën e Kosovës. Tash, sa janë lojalë, kanë qenë lojalë faktikë, sepse kanë qenë pjesë e zingjirit komandues të Prishtinës. Brenda shpirtit të tyre nuk jemi ne, që me ditë çka mendojnë ata, edhe punë e madhe çka mendojnë. Bile, e kam thënë njëherë në studio televizive, unë prej tyre nuk pres që ata të këndojnë këngët e Dervish Shaqës, por pres me vendos rendin dhe ligjin atje".

Në pjesën e fundit, nuk mungoi as pyetja e kreatorit dhe ideatorit të Intervistës, Berat Buzhala, për atë se çka mendon Halil Matoshi për kryeministrin aktual Albin Kurti.

Ish-këshilltari i Haradinajt, vlerësoi Kurtin për nga mençuria dhe përgatitja akademike, por shtoi se në politikë është peng i ideologjisë.

Këtu pati edhe një këshillë për të: të tregohet bashkëpunues, në veçanti me Perëndimin.

“Albini ka qenë student i mirë. Është merak i manifestimeve të librave. Promovimeve. Është merak me ditë, me mësu. Por, në politikë është peng i ideologjisë. Secili shqiptar ka prirje autoritare. Krejt ne mendojmë që kemi super-struktura. Tash duhet me qenë menaxher i mirë, bashkëpunues i mirë".

Lajme të ngjashme