E hodhi në mbeturina plisin dhe flamurin kuq e zi, profesori i anglishtes deklarohet i pafajshëm para gjykatës
Profesori i anglishtes, Muhamed Hajredinaj, është deklaruar i pafajshëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin Special.
Hajredinaj akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishte hedhur në mbeturina plisin dhe flamurin kombëtar kuq e zi.
Ngjarja kishte ndodhur më 27 nëntor 2024, në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, përderisa profesori kishte shkuar në klasën VI-4 për të mbajtur orën e gjuhës angleze.
Aty kishte hedhur në mbeturina plisin dhe flamurin kuq e zi, ku prokuroria thotë në aktakuzë se ai e kishte bërë këtë veprim, ani pse ishte kundërshtuar nga nxënësit.
Madje profesori Hajredinaj akuzohet se po në atë klasë kishte përjashtuar nga ora edhe një nxënëse 11-vjeçare, e cila kishte të veshur rroba me simbole kombëtare.
Sipas Prokurorisë Speciale, profesori Hajredinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, nga neni 41 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës.