E goditi me armë në kokë dhe shtiu disa plumba drejt ish-gruas, palët japin fjalën përfundimtare në rastin ndaj Idriz Alisë
Është mbajtur seanca e radhës ndaj Idriz Alisë, i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për tentim vrasje ndaj bashkëjetueses së tij, Sherife Tahiri.
Në seancën e së mërkurës, palët kanë dhënë fjalën përfundimtare.
Fillimisht, prokurorja e rastit, Fatmire Cacaj, ka thënë se qëndron në tërësi pranë aktakuzës, duke theksuar se veprimet e të akuzuarit manifestojnë dashje direkte për privimin nga jeta të anëtarit të familjes – në këtë rast ish-gruas së tij – duke traumatizuar edhe fëmijën.
“Për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake, lidhur me xhelozinë dhe raportimet në polici të dy rasteve të tjera të dhunës në familje, në datën kritike me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sherife Tahiri, me të cilën ka bashkëjetuar. Edhe në atë rast, me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, ashtu që përderisa e dëmtuara ishte duke ecur në rrugë me djalin e saj të mitur, tani i dëmtuar, e ka përcjellë nga mbrapa nga një distancë e afërt. Posa e kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri i përshpejton hapat, e nxjerr nga brezi armën e zjarrit dhe me të njëjtën shtin disa herë në trupin e të dëmtuarës. Fillimisht, në mënyrë dinake dhe në afërsi shkrep me armë zjarri dhe, i pakënaqur me këtë gjuajtje, pastaj e godet me duar në fytyrë, e cila rrëzohet në tokë. Djali i saj tenton ta largojë nga e dëmtuara, ndërsa i pandehuri shtën sërish me armë zjarri mbi trupin e saj dhe, kur e sheh se e dëmtuara është ende gjallë, e godet me forcë të madhe rreth 8-9 herë me kontakt të armës së zjarrit…” – ka thënë ndër të tjera prokurorja Cacaj në fjalën përfundimtare.
Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe avokati i palës së dëmtuar, Arbër Guta, i cili ka thënë se e përkrah fjalën përfundimtare të prokurores.
“Ky shqyrtim gjyqësor konsiderojmë që i ka shërbyer të vërtetës dhe nga provat materiale të administruara, si ato materiale dhe personale, u vërtetua në tërësi se me veprimet e të pandehurit formësohet figura e veprës penale si në pikën e parë të aktakuzës.” – ka thënë ndër të tjera avokati Guta.
Ndërsa vetë e dëmtuara Tahiri tha se këtë proces ia ka lënë në dorë shtetit.
“Jo, vetëm që unë ia kam lënë shtetit, shteti të vendosë.” – ka thënë ajo shkurtimisht.
Në seancë, fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Haxhi Millaku.
Sipas Millakut, i akuzuari Alija ka pasur afekt mendor të shkallës së lartë, duke mos ditur se çfarë ka bërë në ditën kritike.
Ndërsa i akuzuari Alija tha se më parë kishte kërkuar edhe një ballafaqim me të dëmtuarën, por që kjo kërkesë i ishte refuzuar.