"E goditën qëllimisht me shuplaka dhe grushte" – Ngrihet aktakuzë ndaj tre policëve për sulm ndaj një qytetari në Klinë
Më 28 qershor 2025, tre zyrtarë policorë kanë sulmuar një person në Klinë, e për këtë, Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, sot ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtarëve policorë, Nezir Gashi, Enis Elezaj dhe Shkëlqim Saliaj.
Sipas njoftimit, të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas aktakuzës, tre të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë nga Njësia Reaguese e Stacionit Policor të Klinës, përkatësisht në shtëpinë e të dëmtuarit D.K., duke vepruar në bashkëkryerje dhe duke keqpërdorur autorizimet e tyre, me dashje keqtrajtojnë të dëmtuarin, në atë mënyrë që, pasi të pandehurit i përgjigjen thirrjes së një ankese të qytetarit i cili ishte sulmuar nga i dëmtuari në këtë rast, të njëjtit e identifikojnë dhe shkojnë tek shtëpia e tij, ku fillimisht e njoftojnë se duhej të shoqërohej në stacionin policor, e më pas, duke tentuar ta prangosin, të pandehurit Shkëlqim Saliaj dhe Enis Elezaj e mbajnë nga krahët të dëmtuarin, ndërsa i pandehuri Nezir Gashi fillon ta godasë të dëmtuarin me shuplaka disa herë në kokë e më pas edhe me grushte në pjesën e abdomenit, duke cenuar kështu rëndë dinjitetin njerëzor të tij.
Me ç’rast, duke vepruar si bashkëkryes, kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Po ashtu, i pandehuri Gashi akuzohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Tre të pandehurit, nga prokurori i çështjes, akuzohen edhe për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, sepse më 28 qershor 2025, në Stacionin Policor në Klinë, në cilësinë e zyrtarëve policorë, me dashje dhe duke vepruar në bashkëveprim, merren vesh mes vete për të njoftuar personin zyrtar për hetim dhe bëjnë lajmërim të rremë, kinse i dëmtuari ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Prokurori i shtetit, përveç që ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë nga aktakuza, ka propozuar edhe dënimin plotësues për të pandehurit: “Ndalimin e ushtrimit të funksioneve në vende publike ose shërbime publike”.