Emisioni merr 'pasaportë serbe', militanti pushton 'Ditarin e Buzhalës' - NACIONALE

Emisioni merr 'pasaportë serbe', militanti pushton 'Ditarin e Buzhalës'

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbase më interesanti nga të gjithë, ani pse duhet thënë me patjetër se secili i sjellur te ju deri më tani ka qenë i tillë në versionin e vet.

Sonte, në episodin numër 47Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale, do të diskutohen temat kryesore të katër ditëve të kësaj jave, duke përmendur këtu edhe vizitën e kryeministrit Kurti në Turqi, tri ditë para tërmeteve shkatërruese që qenë shkaktarë të mijëra viktimave.

Pashmangshmërisht, autori Buzhala e filloi këtë pjesë me tërmetin respektiv. Madje, pohoi se pajtohet deri diku me presidentin Erdogan, që çkado që vie nga natyra po Zoti, është e pakthyeshme.

"Një ngjarje mjaft tragjike e ka goditë shtetin turk. Dyshohet mbi 10 mijë të vrarë si pasojë e kolapsit të objekteve. Pajtohem deri diku me presidentin e Turqisë, çkado që vjen prej Zotit ose natyrës, është e pakthyeshme. Ai tha kemi m’i rregullu shtëpitë e ndërtesat. Është e vërtetë që s’mundemi m’i ndalë tërmetet, ama në bazë të asaj çka kam lexu këto dy ditë, shteti duhet m’i rrit inspektimet, sepse ndërtimet mund të jenë më të mira. Nëse objektet që ndërtohen janë në përputhje me rrezikun që paraqitet nga tërmeti, gjasat për numrin e viktimave janë më të vogla".

Gjithashtu ai shpalosi të dhëna rreth tërmeteve, duke u bazuar edhe në atë çfarë kishte lexuar, ndërsa transmetoi një histori interesante të një gazetari të New York Times sa kishte qenë në Meksikë.

"Ka raste e raste. Ishte një gazetar i New York Times i cili kishte qenë fëmijë kur kishte ndodh tërmeti në Meksiko City, e lexova dje, edhe tha mësimi që e kam marrë prej atij tërmeti: ndërtesat e shtetit u rrënuan të gjitha, ndërtesat private mbetën në këmbë. I njëjti tërmet, i njëjti vend. Por, kur ka inspeksion, kur ka kontroll, mundet m’u sanu dëmi. Njëjtë ka ndodh edhe në Turqi. Objektet masive shembeshin si kulla prej letre. Fatkeqësisht, nën ato kulla, që nuk ishin prej letre, ndosheshin familje të tëra, shuheshin jetë të tëra. E dhimbshme jashtëzakonisht shumë".

Ideatori dhe kreatori i Ditarit vlerësoi vendimin e autoriteteve kosovare për ta dërguar FSK-në në Turqi, duke thënë se do të ishte mrekulli nëse do ta shpëtonin edhe vetëm një jetë, ndërsa dihet se tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, kur gjatë ditës së djeshme kontribuan në shpëtimin e një foshnje dhe nënës së saj.

"Edhe Kosova bëri mirë shumë që shkoi atje, sadopak, qoftë edhe një jetë të vetme me shpëtu do të ishte një mrekulli. Fotot nga atje ishin copëtuese zemrash. Shkrihesh kur e sheh një foshnje që shpëton pas 24 orësh, apo kur e sheh një vajzë teksa ia mban krahun motrës së saj nën rrënoja".

Pa u larguar shumë nga Turqia, gazetari Buzhala komentoi edhe vizitën e kryeministrit Kurti atje, që rastisi vetëm tri datë para ngjarjes së kobshme. Nga ajo që ka mësuar ai, është se Kurti ka nënshkruar një pakt, për të këmbyer disa jetë njerëzish, gjegjësisht mbështetës të Gylenit, në këmbim të disa dronëve bajraktarë.

"Pa u largu shumë nga Turqia, do të flasim edhe për vizitën e kryeministrit Kurti në Turqi.Unë kam kuptu kohëve të fundit, që gjatë vizitës së Kurtit atje, ka bë një pakt, pra një pazar, m’i këmby disa jetë njerëzish, pra, që kërkohen, në këmbim të disa dronave bajraktarë. Është interesant te ne shqiptarët. Si të na i mbyll dyert Evropa, kthehemi kah Turqia. O me pa një status të Albinit të vitit 2018, menjëherë pas rastit të gylenistëve. Shumë i gjatë. E ka etiketu si kidnapim. Me kishe s’ka ndodh a?".

Në pjesën e fundit ndërkaq, përmendi edhe çështjen e pranimit të marrëveshjes nga ana e shefit të ekzekutivit, duke kujtuar këtu cicërimën e para pak ditëve të shefit të qeverisë, të publikuar në rrjetin social "Twitter".

"Sa i përket marrëveshjes, në bazë të asaj çka ka shkru Kurti në Twitter, a po i bjen që e ka pranu Asociacionin. Nëse po, ku i lëmë gjashtë kushtet e Kurtit".

Ky ditar është ndarë në dy pjesë. Përderisa më poshtë gëzoni pjesën e dytë, fare lart në tekst gjeni edhe atë të parën.

Lajme të ngjashme