Si e përzuri Albin Kurti, raportet me babain, gjyshja kroate e debati i parë - Rron Gjinovci te Intervista e Buzhalës - NACIONALE

Si e përzuri Albin Kurti, raportet me babain, gjyshja kroate e debati i parë - Rron Gjinovci te Intervista e Buzhalës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tash e një kohë të gjatë mungon në studiot e debateve, shkaku se udhëheqë emisionin e tij.

Megjithatë, Rron Gjinovci këtë javë është mysafir te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Fillimi i karrierës politike, rrugëtimi i përbashkët me Vetëvendosjen deri në largim nga aty, problemet momentale dhe zgjerimi i çështjeve të tjera aktuale ishin pikat kyçe të kësaj interviste, që përveç platformave tona sociale po transmetohet edhe në RTV21.

Ndër të tjerash ai kujtoi edhe momentin kur u përzu prej zyrës nga kryeministri aktual, Albin Kurti. Gjinovci tha se kjo ndodhi pas hedhjes me ngjyrë ndaj rektorit Mujë Rugova.

Megjithatë, në fillim ai kujtoi polemikën e parë për aktivizëm shoqëror.

“Është mbledhja e prindërve në shkollë të mesme. Patëm ikë prej klasës diku 3-4 herë masivisht krejt orët edhe na thirr drejtori i shkollës, na tregon që ka ardhë inspekcioni, i thirr edhe prindërit. Unë pata nisë me shku ka pak në Vetëvendosje, edhe e kam pasë atëherë një bluzë, e mbaj mend: jemi një. Po flasim për vitin 2007. Viti i fundit në gjimnaz. Në mbledhje vjen edhe babai im, edhe në kerr aty kthehet prapa edhe më thotë: mos mendo që të mbroj, ke me pa ti aty. Unë: ani matemi. Vet me veti se kështu s’i thashë".

Tutje vazhdoi rrjedhën e ngjarjes, duke treguar edhe se si kundërshtoi babain e tij sa ishte në gjimnaz, sepse atëbotë veçse i kishte 18 vjet.

Është interesant fakti se babai i tij kërkoi përjashtimin e nxënësve që kishin ikur nga mësimi, problem ky që kishte detyruar edhe zbarkimin e inspekcionit, çështja kryesore e rastit në fjalë.

"Unë isha kryetar i klasës edhe po vjen drejtori, po thotë ka ardhë inspekcioni, i ka pa mungesat edhe po dojnë me marrë masa. Edhe une u çova e mbajta një fjalim, thash sa herë ka ardhë inspekcioni me na pytë a kemi karrige mjaftueshëm. Ne nuk kishim karrige majftueshëm. Sa herë ka ardhë inspekcioni me na pytë a i kemi arsimtarët normalë, se i kemi plot do budallë, që s’dinë as me folë. Jo andej, jo këndej, u çu babai im, tha unë jam prindi i atij, po e shihni, ai e ka vesh një bluzë nacionaliste. Ky nuk është i kontrollueshëm, unë ju ftoj me marrë masa, m’i përjashtu, me ua humbë vitin, pavarësisht që o djali im, prindërit e tjerë u shokuan, se ata donin secili me i mbrojtë fëmijët e vet", tha fillimisht babai i mysafirit të Buzhalës.

Por, shikoni se si iu kundërpërgjigj tash aktivisti i njohur.

"Unë thash ky zotëria nuk mundet me fol në emrin tim, se unë i kisha 18 vjet, se isha në gjimnaz të përgjithshëm, ai i ka mendimet e tij, unë të miat, edhe i thashë drejtorit ata inspektora silleni këtu. T’i shohim na, përndryshe, ju keni shumë probleme që duheni m’u marrë, për me na thonë neve mos ikni prej orës. Kjo o rebelim thashë. Që nuk ishte bash ashtu. Më shumë ka qenë lazdrim, po unë e shfrytëzova faktin që ishte situatë e rëndë, mendoj që ky ka qenë debutimi im i parë në publik me debatu me një figurë autoritative si baba ndoshta, kur je 18 vjet në shkollë të mesme".

Ndërkaq, sa i përket supozimeve të autorit se i ftuari gëzon raporte të mira private me babain, Gjinovci mohoi një gjë të tillë, duke thënë se nuk mund të thuhet ashtu.

“Nuk mund të thuhet që kemi raporte të mira private me babain. Në atë kohë kur unë kam qenë në Lëvizjen Vetëvendosje si aktivist, ata s’janë pajtu hiç me mua, por më kanë thënë që më përkrahin, që e kam mbështetjen financiare, në atë mënyrë që unë me qenë një aktivist vullnetar, gjë kjo shumë e rëndësishme për integritetin tim politik”.

Lajme të ngjashme